IDE, 6 Qershor 2022, 18:29

O Zot, bëje ëndërr!

O Zot, bëje ëndërr!

Me konsekuencë kam refuzuar javët e fundit të komentoj mbi çdo person të përfolur si kandidat për President të Republikës Insistimit të gazetarëve u jam përgjigjur se është shumë më e rëndësishme të kemi procesin politik të duhur për këtë zgjedhje, çka fatkeqësisht nuk e patëm. Sa për personin konkret u thosha se druajtja ime ishte se Rama do ta nxirrte emrin e përveçëm njëlloj si prestigjiatori në cirk nxjerr lepurin nga cilindri: cilido qoftë emri do të kemi një President të dëgjueshëm ndaj këtij Kryeministri; ndryshe nga dy presidentët e fundit.

Emri i personit u shpall e jo të paktë ishin ata komentatorët pozitivë, të cilët evokuan etosin ushtarak, si cilësi garantuese e një Presidenti të mirë. Madje, sollën si shembull edhe dy presidentë në të shkuarën, Moisiun e Nishanin (ndjesë pastë!), të cilët kishin formim ushtarak. Duke harruar se këta të fundit kishin përvojë politike dhe kishin shërbyer edhe si ministër.

MBI BAZAT, ANIJET E HELIKOPTERËT

Si rregull, një President të zgjedhur nuk lipset ta paragjykojmë sesi ai do të sillet e veprojë në ofiq. Megjithatë, besimi te njeriu lipset të mbështetet edhe në një themel empiriko-racional. Në këtë sens vlen të këqyrim shkurt situatën në Forcat e Armatosura.

Për zhvatjen e bazave detare në favor të bizneseve pranë qeverisë kam shkruar gjerësisht në vitet e shkuara. Më vjen mirë që edhe gazetarë investigativë, disa syresh me financim indirekt të aleatëve, i kanë hulumtuar në detaj këto skandale; madje ndonjë ka marrë çmim nga organizata ndërkombëtare pikërisht për këtë punë. Po ashtu ka pasur kallëzime penale nga ushtarakë të ndërgjegjshëm.

Thelbi është se me degradimin e bazave të Forcës Detare ulet aftësia e mbrojtjes kombëtare si dhe kapaciteti për operacione kërkim-shpëtimi në pjesën e Adriatikut e të Jonit që është përgjegjësi e shtetit shqiptar. Helikopterët “Cougar”, të blerë në Francë në v. 2011, për Forcën Ajrore dhe anijet e klasit “Iliria”, të blera në Holandë në v. 2008, për Rojën Bregdetare, janë dy investimet kryesore për modernizimin e Forcave të Armatosura në këtë shekull.

Megjithatë, helikopterët janë jofunksionalë siç e pamë vjet në verë kur plasën zjarret në pyje apo edhe një muaj më parë kur për të shpëtuar një polic të aksidentuar në Dukagjin u thirr në ndihmë një helikopter i KFOR-it nga Kosova.

Po kështu, është gjendja edhe me anijet “Iliria”, megjithëse më pak e shfaqur në radarin e publikut. Ato janë prej kohësh të ankoruara e të pamundura për detyra të vështira. Njëra syresh, pjesëmarrëse në misionin e NATO-s në detin Egje në v. 2019, pësoi avari e bllokua në mes të detit sepse ju fikën dy gjeneratorët. Shkaku ishte se ju kishin mbaruar orët e punës (!!!).

Problem për helikopterët e anijet është shërbimi mirëmbajtjes që vuan nga inkompetenca, abuzimi e korrupsioni. Qeveria rilindiste ka heshtur për këto skandale. Vetëm së fundmi përballë një interpelance shteruese të një deputeti opozitar, ministri i Mbrojtjes paraqiti një justifikim hileqar: “Unë nuk kam firmosur në asnjë rast që privatët të marrin trojet e bazave”, por nëse ka ndodhur më parë “kini parasysh se Shqipëria ka nevojë për zhvillim”. Edi Rama ditën e votimit për Presidentin foli për herë të parë për skandalin duke e quajtur të paqenë. Këto kallëzime e denoncime “te ne janë sport kombëtar” tha ai. Ndryshe nga ministri aktual, Kryeministri ka nënshkruar VKM për zhvatjen e disa nga bazave detare.

