IDE, 12 Shkurt 2023, 14:21

Revolucioni duhet të nisë nga opozita!

Revolucioni duhet të nisë nga opozita!

Ngjarjet e fundit politike, sidomos protesta e së shtunës e thirrur para selisë së qeverisë, po na shfaqin rrëpirën degraduese në të cilën po shkon me koshiencë opozita në Shqipëri prej një dekade. Pjesëmarrja e pakët në këtë protestë tregon se besueshmëria te alternativa e opozitës po tkurret në vijimësi. Shkaqet janë të shumta, por më kryesoret janë mungesa e një fryme, e cila duhet të ketë në brendësi të saj ndryshimin e pritshëm nga qeverisja aktuale e përfshirë në shumë skandale dhe për më tepër besueshmërinë e njerëzve që pretendojnë të përfaqësojnë këtë ndryshim.

Tanimë gjithnjë e më shumë zhvillimet po provojnë se njerëzit e konsumuar të opozitës, nuk prodhojnë dot asgjë më shumë se ripërsëritjen e vetes. Të njëjtat fytyra, sjellje e fjalime. Edhe ata protagonistë të rinj të angazhuar dhe dalë në skenë imitojnë të modelin e vjetër dhe kryesisht janë kopje të dështuara të këtij modeli. Asgjë e re për veshët dhe sytë e shqiptarëve. Të njëjtat akuza e premtime. Denoncime dhe fakte reale por nga njerëz të pabesueshëm dhe shpesh të dyshuar si të implikuar vetë në të shkuarën në skandale. Retorikë që mbështetet në kërcënime të dëgjuara edhe më parë dhe që janë në disproporcion me rolin që politika ka në shoqëri.

Pretencat publike për ndëshkimin e Edi Ramës përveç se të pabesueshme, po krijojnë efektin e kundërt në publik. Njerëzit duan të dëgjojnë alternativa për një qeverisje ndryshe, për një pushtet të përulur, dhe jo hipokrit dhe jo pretenca që i takojnë drejtësisë. Njerëzit kanë nevojë për një qeverisje pa propagandën e gënjeshtërt dhe pa prepotencën e paaftësisë dhe nepotizmit. Pikërisht këto teza aq shumë të dëshiruara e të pritshme nga shqiptarët, opozita si ofron dot, sepse i ka djegur në vazhdimësi mundësitë e saj, me shterpësinë e shfaqur.

Kjo opozitë e sotme është larguar nga pushteti me 1 milion vota 10 vite më parë dhe nuk mund të rikthehet në pushtet vetëm me retorikën se shqiptarët mund të jenë mërzitur me një qeveri që i vjedh dhe po ndryshojnë votë, se ndoshta ata që i vidhnin dje s'do t'i vjedhin nesër. Të mendosh se njerëzit janë budallenj është një miopi e thellë politike. Varfëria mund t'i manipulojë mendjet e hallexhinjve, por nuk i bën dot për budallenj ata. Ndaj opozita duhet të ndryshojë regjistër dhe kurs, pasi nuk po gënjen njerëzit që i duhen përtej militantëve, por po gënjen veten dhe mbështetësit e saj.

Thënë ndryshe opozita duhet të përfshihet vetë në një revolucion të fortë e të thellë brenda vetes, për t'u bërë realisht një alternativë për shqiptarët. Për këtë ka shumë pak kohë dhe pak mundësi. Kjo për shkak se besueshmëria e opozitës dhe veçanërisht e PD, është dëmtuar thellë kryesisht nga axhenda e ndjekur prej Sali Berishës, njeriu që e tjetërsoi dhe formësoi sipas interesave të tij misionin politik të saj. Nëse demokratët nuk kuptojnë këtë moment tejet delikat, ata po shkojnë në vetasgjësim dhe po dëmtojnë rëndë misionin e opozitës si institucion funksional dhe jetik për demokracinë.

Legjenda se pa Berishën nuk mund të ketë opozitë duhet të bjerë. Mirë do të ishte që i pari ta pranojë këtë realitet dhe nevojë gjithashtu vetë Berisha. Sa më parë ai të vendosë të mbyllë aventurën e vet politike, aq më shumë rriten shanset e mbijetesës e një ripërtëritjeje të PD. Sa më shumë ai e zgjat këtë proces, aq më shumë rriten shanset e shpërbërjes përfundimtare të saj dhe për rrjedhojë edhe të opozitës aktuale në Shqipëri.

Largimi i Berishës do të duhej dhe duhet të shoqërohet me një rifreskim total të PD. Së pari duke u hapur si parti dhe së dyti për rikthimin e një gare të pandikuar e të paminipuluar si ato që ndodhin e pranohen si normalitet tanimë në PD. Në atë parti ka më shumë njerëz që vegjetojnë sesa kontribuojnë. Përballë një organizmi thuajse absolut të PS në mënyrë kapilare, PD shfaqet e përçarë dhe struktura të hallakatura.

Në këtë situatë që është opozita, Edi Ramën nuk e rrëzon dot, as mot, pra as në këto zgjedhje lokale dhe as në ato politike të 2025-ës. Ndaj, e vetmja mundësi dhe veprim i zgjuar, do të ishte fillimi i një procesi për ta çliruar këtë forcë politike nga "pengmarrja" për interesa shumë më të vogla se interesat madhore të vendit, që do një opozitë të fortë e dinjitoze, sikurse do ajo pjesë e shqiptarëve, që nuk duan qeverisjen dhe të qeverisen nga Edi Rama. Po ka nevojë për një revolucion dhe ai duhet të nisë fillimisht nga opozita.

Një opozitë e re dhe e vërtetë është përgjigjja e nevojshme për realitetin social e politik në Shqipëri, pas 33 vjetësh dështim për të ndërtuar realisht atë që quhet demokraci!