IDE, 23 Qershor 2025, 10:37

Të vërtetat e vendimeve penale në Gjermani për Sky ECC! Sfidat e SPAK me organizatat kriminale në Shqipëri

Të vërtetat e vendimeve penale në Gjermani për Sky ECC!

Publikimi i vendimit të Gjykatës Rajonale së Berlinit (niveli i parë), të 19 dhjetorit 2024, ku të dhënat nga EncroChat u shpallën të papranueshme si prova, shkaktoi valë reagimesh në media dhe opinionin publik shqiptar, duke u paraqitur si një “fitore” për të drejtat e njeriut dhe një sinjal për kthesë në jurisprudencën evropiane. Megjithatë, përtej një gëzimi të pajustifikuar, realiteti ligjor është dukshëm më kompleks dhe shumë larg nga një ndryshim i konsoliduar kursi i betejës mes prokuorisë dhe krimit të organizuar pas operacionit fantastik “Vanilla”.

Fati në pritje i dhjetra dosjeve më të mëdha në historinë e drejtësisë shqiptare mes SPAK dhe organizatave më të fuqishme kriminale dhe evidentimit të kontratës vrastare të politikës me krimin në Shqipëri: ti më ndihmo të fitoj zgjedhjet unë të shpall investitor strategjik, te jap prona, pasuri, te shkel syrin madje i mbyll te dy kur kalon drogë dhe para të krimit, varet jo pak nga këto ecuri dhe vlerësimin e provave të enkriptuara si SkyEcc, EncroChat, Telegram etj. E kemi ndjekur me një kurreshtje pasionante profesionale ecurinë e këtij operacioni prej fillimit, nxitur nga asnjë ndikim apo shtytje përveç interesit publik duke vlerësuar sa avokatët në punën e tyre aq dhe prokurorët në një betejë të fuqishme dhe vendimin e guximshëm të Gjykatës Kushtetuese në janar 2025.

Dhe vetëm në vijim të i interesit publik dhe atij të medias po publikojmë këtë analizë ligjore për lexuesin kureshtar duke hedhur dritë mbi betejën në Gjermani dhe impaktin në Shqipëri! Çfarë vendosi Gjykata e Landgericht Berlin më 19 Dhjetor 2024? Është e vërtetë ajo që publikuan me vonesë avokatët e nderuar të çështjes në Gjkatën Kushtetuese, se Gjykata e Landgericht Berlin, në çështjen nr. 525 KLs 8/22, vendosi që provat nga EncroChat nuk ishin të pranueshme, duke theksuar se çështja atje bazohej VETËM në provat e enkriptuara (pa i lidhur ato nga prokuroria me prova e fakte të tjera) dhe mungesën e transparencës në bashkëpunimin ndërkombëtar, mungesën e dokumentacionit të plotë në dosje dhe mosqasjen e plotë të mbrojtjes në aktet e hetimit. (Nuk e dijmë nëse SPAK ka bërë të njëjtën gjë dhe në Shqipëri) Gjyqtarja Kristin Klimke, Kryetare (Vorsitzende Richterin) e Dhomës Penale 25 (Strafkammer 25) në Landgericht Berlin, kryesuese e trupit gjykues në vendimin e 19 dhjetorit 2024, vuri në dukje përdorimin e teknologjisë komplekse (spyware në mijëra pajisje) dhe mungesën e ekspertizës për vlerësimin teknik, duke theksuar rëndësinë e garantimit të barazisë së armëve dhe të drejtës për mbrojtje.

E vërteta që ndoshta fshihet në Shqipëri ose nuk tregohet është se ky vendim jo vetëm që është i nivelit të parë gjyqësor, por ai është ankimuar nga prokuroria gjermane dhe është në pritje të shqyrtimit në Kammergericht Berlin (Higher Regional Court, Berlin). Si një vendim i përkohëshëm dhe jo përfundimtar e vështirë që përdoret në këtë moment nga gjykatat në Shqipëri, ndaj gëzimi i subjekteve apo politikanëve dhe zyrtarëve në Shqipëri të tipit El Chapo të përfshirë në dosjet e SkyEcc ende është i pajustifikuar. Për të analizuar ecurinë e këtij vendimi le të shohim se çfarë thonë gjykatat e tjera gjermane, të niveleve të tjera përtej efektit “kam rënë edhe unë nga fiku”?