Për situatën me helikopterët e anijet nuk kam dëgjuar ndonjë shpjegim nga qeveria. Për të tëra këto skandale përgjegjësi direkte mban aparati civil i dikasterit me në krye ministrin e Mbrojtjes. Por sipas ligjit përgjegjësia bie edhe mbi Shtabin e Përgjithshëm dhe shefin e tij. Disa nga nënshkrimet me ngarkesë të qartë penale janë të ish-Shefit të Shtabit deri në v. 2020. Ai u bë më pas deputet me imunitet i partisë në pushtet. Por të kthehemi në çështjen tonë, të gjeneralit Begaj, Shef i Shtabit të Përgjithshëm që nga korriku 2020. Veprimet e mosveprimet e tij në asnjë mënyrë nuk dëshmojnë synim e vullnet për të pastruar “haurin e Augjisë”, që ai gjeti kur mori ofiqin. Madje, në ndonjë rast duket se e ka ngarkuar veten jo vetëm me përgjegjësi morale e civile, por edhe me atë penale. Si për shembull me bazat detare.

Për mua kaq do të mjaftonte për ta skualifikuar nga lista e kandidatëve për President. Për ata që do të mendojnë se të jesh kësisoj qibar në regjimin e Ramës është ekzagjerim do t’u thosha se gabojnë.

Sa më lart është shumë më e rëndë se problemi formalisto-ligjor i kandidimit të një ushtaraku aktiv. Ne nuk ka pse të druhemi nga puçet e Turqisë, Greqisë apo Amerikës Latine në shekullin e kaluar. Por duhet të shqetësohemi nga superkapja e shtetit nga partia në pushtet. Kësaj nuk i ka shpëtuar edhe ushtria. Që në pranverë 2014, gjeneral Bazo, asokohe shef shtabi i emëruar rishtas deklaroi se nuk ekzistonin avionët e vegjël që çonin kanabis në Itali.

Megjithë provat e dukshme për to. Madje, këtë e deklaroi në emër të NATO-s ndërsa de fakto fliste në këmbë të ministrit Saimir Tahiri. Shembuj të ngjashëm fatkeqësisht ka më tej dhe me to duhet të merret dikush. Por të paktën individë problematikë që kontrastojnë me ushtarakun e karrierës së merituar të mos katapultohen në krye të shtetit.

MBI MIRËSJELLJEN, PRESIDENTIN E ËNDRRËN

Komentatorët rekomandojnë edhe një gjuhë me respekt ndaj kreut të shtetit dhe nuk mirëpritën referimin e përgjegjësive morale, civile e penale të gjeneralit. Në fakt, ato u paraqitën ndaj kandidatit. Por vërejtja e gjuhës është me vend. Fatkeqësisht, Kryeministri i tri mandateve nuk ka qenë model. Fyerjet e qesëndisjet publike ndaj kreut të shtetit kanë qenë të panumërta nga ana e tij. Dikush mund të më quajë të njëanshëm meqë nuk them gjë për cilësimin “Horr bulevardi” të Kryeministrit të mëparshëm.

Nuk është tamam kështu! Ky epitet u tha në kontekstin e një sulmi të dhunshëm ndaj rendit publik e kushtetues. Fyerjet e qesënditë e Ramës kanë qenë reagime ndaj përpjekjeve të Nishanit e Metës për të mbrojtur Kushtetutën e interesin publik. Duke iu kundërvënë një ekzekutivi ekspansiv e abuziv. A do të kemi përsëri një President të tillë. “O Zot, bëje ëndërr!”. thuhet në një anekdotë folklorike.

* Ish-ministër e deputet