IDE, 11 Tetor 2025, 13:49

Shyqyr që jemi ndryshe

Shyqyr që jemi ndryshe

Jo pak kolegë gazetarë që kaluan kufirin me Serbinë përveçse dhe publikisht, më marrin në telefon dhe tregojnë me zemërim se si u kontrolluan fije për fije nga policia serbe deri dhe në trup, sesi u mbajtën 4 orë, etj etj duke dalë në konkluzionin se kështu duhet t'ia bëjmë dhe ne gazetarëve serbë kur vijnë në Shqipëri, kështu duhet të sillet dhe policia jonë, për të vazhduar që nuk kemi shtet, etj. etj.

O Zot shyqyr që jemi ndryshe! E them fare hapur dhe merreni 'n'daç për ters n'daç jo', më mirë pranoj një polic që të merr dhe ndonjë paketë cigare kur kalon kufirin se një polic që me urdher të pashkruar të mban në shenjë represioni me orë të tëra kot e më kot...

Dy herë më shumë shyqyr që jemi ndryshe!
Dhe kur vijnë shqiptarë nga Beogradi me xhama të thyera makinash, ndërsa në Tiranë serbëve jo vetëm nuk i preket fija flokut, madje me ndonjë kioskë periferike në Tiranë kapin dhe ndonjë Lepa Brena në sfond...Trefish shyqyr që jemi ndryshe! Nuk kam qenë ndonjëherë më shumë krenar në jetën time kur një misioni faktmbledhës në Kosovë, projekt i Kombeve te Bashkuara bashkë dhe me 7 gazetarë të tjerë ndërkombëtarë, futën në raport final fjalinë e artë: UÇK ndryshe nga serbët në çdo situatë sado të ndërlikuar lufte nuk preknin gra dhe femijë...E shikon be vlla sa mirë që jemi ndryshe! Kujtoj pas viteve '90 një grup patriotësh e shqiptarët të vërtetë që tentuan të bënin në Akademinë e Shkencave një kundërprojekt "Cubrilloviq" ...nuk u realizua...pati dhe shkrime që UDB financoi për mos t'u bërë...Po qe e vërtetë, i them me plot gojën Faleminderit UDB!

100 herë be vlla shyqyr që jemi ndryshe!
1000 herë shyqyr që jemi ndryshe!
PS: Dhe diçka..stop presionit që i bëni këmbëve të futbollistëve duke i varur në këmbë si gjyle folklorikisht, asimetrikisht dhe padrejtësisht gjakun e Adem Jasharit, UÇK, nënat me barkun e çarë etj etj. LËRENI ALBININ TA BËJË KËTË PUNË. Jam i sigurt se dhe po të ishte gjallë Çerciz Topulli do thoshte shkurt dhe shqip; me turqit merrem vetë, lërini djemtë e mij të luajnë futboll!