Për të kuptuar realisht qëndrimin e jurisprudencës gjermane në lidhje me përdorimin e provave të përftuara nga platformat e komunikimit të enkriptuar si EncroChat dhe Sky ECC, është e domosdoshme një vështrim gjithëpërfshirës mbi vendimet e tjera gjyqësore, si ato që paraprinë vendimin e dhjetorit 2024, ashtu edhe ato që pasuan. Vetëm përmes një analize të plotë të kontekstit ligjor dhe të praktikës gjyqësore në tërësi mund të vlerësohet nëse kemi të bëjmë me një rast të izoluar apo me një ndryshim të mundshëm në kursin e betejës mes prokurorisë dhe krimit të organizuar!

I. Vendimet përpara Dhjetorit 2024
Në jurisprudencën aktuale gjermane dallohen tre vendime me rëndësi të veçantë, të dhëna nga gjykatat më të larta kombëtare dhe evropiane, të cilat ushtrojnë ndikim të konsiderueshëm mbi praktikën gjyqësore të gjykatave më të ulëta, veçanërisht në çështjet që lidhen me përdorimin e provave të siguruara nga platformat e komunikimit të enkriptuar. Vendimi i parë është ai i Gjykatës Federale të Drejtësisë (Bundesgerichtshof – BGH) nr. 5 StR 457/21, datë 2 mars 2022, i cili konsiderohet si një vendim udhërrëfyes (“leading case”) për gjykatat më të ulëta, në çështjet që lidhen me përdorimin e të dhënave të marra përmes platformave të enkriptuara si EncroChat.

Vendimi i dytë është ai i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (“GJDBE”), me nr. çështje C-670/22, i datës 30 prill 2024, i cili ofron interpretimin përfundimtar të Direktivës 2014/41/BE. Vendimi i tretë, është ai i Gjykatës Kushtetuese Federale (Bundesverfassungsgericht) nr. 2 BvR 684/22, datë 1 nëntor 2024, i cili trajton aspektet kushtetuese të ligjshmërisë së provave të siguruara nga bashkëpunimi ndërkombëtar penal. Këto tre vendime do të trajtohen në vijim.

1. Vendimi i Bundesgerichtshof
Në këtë çështje, BGH vendosi se provat e siguruara nga EncroChat janë të pranueshme në procedurat penale gjermane sipas nenit §261 të Kodit të Procedurës Penale (“StPO”), edhe kur janë marrë nëpërmjet bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, për sa kohë respektohen parimet kushtetuese, veçanërisht proporcionaliteti dhe mbrojtja e fshehtësisë së komunikimeve sipas nenit 10 të Ligjit Themelor (Grundgesetz). Edhe pse legjislacioni gjerman nuk përmban një dispozitë të veçantë për përjashtimin e këtyre provave, përdorimi i tyre lejohet në rastet e veprave penale të rënda, si trafikimi i drogës. Gjykata rrëzoi pretendimet se provat ishin marrë në mënyrë të paligjshme, duke theksuar se ligji gjerman është ai që përcakton ekskluzivisht pranueshmërinë e provave, pa qenë e domosdoshme që masat franceze të përputhen me standardet gjermane. Përgjimi nëpërmjet EncroChat nuk u konsiderua përgjim masiv, por një ndërhyrje e justifikuar ndaj një rrjeti kriminal. Shkeljet procedurale të pretenduara, si vonesa në njoftim apo mungesa e koordinimit të hershëm, nuk përbëjnë arsye për përjashtim të provave, veçanërisht pasi shkëmbimi i të dhënave u miratua më vonë dhe nuk rezultoi në cenim të të drejtave themelore. Gjykata konkludoi se nuk kishte prova për shmangie sistematike të rregullave nga autoritetet, ndaj provat janë të përdorshme në mënyrë të ligjshme.

2. Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë

Në vendimin e saj, GJDBE thekson se pranueshmëria e provave të marra nga EncroChat varet nga tri parime thelbësore të së drejtës së BE-së. Së pari, për vlefshmërinë procedurale, GJDBE sqaroi se një Urdhër Hetimor Evropian (“EIO”) për transmetimin e provave ekzistuese nuk duhet domosdoshmërishtë lëshohet nga një gjyqtar, nëse ligji i shtetit lëshues lejon që prokurori ta urdhërojë atë në raste të brendshme, me kusht që mbledhja fillestare të jetë bërë sipas standardeve të BE-së. Së dyti, në përputhje me parimin e ekuivalencës, EIO duhet të përmbushë të njëjtat kritere si për një rast të brendshëm të ngjashëm. Në Gjermani, kjo përfshin respektimin e nenit §100e(6) të StPO, që kërkon një dyshim të arsyeshëm për transferimin e të dhënave.

