IDE, 27 Korrik 2024, 12:36

Lëngata që la pas Lindita Nikolla

Lëngata që la pas Lindita Nikolla

Thonë se për të ikurit thuhen vetëm fjalë të mira, duke ia harruar ato që bëri në të shkuarën. Kështu ndodhi mbrëmë në Kuvendin e Shqipërisë, ku po zhvillohej seanca maratonë e fundit të sesionit parlamentar dhe kur Lindita Nikolla njoftoi papritur se do të jepte dorëheqjen nga posti i kryetares së Kuvendit. Një lumë komentesh dhe lëvdatash që të hapnin barkun, veçanërisht kur artikukuloheshin nga ata që e shanë me libër shpie Nikollën mbushën eterin e sallës së seancave plenare, ndërsa vetëm Sali Berisha u qëndroi akuzave të tij, duke e akuzuar Nikollën se ishte një skllave e Ramës si spikere e Kuvendit dhe si ministre e Arsimit shkatërroi sistemin arsimor.

Pikërisht këtu, jo se ajo që bëri këto tre vite nuk ishin vitet me të errëta të parlamentarizmit shqiptar, kur, për herë t ëparë, një kryeministër nuk i përgjigje asnjë kërkese për interpelancë, ku votuan vetëm projektligjet e porositura nga oligarkët dhe kur opozita u dhunua në gardë dhe me zjarr brenda dhe jashtë sallës së kuvendit.

Trashëgimia e Lindita Nikollës si ministre e Arsimit në 5 vitet që e udhëhoqi atë dikaster të rëndësishëm është tragjike. Domethënien e të ashtuquajturës reformë në arsim që u krye pas ardhjes në pushtet të Rilindjes në 2013, e dinë shumë mirë ata që e kanë hequr mbi kurriz, arsimtarë, nxënës dhe prindër dhe për shumë vite, derisa të jetë kjo reformë, edhe vendi.

Reforma në arsim e trumbetuar nga qeveria shkatërroi kurrikulat, i varfëroi dhe nxorri analfabetë funksionalë me diploma. Prindërit e këtij brezi nxënësish e dinë shumë mirë dëmin ndaj nxënësve. Pak muaj para se të jepte dorëheqjen në dhjetor 2018, pas protestave masive të studentëve, kur një mësues matematike në një gjimnaz të Tiranës iu ankua ministres se tekstet e matematikës ishin bërë shumë të varfra dhe nuk ofronin nxënie të dijeve të duhura për dikë që aspiron të ndjekë universitetin, Nikolla iu përgjigj me dashamirësinë e mediokres: I kemi thjeshtuar tekstet e gjimnazit, por do të thjeshtojmë edhe ato të universitetit.

Për një vend që historikisht gjatë dekadave të shkuara, kurrikulat ishin mbështetur te "shkolla ruse", duke nxjerrë nxënës dhe studentë të përgatitur në shkencat ekzakte, ky ishte atentati më i madh ndaj nxënësve dhe studentëve, kur matematika, fizika dhe kima janë baza e profesioneve që kërkon sot tregu i punës.

Nuk ka patur asnjë reflektim, asnjë ndjesë dhe kurrsesi një reformë reale që do të zhbënte pseudoreformën e kohës së Lindita Nikollës edhe pse të gjithë e dimë se shkollat tona publike po nxjerrin vetëm analfabetë funksionalë, ndërsa kush do që të plotësojë dijet e domosdoshme, duhet të ndjekë shkolla apo kurse private.

Lindita Nikolla iku nga ajo detyrë, jo si mbrëmë, "për arsye shëndetësore", por nga presioni i madh publik nga studentët që mbushën rrugët dhe sheshet duke kërkuar reformën në Arsimin e Lartë. Por sot, pas, 6 vitesh, i gjithë sistemi arsimor mbeti siç e la Nikolla dhe po lëngon në tryezën e një qeverie të paaftë dhe ne sot, si një popull pa kujtesë afatshkurtër dhe përgjegjësi ndaj brezave, duhet të lavdërojmë kontributin e saj të madh!