IDE, 7 Korrik 2023, 08:44

Modeli ekonomik "drogë-beton" mbërrin në udhëkryq

Modeli ekonomik "drogë-beton" mbërrin në udhëkryq

Banka e Shqipërisë njoftoi se ka blerë deri më tani 120 milionë euro në tregun e këmbimit valutor, shifër kjo e pazakontë dhe që nënkupton ndërhyrje në treg, ndonëse pozicioni zyrtar është për jo. Duke deklaruar këtë shifër, guvernatori Gent Sejko bëri të ditur se blerjet do të vijojnë, ndërsa të dhënat e publikuara më parë nga BSH sugjerojnë se nga shuma prej 120 milionë eurosh, 26 milionë janë blerë në tremujorin e parë, ndërsa pjesa tjetër ose 94 milionë, në tremujorin e dytë.

Në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2022, blerjet e BSH në treg janë rritur me 2.5 herë. Dhe pavarësisht se dukshëm, blerjet e BSH-së janë shtuar, në 3 prill të këtij viti euro kushtonte 113 lekë ndërsa tani kushton 105 lekë. Shifra prej 94 milionë eurosh që BSH duket se ka blerë në treg, është e barabartë me afërsisht 0.5% të PBB-së vjetore, ose, llogaritur përciptazi, 2% e PBB-së tremujore. Pyetja që lind natyrshëm është që, nëse BSH blen një sasi kaq të lartë të euros në treg, dhe euro vijon të bjerë, sa duhet të jetë niveli i “përmirësimit ekonomik” që të justifikojë një çudi të tillë.

Kursi i lirë i këmbimit valutor, politika që Shqipëria ndjek që nga viti 1992, është konceptuar si një vetërregullues. Koncepti fillestar për këtë u identifikua nga filozofi skocez David Hume në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe quhet price-specie-flow adjustment mechanism. Sipas këtij modeli shumë të arsyeshëm, rritja e sasisë së parave në një vend, sjell rritje çmimesh në raport me çmimet në vendet e tjera. Kjo rritje çmimesh do të diskurajojë eksportet dhe do të inkurajojë importet, deri në atë pikë sa paratë në këtë vend të pakësohen, kërkesa të ftohet, çmimet të bien dhe vendi të rifitojë aftësitë eksportuese. Me pak fjalë, kursi i lirë luhatës do të thotë që monedha e një vendi, një herë të shtrenjtohet dhe një herë tjetër të dobësohet në varësi të çmimeve. Vetëm se tashmë u bënë pesë vjet, që nga kanabizimi famëkeq i vendit në vitin 2016, që leku njeh vetëm forcim dhe thuajse asnjëherë, dobësim. Forcimi përgjatë këtyre viteve, në masën 25%, do të thotë se çdo mall importi kushton sot 25% më lirë dhe çdo mall eksporti, 25% më shtrenjtë. Lëvizje në përmasa të tilla sugjerojnë se në çfarëdolloj situate ekonomike të zakonshme, paratë në Shqipëri do të duhej të kishin mbaruar dhe leku do të kishte kaluar në dobësim. Kjo nuk po ndodh. Nëse forcimi i lekut do të shkaktohej nga para të fituara në mënyrë të ndershme nga turizmi i shtuar, logjika ta do se forcimi nuk do të ishte kaq i madh. Nëse ca turistë më shumë vijnë në Shqipëri, Shqipërisë do t’i duhet të importojë më shumë mallra e shërbime për t’u shërbyer këtyre turistëve.

Nëse lëmë mënjanë problemin shumë serioz se nga vijnë të gjitha këto para, pyetja është se çfarë mund të bëjmë për të lëvizur prej këtu. Zgjidhjet e konceptueshme janë jo të këndshme. Ato në thelb mund të ndahen në tre: zgjidhja e parë, më e arsyeshme dhe më e pamundur gjithashtu, është politike. Një sulm frontal kundër parave të pista, kontroll të imët të burimeve të financimit të blerjes së apartamenteve nga vendësit dhe jorezidentët, sekuestrimin paraprak dhe vendosjen në procedura konfiskimi të pronave me prejardhje të pajustifikuar, siç kërkohet nga ligji. Me pak fjalë, diskurajimi i parave të pista nga sjellja në Shqipëri përmes masave ligjzbatuese. Nuk është e nevojshme që të sekuestrohen të gjitha paratë e pista, mjaftojnë disa raste për të dhënë sinjalin se Shqipëria nuk është parajsë e krimit. Kjo ka pak gjasa që të ndodhë për shkak se qeveria është dukshëm favorizuese e parave të pista dhe jo luftuese e tyre.

Dy zgjidhjet e tjera janë ekonomike dhe janë pothuajse njësoj të dhimbshme.