Së treti, lidhur me të drejtat e mbrojtjes dhe procesin e rregullt, GJDBE vlerësoi se provat duhet të përjashtohen nëse mbrojtja nuk mund të sfidojë në mënyrë efektive integritetin e tyre për shkak të fshehtësisë teknike, sidomos kur ato kanë rol vendimtar në dënim, siç parashikon neni 14(7) i Direktivës për EIO. Po ashtu, GJDBE përcaktoi se infiltrimi për mbledhje të dhënash përbën “përgjim telekomunikimi” sipas nenit 31 të Direktivës, që kërkon njoftim të shtetit anëtar të prekur. Në përfundim, GJDBE nuk ndaloi përdorimin e provave nga EncroChat, por vendosi kritere dhe garanci të qarta, duke i lejuar shtetet anëtare t’i pranojnë ato nëse do të ishin të lejueshme edhe sipas ligjit të tyre kombëtar.
3. Vendimi i Bundesverfassungsgericht
BVerfG vendosi se ankesa kushtetuese që kundërshtonte përdorimin e të dhënave të EncroChat ishte e papranueshme për shkak të mungesës së argumentimit procedural të mjaftueshëm. Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të të drejtës për t’u dëgjuar, gjykatës së ligjshme apo të drejtës së përgjithshme të personalitetit. Ajo theksoi se as Ligji Themelor gjerman dhe as e drejta e BE-së nuk ishin shkelur, veçanërisht pasi BGH kishte shqyrtuar dhe arsyetuar pranueshmërinë e provave sipas nenit §261 të StPO, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe standardet kushtetuese.

Megjithëse GJDBE në prill 2024 vendosi kushte më të rrepta sipas Direktivës EIO, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se BGH kishte marrë këto standarde në konsideratë, duke e krahasuar përdorimin e të dhënave me një kërkim në distancë të autorizuar sipas nenit §100b dhe duke i nënshtruar kufizimeve të nenit §100e(6) të StPO. Së fundmi, ajo konfirmoi se nuk ishte përdorur asnjë e dhënë që i përkiste sferës intime të jetës private dhe se sipas së drejtës gjermane dhe të BE-së, çdo rast duhet vlerësuar individualisht për pranueshmërinë e provave të marra në mënyrë të parregullt, pa pasur një rregull të përgjithshëm për përjashtimin e tyre.

Vendimi i Gjykatës e Landgericht Berlin dhe arsyetimi themelor i saj! Në arsyetimin e saj, Gjykata e Landgericht Berlin vlerësoi se GJDBE, në përgjigjet e saj, ka devijuar nga qëndrimi udhërrëfyes i mbajtur më parë nga BGH.1 Sa i përket vendimit të BVerfG, Gjykata e Berlinit theksoi se kjo e fundit kishte shprehur një qëndrim (jo vendimtar) sipas të cilit vendimi i GJDBE-së nuk prekte interpretimin e BGH-së mbi pranueshmërinë e provave.

2 Gjykata e Landgericht Berlin arsyetoi se papranueshmëria e mesazheve të EncroChat buron si nga standardet e përcaktuara në nenin 14(7) të Direktivës EIO, nenin 20(3) të Ligjit Themelor Gjerman në lidhje me nenin 2(1), ashtu edhe nga neni 6 i KEDNJ-së, për shkak të mungesës së transparencës nga autoritetet franceze dhe gjermane mbi detajet teknike dhe procedurale, çka e pengoi të pandehurin të ketë akses në informacionin e nevojshëm për të vlerësuar saktësinë e provës, duke cenuar kështu të drejtën për një proces të rregullt.

Kjo situatë, sipas gjykatës, justifikon përjashtimin e provave si sipas ligjit gjerman, ashtu edhe sipas të drejtës së BE-së.3 Për më tepër, Gjykata u shpreh se edhe nëse do të supozohej ndryshe, vlera provuese e bisedave do të ishte aq e reduktuar për shkak të mungesës së informacionit të nevojshëm, e ngjashme me dëshminë e një dëshmitari të dëgjuar nga të tretët (hearsay witness), i cili nuk mund të përballet me palën tjetër për shkak të një urdhri konfidencialiteti, saqë një dënim nuk mund të mbështetet vetëm mbi këto mesazhe.

