IDE, 29 Korrik 2024, 14:21

Të rrojmë e ta kujtojmë Partinë Socialiste!

Të rrojmë e ta kujtojmë Partinë Socialiste!

Vendosa vetëm ta shoh e mos ta dëgjojë fjalën e Kryetarit të Partisë Socialiste. Sado paradoksal të duket ky vendim,  dobia shtesë e cdo fjale të tij, tanimë është zero edhe filozofia e tij e qeverisjes e qartë  "përgjegjësia është personale ose ndryshe  ‘lojtaret bien, por loja ime vazhdon’.

Duke e ndjekur pa zë gjithë vëmendjen time e morrën delegatët, disa prej të cilëve i njoh personalisht. Në marrëdhënie private para një filxhani kafeje apo gote me verë, ato që njoh e vlerësojnë integritetin dhe aftësinë e secilit prej nesh pikërisht  nga ndershmëria  dhe efektiviteti  që gjithkush nga ne mbron dhe shpalos  idetë e tij.

Ndërkohë ato vetë në karriket e pozicioneve publike sillen tërësisht ndryshe. Gatishmëria e tyre "për të tretur" çdo marrëzi si të pranueshme është e dukshme.

Ajo sallë dje ishte e mbushur nga njerëz, shenja kryesore dalluese e të cilëve është  pamundësia (kursesi paaftësia) për të peshuar idetë. Burra e gra mendimi i të cilëve rrotullohet vetëm rreth sigurimit të  një vendi në "klubin e të besuarve të  kryetarit". Njerëz të pushtuar nga  emocionet ku emocioni dominues është frika.  Njerëz "të  braktisur"  njëherë e mirë nga instikti i rebelimit i cili është  themeli i ndërgjegjes së njeriut, burimi i humanizmit të tij dhe mjeti i evolucionit të tij. Përballë këtij pasioni të veçantë për konformitetin, servilizmin, apo frikës  ndaj  risisë dhe origjinalitetit, është e paevitueshme që njerizit  me mendje të fuqishme dhe bindje të forta të largohet gradualisht nga partia .

Partia nuk ka me asnjë mekanizëm balance. Kontributi politik i cili u jepte antarëve të qeverisë ose forumeve drejtuese të partisë një lloj autonomie në mendim nga kryetari nuk përfillet më. Ai është zëvendësuar nga gatishmëria për të vazhduar "lojën" e tij.  Partia Socialiste në peshën e pushtetit ka vdekur edhe është kthyer në një turmë . Në turma nuk ka pikëpamje thelbësore. Pakicat që mendojnë ndryshe "dëbohen" edhe mbijetojnë vetëm  njerëzit joreflektues, të cilët gradualisht shëndrohen në shtyllën kurrizore te autokracisë individualiste .

Ndaj edhe dje i shkrova një senatori të Partisë Socialiste: "Të rrojmë e ta kujtojmë Partinë Socialiste".