Njëra është që të mos bëhet asgjë. Lëri paratë e pista (ose të pastra), ta forcojnë lekun deri sa trafikantët ta shohin pa leverdi pastrimin e eurove të fituara me djersë dhe me rrezik me lekë të mbiçmuar. Në fund të fundit, për një trafikant që fiton, fjala vjen, 1 milionë euro diku në Evropë, kur vjen në Shqipërinë e sotme, paratë e tij vlejnë 25% më pak nga sa vlenin para katër vjetësh. Me pak fjalë, fuqia blerëse e parave të pista ka rënë. Vetëm se në këtë proces, çdo shans i vendit për të ndërtuar një ekonomi normale ikën. Fshatari që prodhon sot një litër qumësht, konkurrohet nga qumështi i importit që vjen në treg 25% më lirë se sa katër vjet më parë. Dhe çdo mall tjetër importi i zëvendësueshëm me prodhim vendës, ndjek të njëjtin drejtim. Ndërsa eksportet e vendit kushtojnë në lekë 25% më lirë se sa katër vjet më parë, për të njëjtën arsye. Nuk është çudi që statistikat e INSTAT flasin për rënie dramatike të numrit të krerëve të blegtorisë përgjatë viteve të fundit dhe nuk është gjithashtu çudi që rritja ekonomike e bujqësisë ka qenë zero në tremujorin e parë të këtij viti, minus 0.1% në tremujorin e katërt 2022, plus 0.2% në tremujorin e tretë e kështu me radhë. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, rritja ekonomike ishte 2.7%, por gati 1% e kësaj rritjeje u furnizua nga dy sektorë: Ndërtimi dhe shitblerja e pronave të patundshme. Janë këto dy sektorë të cilët përfaqësojnë ekonominë e një pjese fare të vogël të popullsisë. Dhe ndërsa kursi i këmbimit (por jo vetëm ai), e bën të vështirë zhvillimin ekonomik normal, njerëzit ikin. Pjesë të mëdha të territorit të vendit po kthehen në gjendjen e vet natyrore për shkak të emigrimit. Mekanizmi i David Hume natyrisht që do të funksionojë edhe në këtë rast në një të ardhme të papërcaktuar, kur ose nga Shqipëria do të kenë ikur mjaftueshëm njerëz sa konsumi të bjerë dhe leku të dobësohet, ose trafikantëve të mos u dalë më me leverdi të shesin eurot e tyre për, fjala vjen, 100, 90 apo 80 lekë.

Zgjidhja tjetër nënkupton ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Kursi i lirë luhatës nuk është instrumenti i vetëm monetar që ka shpikur bota dhe nuk ka asnjë arsye që të jetë tabu që ky regjim të ndryshojë. Kapitalizmi nuk është si puna e Marksizmit, politika mund të ndryshojë në varësi të rrethanave dhe nuk ka parime të cilat duhen me doemos të mos shkelen. Vendi mund të deklarojë në çdo kohë një politikë tjetër të kursit të këmbimit, fjala vjen, me bandë luhatëse apo me kurs fiks të lidhur me euron. Kjo lloj zgjidhjeje natyrisht që nuk vjen pa kosto, para së gjithash, për qytetarët.

Nëse BSH ndërhyn për të blerë eurot e tepërta në treg, qofshin këto nga krimi apo “para të pastra”, ajo do t’i blejë këto euro duke hedhur në treg lekë. Shtimi i lekut në qarkullim nuk ka se si të shkaktojë gjë tjetër veçse inflacion. Me pak fjalë, për hatër të shpëtimit të prodhimit vendës nga kriza e shkaktuar nga paratë e pista, duhet që të gjithë qytetarët të taksohen me një normë më të lartë inflacioni. Ajo që është vërejtur gjatë viteve të fundit në tregun e banesave, me rritje krejtësisht të palogjikshme të çmimeve të apartamenteve dhe me rritje krejtësisht disproporcionale me rritjen ekonomike apo rritjen e të ardhurave të popullsisë së gjerë, do të transferohet te të gjitha mallrat dhe shërbimet.

Në fund të fundit, kriza aktuale në kursin e këmbimit është një reflektim i krizës jetëgjatë morale të shoqërisë shqiptare. Duket se nuk janë të shumtë qytetarët që skandalizohen nga prania e parave të krimit, të drogës, të korrupsionit apo të trafikimit të qenieve njerëzore në lagjen e vet. Madje ka edhe argumente cinike që sugjerojnë se “bota kështu është zhvilluar”. Bota me të vërtetë mund të jetë zhvilluar kështu, por ai që do ta paguajë këtë model zhvillimi, në këtë rast do të jesh ti./Reporter.al