IDE, 15 Nëntor 2023, 16:48

Satrap Rama dhe çështja e refugjatëve

Satrap Rama dhe çështja e refugjatëve
Kryeministrat Rama dhe Meloni, pas nënshkrimit të marrëveshjes për kampet e refugjatëve në Shqipëri

Mbas tetë ditësh, pasi nuk la televizion italian pa përdorur për të informuar publikun e vendit fqinj për marrëveshjen me Melonin për refugjatët, Edi Rama, me detyrë formale kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe me funksion satrap i çdo faktori të jashtëm e të brendshëm që ka nevojë për shërbime të pahijshme, zgjodhi të flasë shqip për popullin shqiptar. E tradhtoi pak goja kur e quajti Shqipërinë, gjeografikisht (gjeopolitikisht?), rajon të Italisë dhe pastaj nisi të thurë mjegullën e të pavërtetave, çerek të vërtetave dhe lajthitjeve hermeneutike për të mbrojtur të pambrojtshmen: poshtërimin e Shqipërisë si shtet, shkeljen e të drejtës ndërkombëtare dhe nëpërkëmbjen e të drejtave të refugjatëve.

Mbrëmë Edi Rama u mburr se Republika e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë përgjegjësi të drejtpërdrejtë se çfarë ndodh me refugjatët dhe çfarë veprimesh kryejnë nëpunësit e shtetit italian në territorin sovran të Republikës së Shqipërisë. Me këtë batutë prej matrapazi të vogël, ai lau duart me një problem të madh: ekstraterritorialitetin. Parimi i ekstraterritorialitetit është sa një mbetje e logjikës mesjetare, ku feudali nuk kontrollonte territorin, por bujkrobin e tij edhe jashtë tokave të tij, aq edhe një domosdoshmëri e rregullimit të marrëdhënieve diplomatike midis shteteve. Ky parim – ku qytetarët e një shteti nuk i përgjigjen ligjit të vendit bujtës – vlen për ambasadat, diplomatët, organizatat ndërkombëtare (p.sh. selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork), bazat ushtarake që vijnë si rezultat i anëtarësimit në traktate të mbrojtjes reciproke dhe në pak raste edhe varrezat apo monumente që lidhen me ngjarje madhore si Lufta e Parë apo e Dytë Botërore. Në asnjë rast, deri më sot, askush nuk e ka ushtruar parimin e ekstraterritorialitetit për menaxhimin e flukseve të refugjatëve. Të vetmet raste të ngjashme në histori janë kapitulacionet që fuqitë e mëdha evropiane ua impononin perandorive në rrënim e sipër si ajo Osmane apo Kina në shekujt XIX dhe XX.

Rama na siguroi që praktikisht nëpunësit e shtetit shqiptar nuk do të kenë thuajse asgjë për të bërë pasi për gjithçka do të kujdeset shteti, administrata dhe policia italiane. Mirëpo nëse lexon se çfarë shkruhet në shtypin italian, e kupton që Italia nuk ia arrin të mbikëqyrë siç duhet as kampet e refugjatëve që ngrihen në vetë territorin italian. Sipas gazetës La Reppublica, sindikata e policisë në Itali ankohet se tashmë policia italiane nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar CPR (qendrat për riatdhesimin e emigrantëve): “Për të administruar një CPR prej 150-200 vetësh duhen 100 policë në ditë. Ku t’i gjejmë?! Me organikën e pamjaftueshme që kemi, do të na duhet t’i largojmë forcat nga qytetet për t’i çuar drejt kampeve.”

(1) Në këtë buzë-gremine që gjendet Italia në mbikëqyrjen e refugjatëve në Itali, kush do ta marrë de facto detyrën e saj? Policia dhe ushtria shqiptare, edhe më të pamjaftueshëm në numër, mjaft më të papërgatitur në këtë punë, më të korruptueshëm dhe të afërt me grupet e krimit të organizuar. Çka do të ndodhë, sipas të gjitha gjasave, është që refugjatët e degdisur në Shqipëri do të largohen thuajse menjëherë nga kampet, duke pasuruar edhe më grupet e trafikantëve shqiptarë.

Tjetër problem i menaxhimit të refugjatëve rrjedh nga fakti se Italia nuk ka marrëveshje riatdhesimi me shumicën dërrmuese të vendeve nga ku vijnë refugjatët. Marrëveshje të tilla ekzistojnë vetëm me Shqipërinë, Tunizinë, Egjiptin, Marokun dhe Nigerinë, por sipas shtypit italian praktikisht vetëm Tunizia i pret shtetasit tunizianë që dëbohen nga Italia. Të gjithë refugjatët e tjerë, duke mos pasur ku të shkojnë, pas përfundimit të afateve të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil, lihen të lirë nëpër Itali edhe kur nuk u është dhënë e drejta e azilit. Kjo shpjegon faktin se Italia dhe BE në përgjithësi ia dalin të dëbojnë nga territori i tyre vetëm rreth 20% të refugjatëve që marrin vendimin për t’u dëbuar.