4 Nuk ekziston asnjë provë tjetër domethënëse dhe gjithshka ka sjellë prokuroria rreth 18 akuzave ishin VETËM këto komunikike dhe ASNJË provë tjetër. Edhe nëse bisedat do të konsideroheshin në mënyrë të përgjithshme si të pranueshme, analiza e tyre në shumicën e rasteve nuk do të ishte e mjaftueshme për të provuar veprat penale të pretenduara, për shkak të domosdoshmërisë për një shqyrtim kritik dhe të kujdesshëm.

Sfida mes autoritetit të BGH-së dhe gjykatat e tjera rajonale në Gjermani
1 Paragrafi 4 i Vendimit. 2 Paragrafi 8 i Vendimit. 3 Paragrafi 11 i Vendimit. 4 Paragrafi 12 i Vendimit. 5 Paragrafi 13 i Vendimit.

Vendimi i GJDBE në çështjen C-670/22, datë 30 prill 2024, u publikua formalisht në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian më 24 qershor 2024.6 Ky publikim e bëri vendimin të detyrueshëm nga gjykatat e shteteve anëtare të BE-së, përfshirë ato gjermane. Megjithatë, aplikimi i vendimit të GJDBE-së nuk ishte i njëjtë me atë të gjykatës referuese, të Landgericht Berlin.

1. Gjykata e Lartë Rajonale Hanseatik e Hamburgut, 13 Maj 20247 Në një çështje që lidhej me trafikimin e lëndëve narkotike, gjykata mbështeti plotësisht pranueshmërinë e provave të përftuara nga EncroChat, duke u mbështetur në vendimin udhërrëfyes të BGH-së.

Në këtë vendim, u legjitimua përdorimi i të dhënave të marra nëpërmjet ndihmës juridike evropiane, edhe pa pëlqimin paraprak të personit të monitoruar, për aq kohë sa vepra penale që hetohet është mjaftueshëm serioze për të justifikuar ndërhyrjen në komunikime, në përputhje me nenin 100b të StPO. Gjithashtu, gjykata vlerësoi se përdorimi i këtyre të dhënave është i justifikuar kur masat alternative hetimore do të ishin dukshëm më të vështira për t’u zbatuar ose nuk do të prodhonin rezultate efektive.

2. Gjykata e Kammergericht Berlin
(Gjykata e Apelit), 18 Tetor 20249 Në vendimin e saj, Kammergericht Berlin iu referua vendimit udhërrëfyes të BGH-së, duke argumentuar se përdorimi i të dhënave të përftuara nga EncroChat në procedurat penale nuk është i ndaluar, edhe pas ndryshimeve të sjella nga Ligji për Kanabisin për Konsumatorë (“KCanG”). Gjykata theksoi se të pandehurit akuzohen për vepra penale jashtëzakonisht serioze dhe, pas një vlerësimi të kujdesshëm të parimit të proporcionalitetit, interesi shtetëror për zbardhjen e së vërtetës dhe sigurimin e provave prevalon ndaj interesit individual të të pandehurve për mbrojtjen e të drejtave të tyre procedurale.

10 Autoritetet franceze i kanë mbledhur provat në përputhje me parimet kushtetuese, pa kryer mbikëqyrje masive apo të paqartë, por duke synuar përdorues të caktuar dhe të identifikueshëm të platformës EncroChat.
11 Në referim të vendimit të GJDBE-së,12 Kammergericht vlerësoi gjithashtu se nuk ka pasur asnjë pengesë apo kufizim për të pandehurit në ushtrimin efektiv të tëdrejtës së tij të mbrojtjes, veçanërisht në raport me sfidimin e autenticitetit dhe integritetit të komunikimeve të përftuara, duke konkluduar se nuk është shkelur neni 6 i KEDNJ-së.

