IDE, 11 Maj 2025, 14:08

Mrekullia e (pa)prekshme e votës së lirë

Mrekullia e (pa)prekshme e votës së lirë

Sapo votova. Pasi kërkova pak sekonda online se çfarë numri rendor jam, gjeta sallën te gjimnazi “Qemal Stafa”, dorëzova ID-në, vendosa gishtin e madh te aparatura, markova të njëjtin gisht me bojë dhe, pasi prita 5 minuta që dy zonja të orientoheshin me mënyrën e votimit, shkova te njëra prej tyre, gjeta partinë, kandidatin, konfirmova votimin dhe me kaq unë mbarova votimin elektronik te njësia 10. Për pak minuta votova dhe dola pasi u urova suksese anëtarëve të komisionit.

Kjo është mrekullia vota e lirë. Që për fat të keq nuk është e të gjithëve që sot kanë detyrimin dhe dëshirën për të votuar.

Raportimet e shumta nëpër rrethe janë trishtuese: pengim të votuesve, intimidim, presion i hapur, apo urdhëra për të votuar këtë apo atë parti dhe kandidat, rrahje mes familjarëve të kandidatëve dhe kandidatëve të krahut tjetër, me dyshimet për blerje votash me shuka parash dhe tollonash nafte.

Shqipëria 2025 nuk ndryshon shumë nga ajo e vitit 2021, 2017, 2013…1996.

Prej atëherë është shembur institucioni i votës së lirë, shndërrimi i këtyre proceseve nga festa të demokracisë në masakra elektorale, ku partitë, të paafta të fitojnë me verdiktin e zgjedhësve, u impohohen atyre me vendin e punës, bukën e gojës, të ardhmen e fëmijëve.

Por nëse atëherë kjo bëhej halldupçe, duke mbushur kutitë me vota, gati dy herë më shumë se numri i votuesve, të majtët e kanë perfeksionuar mekanizmin. I nisin në heshtje, përmes patronazhimit, sigurimit të votës duke biseduar me njerëzit, duke i “markuar” dhe duke llogaritur deri në detaje, se kush voton kë, që, përveç administratës dhe familjarëve të tyre, pse të mos kenë edhe votën e të afërmve të tyre që këtë herë votojnë edhe nga dispora. Dhe pastaj del në skenë pjesa tjetër, tufa blerësish të votave që vërtiten lagjeve në lista votuesish, të dhëna personale, ID, shuka me lekë, siç po kapen dhe siç ka ndodhur më parë.

Nëse jemi këtu, në këtë ditë kur festa kthehet në tragjedi, gishti tregues dhe akuzues drejtohet, përveç të politika, edhe të drejtësia.

Këto që po ndodhin sot nuk janë ndryshe nga dosja 184 e Dibrës, vrasja e majit 2021 e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, apo kapja me materiale zgjedhore dhe lekë për të blerë votat në Maqellarë 2021, si sot.

Drejtësia, si Prokuroria ashtu edhe SPAK, i falën atëherë këto krime të rënda zgjedhore, edhe pse Kodi Penal parashikon burg. E bënë ping-pong hetimin e dhjetra dosjeve, “jo nuk është e imja, jo është e jotja”, hoqën përgjegjësinë mbi veten dhe askush nuk vuri mend se të prekësh votën dënohesh me burg.

Ndaj trimëria ka plasur sheshit në këto ditë dhe kushedi sa do të na reklektohet në orët dhe ditët që do të vijnë.

Është dështimi ynë kombëtar, politik, moral dhe shoqëror, është dështimi ndërkombëtar i vëzhguesve të zgjedhjeve që kanë mbyllur sytë para, gjatë dhe pas këtyre proceseve të ndyra dhe të përgjakura, si askund tjetër në një vend të Europës e më gjerë.

Një dështim që të lë një shije të hidhur në gojë, kur mendon se ti jeton mrekullinë e votës së lirë, por qindra mijëra të tjerë janë të privuar, të intimiduar dhe të shantazhuar nga politika që e ka parë votën si plaçkë lufte,dhe një popull që rrihet e vritet me njëri-tjetrin, yshtur nga politika.