(2) Meqenëse gjasat janë që thuajse të gjithë refugjatët që do të sillen në Shqipëri do të marrin vendimin e dëbimit, në fund të procesit disamujor të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil, ata do të lihen të lirë në... Shqipëri. Kështu që më të duruarit mes tyre, që nuk janë arratisur që ditën e dytë nga kampi, do të kenë mundësi të dalin nga kampi, të kontaktojnë vetë grupet e trafikantëve dhe të rinisen për në Bashkimin Evropian, tashmë jo nga deti por nga toka, jo për në apo nëpërmjet Italisë, po përmes Kroacisë ose Hungarisë për të vazhduar më pas drejt vendeve të Evropës veriore. Ku ishim? Asgjëkundi. Thjesht i siguruam Meloni-t të “shpëtojë” nga refugjatët për t’ia kaluar një shteti tjetër të BE.

Prapëseprapë satrap Rama, kësaj here i kryeministres postfashiste të Italisë, ngul këmbë se Shqipëria i ka një borxh të pashlyeshëm Italisë dhe se Italia kurrë nuk i ka kërkuar asgjë Shqipërisë. Përveçse injorant në histori – që kujton se në histori marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë kanë qenë gjithnjë Sorrisi e Canzoni – Rama harron se Shqipëria e ka bërë të vetën me kohë jo vetëm me Italinë, por edhe me Britaninë e Madhe kur vjen puna te refugjatët. Shqipëria vazhdon të jetë vend nga ku qytetarët ikin në masë, shumë syresh kërkojnë azil apo tentojnë të punojnë në të zezë në vendet e Bashkimit Evropian. Shqipëria, për fatin e keq të refugjatëve shqiptarë, ka nënshkruar edhe me Italinë, edhe me Britaninë marrëveshje të riatdhesimit të refugjatëve që nuk përfitojnë azil. Marrëveshja e 2021 me Britaninë e Madhe, ku kjo e fundit, pavarësisht kritikave të organizatave të mbrojtjes së refugjatëve, e konsideron Shqipërinë vend të sigurt, është një lajm i keq për shqiptarët që kërkojnë azil për shkak të persekutimit nga aktorë joshtetërorë si krimi i organizuar, gjakmarrja, dhuna gjinore, përkatësia seksuale etj., ndërkohë që shteti shqiptar nuk i mbron dot.

(3-4) Sipas burimeve të qeverisë britanike, në vitin 2022 në Shqipëri janë riatdhesuar 1888 refugjatë shqiptarë, gjysma e të cilëve janë forcërisht.

(5) Jo vetëm kaq, por Shqipëria ka marrë përsipër që në vendin tonë të riatdhesohen jo vetëm emigrantët e paligjshëm shqiptarë, por gjithkush që ka kaluar nëpërmjet Shqipërisë për të arritur në vendet e mësipërme. Pra Shqipëria ka bërë, edhe më shumë se ç’duhet të bënte, për t’u ardhur në ndihmë vendeve që qeverisen nga parti që i nënçmojnë refugjatët ose janë nën ndikimin e pjesës ksenofobe e raciste të opinionit të tyre publik.

Po satrap Rama do të japë më shumë sepse për të nuk ka rëndësi se çfarë kërkohet, por vetëm se kush ia kërkon. E në këtë rast po cenon dinjitetin e shtetit shqiptar dhe të drejtën ndërkombëtare për t’u rënë në qafë të mjerëve të kësaj bote që arratisen nga vendet e tyre për një jetë më të sigurt e të mirë. Përpara pak muajsh Gjykata e Apelit në Britaninë e Madhe hodhi poshtë marrëveshjen midis qeverisë së kësaj të fundit dhe Ruandës të vitit 2022 për ndërtimin e kampeve të refugjatëve në Ruanda, ku do të strehohen azilkërkuesit që do të zbarkojnë në Britaninë e Madhe.

