IDE, 26 Tetor 2022, 16:22

Edi Rama nuk pyet më as për ndërkombëtarët

Edi Rama nuk pyet më as për ndërkombëtarët
Foto ilustrim: Andi Bushati dhe Edi Rama

Ndërkombëtarët në Tiranë kanë filluar të korrin frutat e para të hidhura të asaj që kanë mbjellë për një kohë të gjatë me mbështetjen e Edi Ramës. Diplomatët e vendosur këtu po rudhin gjithnjë e më tepër buzët me qëndrimet e kryeministrit për ndërhyrjet e tyre në institucionet e drejtësisë së re. Ata kanë ngërç për t’u raportuar shefave të tyre, se si qeveria shqiptare nuk po i përfill paralajmërimet e shtuara të Brukselit, Berlinit, Parisit dhe Londrës, për të mos mos bërë një amnisti fiskale dhe penale për paratë e pista. Ata po vërejnë me dhimbje se si njerëz që deri dje i përkrahnin, si ish drejtori i policisë, apo kreu i SHISH, po spastrohen nga administrata e vendit.

Publikisht, sëpaku në këto 3 pika, sfida e kryeministrit shqiptar ka qenë e hapur dhe arrogante. Ndonëse në formë ai ka të drejtë, pasi reforma në drejtësi nuk u bë që ambasadorët të qëndrojnë pas dere sa herë gjykatat marrin një vendim; ndonëse parimisht ai nuk gabon kur ua përplas në sy me guximin e një sovranisti, se paratë e krimit shqiptar nuk kanë pse i gëzojnë britanikët përpara hasianëve, sërish, në këto qëndrime, ka një devijim nga shinat e mëparshme.

Tani ka ardhur koha që edhe burokratët e vegjël që merren me punët e Shqipërisë të kuptojnë se janë në zanafillë të këtij ndryshimi kursi. Sepse me qëndrimet e tyre për një kohë të gjatë, me mbështetjen pa kusht që i kanë dhënë, ata e kanë transformuar yes-manin e dikurshëm në një njeri të aftë për t’u rebeluar.

Për një kohë të gjatë diplomatët e Tiranës dhe shefat e tyre në qendër kanë vazhduar ta konsiderojnë një histori suksesi reformën në drejtësi, që pushteti po e kapte, përditë nga pak, deri sa e solli në pikën që qytetarët nuk besojnë më tek kjo fabul e dalë boje.

Ata kanë mbyllur sytë përballë degradimit të shpejtë të demokracisë, blerjes së mediave, korruptimit të shoqërisë civile dhe tkurrjes së parreshtur të lirive.

Ata i kanë quajtur normale, si zgjedhjet lokale moniste, po ashtu edhe parlamentin ku një shportë karavidhesh luanin rolin e opozitarëve fallco.

Ata, në rastin më të mirë janë treguar indiferentë dhe në atë më të keq kanë përshëndetur “fitoren historike” për zgjedhjet e blera me paratë e drogës dhe të dhunuara me banda si ato të Elbasanit.

Ata kanë dëshmuar zell në goditjen sistematike të çdo opozitari, që kur i etiketuan liderët e PD-së dhe LSI-së si njerëz që punonin kundër interesit të popullit të tyre e deri tek manovra e ndyrë dhe përçarëse e “non gratas”. 

Pra, në këto 9 vite qeverisje, ata kanë toleruar asgjesimin e të gjitha kundër pushteteve dhe dobësimin e skajshëm të opozitës duke ndihmuar me duart e tyre formëzimin e një autokrati të pakontrollueshëm. 

Sot Edi Rama nuk i trembet më as ndëshkimit ligjor, nga një drejtësi që e ka vënë nën këmbë, as atij politik, nga një opozitë e telendisur dhe e përçarë. Partnerët tanë për herë të parë në këto tre dekada kanë lëshuar levën që gjithmonë e kanë pasur në duar, mundësinë për të ushtruar presion mbi një lider që u devijon nga shinat. Duke miratuar ose pranuar në heshtje rafshimin gjithçkaje përreth Edi Ramës, ata kanë përgatitur ditën kur ai do t’i sfidonte publikisht dhe në mënyrë moskokëçarëse.

Si rezultat i kësaj trajektoreje u prodhua grisja e marrëveshjes së 5 qershorit, të cilës i afishuan fytyrat ambasadorja amerikane, homologu i saj anglez dhe ai i BE, për të ndryshuar më pas, në mënyrë të njëanëshme rregullat e zhvillimit të lojës zgjedhore. Si pasojë e kësaj është mendësia shpërfillëse se raportet e Departamentit të Shtetit janë kotësira që riprodhohen me “copy paste” vit pas viti, apo denduria e kritikave ndaj një BE-je jo funksionale dhe busullhumbur.

Prandaj, tani, diplomatët perendimorë po shohin me habi, se si njeriu që dikur u thoshte se ua ka firmosur letrën e bardhë për të reformuar drejtësinë shqiptare, tani u tregon kufirin e mos përzieries në të. Prandaj ata po ndihen të sfiduar, kur e shohin se apelet për të mos e shndërruar Shqipërinë një një lavatriçe të parave të krimit, bien në vesh të shurdhër. Ata i kanë krijuar kushtet që kjo të ndodhte një ditë. E ndonëse kurrësesi shqiptarët nuk mund të shfajësohen duke ua lënë fajin ndërkombëtarëve për regjimin që është instaluar në Tiranë, as këta të fundit, nuk mund të bëjnë sikur u gdhinë një ditë papritur dhe u ndeshën përballë me një autokrat./ Lapsi.al/ 

*Titulli origjinal: Dështimi i ndërkombëtarëve të Tiranës