3. Gjykata e Lartë Rajonale Zweibrücken, 12 Dhjetor 202414 Pasi një gjykatë më e ulët kishte refuzuar hapjen e gjykimit për shkak të papranueshmërisë së të dhënave nga ANOM, Gjykata e Lartë Rajonale Zweibrücken konkludoi se kishte dyshim të mjaftueshëm për vijimin e ndjekjes penale dhe pranoi përdorimin e të dhënave si prova. Aplikacioni i komunikimit të koduar, i ngjashëm me EncroChat, përdorej kryesisht nga grupe serioze të krimit të organizuar dhe shpërndahej ekskluzivisht përmes ndërmjetësve të besueshëm, jo në kanale të hapura.

15 Transmetimi i të dhënave te Prokuroria në Frankfurt u bazua në një kërkesë ndihme ligjore ndaj SHBA-së, sipas marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve, të cilat lejojnë përdorimin e provave, përveç nëse ligji amerikan ndalon, çka nuk u vërtetua pasi autoritetet amerikane miratuan përdorimin.

Gjykata theksoi se zbatimi automatik i kufizimeve të Neni 100e(6) të StPO për të gjitha të dhënat e marra jashtë mund të favorizonte padrejtësisht të pandehurin dhe të pengonte ndjekjen penale. Prandaj, standardi i duhur varet nga intensiteti i masës hetimore jashtë vendit, që kërkon shqyrtim të mëtejshëm në seancën kryesore, ndoshta me ekspertë, për të përcaktuar nëse masa është e krahasueshme me dispozitat gjermane dhe cilin nivel kufizimi duhet të aplikojë.

II. Çfarë ka ndodhur pas 19 dhjetorit 2024? A ka ndryshuar qëndrimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë? Gjykata e Landgericht Berlin, në vendimin e saj, theksoi se GJDBE ka ndjekur një qasje që devijon ndjeshëm nga linja udhërrëfyes e përcaktuar më parë nga BGH, duke mos e zbatuar këtë të fundit. Megjithatë, lind pyetja nëse BGH ndan të njëjtin qëndrim me Gjykatën Rajonale në këtë çështje.

1. Bundesgerichtshof, 9 Janar 202517 Në këtë vendim BGH, duke marrë në konsideratë vendimin e fundit të GJDBE-së dhe BVerfG, arsyetoi se mbledhja e provave nga autoritetet franceze nga përdoruesit e SkyECC nuk shkelte parimet themelore të sundimit të ligjit ose politikën publike evropiane, pasi dyshimi fillestar për krime të lidhura me drogën mbështetej nga sekuestrimi i telefonave SkyECC dhe narkotikëve, analiza e mijëra mesazheve, dhe veprimtaria e dyshimtë e kompanisë. Ndryshe nga çështja
EncroChat ku u përmend mbikëqyrja masive, mbikëqyrja e SkyECC ishte bazuar në dyshime specifike që synonin krimin e organizuar dhe masat ishin proporcionale duke marrë parasysh kontekstin kriminal.

Edhe pse autoritetet franceze nuk njoftuan Gjermaninë siç kërkohej nga Neni 31 i Drejtivës EIO për mbikëqyrjen ndërkufitare, kjo mungesë nuk e pengon përdorimin e provave, sepse interesi i shtetit për hetimin e krimeve serioze është më i rëndësishëm se defektet procedurale.19 Ndonëse autoritetet franceze nuk respektuan njoftimin e detyrueshëm sipas nenit 31 të Direktivës EIO për mbikëqyrjen ndërkufitare, kjo shkelje procedurale nuk e pengon përdorimin e provave nga SkyECC, pasi interesi publik për ndjekjen penale të veprave të rënda si trafikimi i drogës prevalon.

Gjykatat gjermane kanë vlerësuar se transmetimi i këtyre provave ishte në përputhje me nenin 6(1)(b) të Direktivës, se të drejtat e mbrojtjes nuk janë cenuar dhe se të dhënat nuk përfshijnë bërthamën e jetës private. Edhe kur provat merren në mënyrë të paligjshme, sipas jurisprudencës gjermane, nuk ka ndalim absolut për përdorimin e tyre, për sa kohë zbatohet proporcionaliteti dhe respektohen të drejtat themelore.

2. Gjykata Federale Gjermane, 30 Janar 202522 Në këtë çështje BGH morri në shqyrtim ankimin e prokurorisë në lidhje me vendimin e Gjykatës Rajonale të Berlinit, e cila kishte vlerësuar se komunikimet përmes EncroChat ishin prova e vetme që mbështeste akuzat dhe se ato ishin të papërdorshme, duke pamundësuar konkluzione të mëtejshme.23 BGH sqaroi se nuk ekziston asnjë ndalim për përdorimin e të dhënave të EncroChat të transferuara në mënyrë të ligjshme nga Franca në Gjermani nëpërmjet një EIO të vlefshëm, i cili është në përputhje me të drejtën e BE-së dhe Direktivën për EIO.

