IDE, 7 Korrik 2024, 22:15

Franca bllokon ekstremin e djathtë, por i hap oreksin ekstremit të majtë

Franca bllokon ekstremin e djathtë, por i hap oreksin ekstremit të

Në mbarim të zgjedhjeve legjislative të parakohshme në Francë dhe kur rezultatet përfundimtare ende nuk jane publikuar, ndodhi skenari i dytë që pritej. As partia e Le Pen-it dhe asnjë bllok tjetër politik nuk arriti një shumicë absolute. Tre blloqet kryesore aktuale të jetës politike franceze, ai i ekstremit të djathtë, ai të majtës radikale e bashkuar me të majtën e moderuar, dhe blloku i qëndrës, do të kenë pak a shumë të njëjtën peshë politike në parlamentin e ri prej 577 vendesh.

Çdo bllok do të zërë pak a shumë rreth 150–170 deputetë secili, pra shumë larg mazhorancës absolute për të cilën duhen 289 deputetë. Kush ka fituar ateherë në Francë? Askush! Hapet tani për Makronin një periudhë edhe më e ndërlikuar, ajo e emërimit të një kryeministri nga blloku që ka fituar relativisht më shumë deputetë, por që mund të bjerë menjëherë sapo të krijohet, nëse dy blloqet e tjera votojnë mosbesimin.

Realisht në Francë ka fituar e keqja më e vogël. Ka fituar konfuzioni në parlament, një e keqe sigurisht e jashtëzakonshme në raport me stabilitetin politik që njeh Franca që prej kohës së De Gollit, por një e keqe shumë më e vogël nëse partia e Le Pen-it do t’i kishte fituar këto zgjedhje me shumicë absolute. Franca i shpëtoi kështu rrezikut të politikave ksenofobe në planin e brëndshëm dhe atyre anti-Europë e pro-Putin në planin e jashtëm. Ky rrezik u përjashtua përkohësisht sepse Le Pen ka ende një shans shumë serioz më 2027, asaj here për të marrë jo vetëm qeverinë, por dhe Presidencën.

Këto 3 vite deri atëherë do të jenë sfilitëse për Francën. Asnjë qeveri që do të dalë nga ky parlament i copëzuar si një “puzzle » nuk do të mund të rezistojë tre vjet votave të mosbesimit. Është shumë e mundshme që pas një viti të ketë sërish zgjedhje të parakohshme. Makron që i provokoi këto zgjedhje me argumentin prej betoni se synimi i tij ishte qartësimi, dështoi. Jo vetëm që këto zgjedhje të parakohëshme dhe të panevojshme nuk sqaruan asgjë, por më keq akoma ato e kthyen parlamentin francez në forumin me të paqartë që ka njohur Franca që nga Republika e 4 franceze e një epoke të shkuar.

Sigurisht blloku i majtë, me të drejtë duket sikur thotë t’i jepet atij mundësia të krijojë një qeveri, sepse ky bllok duket sikur ka fituar më shumë vende ne krahasim me dy blloqet e tjera. Por kjo do jetë e pamundur sepse blloku i majtë është vetë i ndarë në dy pjesë që urrehen, në të majtën ekstreme të Melenshonit që kërkon të shtojë taksat dhe në të majtën e moderuar të ish – presidentit socialist Hollande i sapozgjedhur deputet. Secili nga këto dy nën-blloqe ka vetëm rreth 70 deputetë.

Bashkë krijojnë vërtetë një forcë, por faktikisht këto dy të majta u bënë bashkë vetëm për të mundur Le Pen dhe jo për të drejtuar Francën. Paradoksalisht mundësia më e madhe për të krijuar një qeveri i mbetet sërish partisë së Makronit ose bllokut centrist që parashikohej i treti në këto zgjedhje, por që po del i dyti. Duke marrë disa deputetë të moderuar sa djathtas dhe sa majtas, partia e Makronit duket si më e afta për të krijuar një qeveri.

Por ajo do të jetë njëkohësisht e paaftë ta mbajë qeeverinë për një kohë të gjatë, pasi asnjë qeveri nuk mund të mbeshtetet në një mazhorancë absolute. Tout ça, pour ça? do thonin francezët. Përkthimi kontekstual: gjithë kjo zhurmë elektorale për asgjë, thjesht për një vendnumëro, për të qëndruar aty ku Franca ishte: me një qeveri të Makronit në duar të një parlamenti me shumicë anti-Makron.