(6-7) Argumentet që përdori ishin dy: Ruanda nuk është vend i sigurt, pasi nuk ka një vendim të shtetit britanik që e njeh si të tillë, duke shkelur rrjedhimisht Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe refugjatët/azilkërkuesit nuk kanë asnjë lidhje me Ruandën, duke shkelur kësisoj të drejtën e Bashkimit Evropian. Pjesa e dytë e këtij vendimi hedh dritë edhe mbi paligjshmërinë ndërkombëtare të marrëveshjes Meloni-Rama. Refugjatët që do të zhvendosen në Shqipëri nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, nuk janë nisur për në Shqipëri dhe nuk kanë kaluar nga Shqipëria përpara se të kërkojnë azil në Itali. Prandaj zhvendosja e tyre me forcë drejt Shqipërisë është edhe e paligjshme, edhe kërcënim i mundshëm të respektimin e të drejtave të tyre.
Më gjerësisht, marrëveshje të tilla diskriminuese, por pa skandalin e ekstraterritorialitetit, janë nënshkruar në fare pak raste midis një vendi të zhvilluar dhe demokratik dhe një vendi të pazhvilluar, me deficite të mëdha demokratike dhe/ose në raporte varësie me të parin. E tillë është edhe marrëveshja e dështuar midis Britanisë së Madhe dhe Ruandës, marrëveshja midis Bashkimit Evropian dhe Tunizisë, marrëveshja midis Italisë dhe Libisë, marrëveshja midis Australisë dhe mikroshtetit të Naraut dhe tani së fundmi marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë.

(8-9) Siç shihet, Shqipëria nuk është në shoqëri të mirë. Ndoshta rasti më i ngjashëm me tonin është marrëveshja e përpara nëntë viteve midis Australisë dhe shtetthit të Naraut, ishull me 10.000 banorë, për të degdisur e mbajtur në atë vend pambarimisht azilkërkuesit që i drejtohen Australisë. Narau, të cilin dora në zemër nuk e njihja as si emër përpara se të interesohesha për këtë çështje, konsiderohet si shtet de facto nën hyqmin e Australisë, fund e krye i korruptuar dhe pa ndofarë sovraniteti substancial. Në të, refugjatëve u shkelen të drejtat elementare, aq sa prej vitesh Zelanda e Re është orvatur të shpëtojë disa syresh duke i kërkuar Australisë t’i sjellë në Zelandë për t’u dhënë kjo e fundit azil.

(10) Më në fund Australia cedoi, por edhe Zelanda e Re nuk ka marrë përsipër të shpëtojë më shumë se 150 syresh në vit për një proces që do të zgjasë maksimumi tre vjet.

(11) Të gjitha këto tentativa bëhen për një arsye të thjeshtë: Vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian duan ta frenojnë me çdo kusht emigrimin e paligjshëm, pa marrë në konsideratë as përgjegjësitë e tyre historike ndaj vendeve prej ku nisen emigrantët (rëndom ish-koloni të shteteve të mësipërme), as të drejtat e refugjatëve që njihen nga konventat ndërkombëtare. Disa syresh, si qeveria e Giorgia Meloni-t, e kanë në racizmin dhe ksenofobinë shtyllë kurrizore të historisë, ideologjisë dhe përkatësisë së tyre politike. Të tjera qeveri, për shembull e Gjermanisë, ndjejnë presionin e fortë të partive ksenofobe si AFD dhe po orvaten ta nënkontraktojnë kudo ku munden menaxhimin e çështjes së refugjatëve. Ata duan të përdorin forcën e “deterrentit”, d.m.th. të shkurajimit përmes kërcënimit të emigrantëve se në vend të ëndrrës së tyre evropiane do të përfundojnë në zhgjëndrrën e një vendi shumë të ngjashëm me atë nga i cili janë arratisur. Pra Italia sot, dhe kushedi sa vende të tjera të BE nesër, do t’u thonë të mjerëve të Afrikës dhe kontinenteve të tjera: “Mos guxoni të niseni me gomone se do të përfundoni në Shqipëri!!!” A ka më turp për shtetin shqiptar që të bëhet pjesë e një shantazhi e vetëposhtërimi të tillë?!
Ky turp bëhet edhe më i padurueshëm pikërisht për shkak se prej 1991 shqiptarët janë ndër popujt me numër më të lartë emigrantësh, krahasuar me popullsinë. Prej vitit 2010 nga Shqipëria janë larguar rreth 700.000 qytetarë, ndërkohë që anketimet e fundit tregojnë se 42 e qytetarëve që jetojnë sot në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë.

(12) “Kur afrikanët ishim ne” – e nis me të drejtë ligjëratën Rama, pa kuptuar rrjedhojat e kësaj premise. Pikërisht se prej 1991 e këtej edhe ne, shqiptarët, jemi apo trajtohemi si “afrikanë”, borxhin moral nuk ia kemi Italisë, por shumësisë së të mjerëve të kësaj bote. Imagjinoni sikur më 1991 në vend se anijet e nisura nga Durrësi të ankoroheshin në Bari, shteti italian i kohës t’i degdiste shqiptarët në Tunizi apo Libi! Pikërisht se ne kemi vuajtur dhe vazhdojmë të vuajmë nga shkaqet dhe pasojat e emigrimit masiv, pikërisht se kemi duruar mbi shpinë plumbin e ushtarit e shkopin e policit, trajtimin si bagëti në stadiume, çarjen në dysh të anijes, shpimin e gomones dhe kemi përfunduar ushqim për peshqit, për të gjitha këto, ne, populli shqiptar dhe, nëpërmjet nesh shteti shqiptar, kemi përgjegjësi ndaj të drejtave të emigrantëve. Ndoshta nuk i ndihmojmë dot në hallin e tyre, por e kemi detyrë morale të mos bëhemi instrument i shkeljes së të drejtave dhe shkatërrimit të aspiratave të tyre për një jetë më të mirë.