Në referim të vendimit të GJDBE-së, Gjykata arsyetoi se ligjshmëria e transferimit të të dhënave duhet të vlerësohet mbi bazën e asaj nëse do të kishte qenë e ligjshme në një rast të krahasueshëm vendas në Gjermani në kohën e lëshimit të EIO-së, duke aplikuar një test proporcionaliteti që fokusohet në ndërhyrjet serioze në të drejtat themelore.25 Ndër të tjera, në referim të BVerfG e ka konsideruar kushtetues kufizimin më të rreptë për përdorimin e provave në procedurat që përfshijnë EncroChat.26 Faktori vendimtar është gjendja ligjore në kohën kur të dhënat janë kërkuar, në vitin 2020, veprat penale përfshinin trafik droge të rëndë sipas ligjit gjerman, gjë që e bënte të ligjshëm transferimin e të dhënave.27 Edhe nëse vlerësimet ligjore ndryshojnë gjatë procedurës, të dhënat e përftuara ligjërisht më parë mbeten të pranueshme si prova. Si pasojë, meqenëse i pandehuri u shpall i pafajshëm, çështja duhet të rigjykohet dhe të vendoset në përputhje me qëndrimin ligjor të shprehur nga BGH.

3. Gjykata Federale Gjermane, 13 shkurt 202529 Në një rast të ngjashëm, BGH pranoi ankesën e prokurorisë dhe konstatoi se Gjykata Rajonale kishte gabuar ligjërisht duke përjashtuar të dhënat e EncroChat.30 GH argumentoi se këto të dhëna ishin siguruar ligjërisht nga autoritetet franceze përmes EIO-ve të miratuara nga Gjykata Penale e Lille dhe mund të përdoreshin pa kufizim në procesin penal, në përputhje me nenin 6(1) të Direktivës për EIO.

BGH sqaroi se vlefshmëria e një EIO sipas ligjit gjerman kërkon përmbushjen e dy kritereve: proporcionalitetin e masës hetimore dhe mundësinë që masa të autorizohej në kushte të ngjashme në Gjermani, të dyja kushtet ishin përmbushur për shkak të dyshimit serioz për trafik droge të vërtetuar nga të dhënat e EncroChat32 Sipas nenit 6(1)(b) të Direktivës, nuk kërkohet që provat të përmbushin të njëjtat kushte si mbledhja fillestare, por vetëm që transmetimi të jetë i ligjshëm sipas praktikës kombëtare.

Sipas ligjit gjerman, prokuroria mund të kërkojë dhe përdorë të dhëna edhe pa një të dyshuar konkret, nëse ekziston dyshim i bazuar, si në rastin e trafikut të drogës.34 Përdorimi i të dhënave të EncroChat të mbledhura në Francë u konsiderua i ligjshëm, pasi lidhej me të njëjtën vepër dhe nuk kishte ndryshim qëllimi hetimor.35 Direktiva për EIO synon të lehtësojë bashkëpunimin gjyqësor dhe jo ta ngarkojë me rishqyrtime të panevojshme juridike. Për më tepër, edhe sikur autoritetet gjyqësore franceze të kishin shkelur detyrimin për të informuar sipas nenit 31(1) të Direktivës EIO gjatë përgjimeve ndërkufitare të komunikimit, kjo nuk do ta ndalonte përdorimin e të dhënave të EncroChat, veçanërisht për shkak të veprave serioze të trafikut të drogës dhe faktit që një mbikëqyrje e tillë do të ishte autorizuar edhe sipas procedurës kombëtare në bazë të nenit 100a(2) pika 7 të StPO.36 4. Gjykata Federale Gjermane, Senati i 5-të Penal, 27 mars 2025.

Në ndryshim nga rastet e mëparshme, në këtë çështje ankimi ishte paraqitur nga i dënuari, duke pretenduar shkelje si në aspektin procedural ashtu edhe në atë material nga Gjykata Rajonale e Berlinit.38 Megjithatë, në kuadër të kësaj analize, vëmendja do të përqendrohet vetëm te aspektet procedurale të pretenduara. BGH në shqyrtimin e ankimit hodhi poshtë kundërshtimet procedurale në lidhje me përdorimin e të dhënave nga EncroChat, duke konfirmuar pranueshmërinë e tyre si prova për veprat penale, përfshirë ato që lidhen me kanabisin sipas KCanG, duke iu referuar vendimeve të fundit të BGH-së.39 Në referim të vendimit të GJDBE-së, autoritetet franceze e kanë përmbushur detyrimin e tyre sipas nenit 31(1) të Direktivës EIO duke informuar një autoritet të përshtatshëm gjerman, dhe çdo përcjellje e nevojshme e njoftimeve te autoritetet kompetente bëhet ex officio për të siguruar efektivitetin e direktivës.

Mesazhi i paqartë i llojit SIENA i përmendur nga mbrojtja nuk aktivizonte një detyrim njoftimi as sipas Direktivës EIO dhe as sipas nenit 91g(6) të IAA-së, duke rrëzuar kështu argumentin e ankimit për zbatimin analog të kësaj dispozite.41 Në përgjigje të pyetjes së ngritur për analizë, BGH ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur pretendimet e ngritura nga të pandehurit apo të dënuarit, të cilët kanë kërkuar përjashtimin e provave të tilla me arsyetimin se ato janë marrë në mënyrë të paligjshme apo me shkelje të të drejtave të tyre procedurale. Gjykata ka arsyetuar se, në rastet kur këto komunikime janë përdorur për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra penale serioze, siç janë trafikimi i drogës në sasi të mëdha dhe pjesëmarrja në organizata kriminale, interesi publik për hetimin dhe ndëshkimin e këtyre veprave prevalon mbi mangësitë e mundshme procedurale, veçanërisht nëse të akuzuarit kanë pasur mundësi reale për të ushtruar të drejtën e mbrojtjes dhe për të sfiduar vlefshmërinë e provave në gjykim.

Për më tepër, BGH jo vetëm që ka refuzuar kërkesat për përjashtimin e provave, por ka pranuar edhe ankesat e paraqitura nga prokuroria në rastet kur gjykatat rajonale kanë shpallur të pandehurit të pafajshëm për shkak të provave të pamjaftueshme, duke urdhëruar rikthimin e çështjeve për rigjykim. Në vendime të tilla, BGH është mbështetur jo vetëm në arsyetimet e veta të mëparshme, por edhe në interpretimin e dhënë nga GJDBE në vendimin e datës 30 prill 2024. Në ndryshim nga vendimmarrja dhe arsyetimi i Gjykatës Landgericht Berlin, BGH nuk e konsideron precedentin e vendosur në mars 2022 si të paaplikueshme apo në kundërshtim me interpretimin e dhënë nga GJDBE. Megjithatë, çështja mbetet ende e hapur dhe pritet që BGH të shprehet mbi të, sapo çështja e datës 19 dhjetor 2025, e ankimuar nga prokuroria, të arrijë për shqyrtim pranë kësaj gjykate. Mbetet për t’u parë nëse BGH do të ndjekë linjën e vet të deritanishme mbi precedentët e fundit, apo do të pajtohet me arsyetimin e dhënë nga Gjykata Landgericht Berlin në këtë rast të veçantë.

III. Përfundime: Asnjë kthesë radikale, por betejë juridike e hapur Vendimi i Gjykatës së Berlinit përbën ndoshta një pikë referimi në debatin rreth pranueshmërisë së provave të siguruara përmes sistemeve të komunikimit të enkriptuar si Sky ECC dhe EnkroChat. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se kjo çështje nuk është përmbyllur përfundimisht, pasi vendimi i Gjykatës së Berlinit është ankimuar nga prokuroria dhe pritet shqyrtimi i saj.

5 vendimet e dhëna nga gjykatat më të larta Gjermane që mund ti përdorë SPAK e bëjnë gati të papërdorshëm në gjykatat shqiptare këtë vendim jo përfundimtar të një gjykate rajonale, ndaj gëzimi i subjekteve të dosjeve të mëdha në Shqipëri është i parakohshëm dhe SPAK është ende në kohë të fitojë betejën! Drejtësia moderne penale kërkon analiza të thelluara dhe profesionale. Beteja për Sky ECC nuk ka mbaruar. Qëndroni me ne për të rejat më të fundit nga jurisprudenca evropiane!