Prandaj kundërshtia jonë ndaj paktit Meloni-Rama nuk mund dhe nuk duhet të bjerë në batakun e racizmit dhe ksenofobisë. Përndryshe i japim grabitqarit tonë dhe shkelësit të të drejtave të emigrantëve mundësinë të shfaqet publikisht si ithtar i përparimit dhe antiracizmit. Të bëjë sikur indinjohet nga memet që theksojnë ngjyrën e lëkurës, a thua se nuk është i partisë së vet hajvani në krye të Bashkisë së Lezhës që ka hapur konkurs për meme me afrikanë. Satrap Rama dhe llumi racist i studiove televizive e adresave të rreme në rrjetet sociale janë dy faqet e të njëjtës medalje, kinse antagoniste, por që në fakt ushqejnë njëra-tjetrën. Rama u jep ushqim për paragjykimet e tyre, kurse ata i ngrenë podiumin e udhëheqësit përparimtar e kozmopolit, a thua se nuk ka karakterin e një hajduti pulash.

***

Mes studiuesve shoqërorë ka debate të rëndësishme mbi impaktin e refugjatëve në ekonominë dhe shoqëritë e vendeve pritëse. Shumë syresh, të pandikuar nga alarmizmi i ekstremit të djathtë, vënë në dukje se ekonomitë e vendeve të zhvilluara kanë nevojë të përtërihen nga një forcë e re punëtore. Po ashtu kapitalizmi neoliberal e fragmenton strukturën ekonomike dhe forcën punëtore, duke krijuar vende pune 3-D (dirty, degrading, dangerous – të pista, degraduese, të rrezikshme) që mund të kryhen posaçërisht nga emigrantët. Prapëseprapë, këta të fundit, duke u nisur nga shoqëri ku kushtet e punës janë edhe më të këqija, pagat jashtëzakonisht të ulëta dhe mbrojtja në punë thuajse inekzistente (siç ndodh edhe në Shqipëri) janë të gatshëm të pranojnë vende të tilla pune. Përmes remitancave, pastaj, ata kthejnë mbrapsht në vendin e origjinës shumë më tepër të ardhura nga ç’përfitojnë ato vende prej granteve apo investimeve të vendeve të zhvilluara, duke balancuar disi këmbimin e pabarabartë dhe rrjedhjen e fuqisë punëtore drejt Perëndimit.

(13) Ashtu sikundër, ka të tjerë autorë që theksojnë se, pavarësisht remitancave, emigrimi gjymton shoqëritë nga ku nisen fuqia punëtore më vitale dhe më e kualifikuar, duke prodhuar për shoqërinë pritëse më shumë vlerë nga ç’marrin punëtorët emigrantë si pagë dhe dënuar vendet e periferisë me nënzhvillim permanent. (14) Sidoqoftë, cilado logjikë e shqyrtimit të çështjes së emigracionit përfshin një vend të varfër nga ku nisen emigrantët dhe një vend të zhvilluar ku ata bujtin për të punuar. Në asnjë rast nuk mund të mendohet për efekte pozitive ekonomike apo sociale aty ku emigrantët nisen nga një vend i varfër dhe degdisen forcërisht në një vend po ashtu të varfër, pa një strukturë ekonomike që mund t’i absorbojë dhe pa një shtet me kapacitete pritëse dhe integruese.

Burime:
1. https://www.repubblica.it/.../emergenza_migranti.../....

2. https://www.washingtonpost.com/.../c9324ca8-e684-11ed...

3. https://assets.publishing.service.gov.uk/.../CS_Albania_2...

4. https://miclu.org/blog/is-albania-a-safe-country...

5. https://www.gov.uk/.../milestone-reached-in-uk-albania...

6. https://www.judiciary.uk/.../AAA-v-SSHD-summary-290623.pdf

7. https://lordslibrary.parliament.uk/uk-rwanda-asylum.../

8. https://www.theguardian.com/.../what-is-the-controversy...

9. https://www.msf.org/italy-libya-agreement-five-years-eu...

10. https://www.immigration.govt.nz/.../new-zealand-australia...

11. https://www.refugeecouncil.org.au/australians-welcome.../


12. https://www.monitor.al/alarmi-i-emigracionit-lufta-e.../


13. https://www.migrationpolicy.org/.../europe-migration...


14. https://www.intechopen.com/chapters/85713