IDE, 15 Mars 2022, 15:28

Edhe sa do të (mbi)jetojë në banalitet ‘çeta e Lul Bashës' në PD

Edhe sa do të (mbi)jetojë në banalitet ‘çeta e Lul

Lulzim Basha duhet ta ketë ditur se mënyra e vetme për t’a mbajtur përreth, ose pas vetes, një pjesë të atyre që, deri para 6 marsit përvijoheshin si anti-berishistë apo pro-amerikanë, ishte një rezultat pozitiv në 6 bashkitë në garë. Para se zgjedhjet të mbaheshin dhe rezultatet të shpalleshin, ai i furnizonte ndjekësit dhe strukturat partiake me sondazhe të rrejshme, ku Berisha kishte ‘kthyer shputat nga dielli’. Një prej zyrtarëve të tij ishte i bindur, vetëm dy ditë para së dielës së 6 marsit dhe bazuar në sondazhet e brendshme, se Basha e mundte Berishën.

Kur Vora u pa e humbur që mbrëmjen e së dielës, falë votimit dhe numërimit elektronik dhe, kur nga paraditja e së hënës u duk qartë se dështimi i radhës po ulej këmbëkryq në agorën e debatit publik, Basha filloi të merrte ndaj fakteve pozicionin final të humbësit të keq: mohimin nëpërmjet shpikjes së një realiteti paralel. Duke thënë se nuk kishte humbur asnjë garë, ai po fitonte kohë për të parë se si mund të konfiguroheshin forcat, tashmë që Berisha ishte afruar te portat e PD, jo me turmat dhe kërcënimin e marrjes së selisë ala 8 janar, por me rezultatin e ftohtë të 6 marsit. E kuptoi shpejt se 6 marsi i kishte marrë edhe ndjekësit e fundit, duke i lënë vetëm një grusht besnikësh në zyrat e selisë, dhe thuajse gjysmën e kryetarëve të degëve lokale. Dyzet prej tyre, nga rreth 80 degë të Partisë Demokratike, u shfaqën në një takim me Bashën. Me qëndrime që ngjanin katërcipërisht, shefat lokalë iu kundërvunë deputetëve. Në këto qëndrime nuk kishte thelb politik, por një përplasje e qëndrestarit provincial me oportunistin e qendrës. Të parët ruanin besën me kryetarin, ndërsa të dytët, kur shihnin anijen që po fundosej donin të shpëtonin lëkurën politike, apo thjesht një karrierë të mundshme.

Ata që deri më 7 mars kishin qenë në këtë anë të llogores bashkë me Bashën, tani shiheshin vëngërt nga pozicione të kundërta. Deputetët kishin epërsinë e mbulimit mediatik, ndërkohë që kryetarët lokalë përhapeshin në publik vetëm nga zyra e shtypit e PD, ende nën komandën e Bashës. Nëse të parëve u bërtiste ndërrimi i kampeve sa hap e mbyll sytë, të dytëve u shquhej banaliteti te fakti se, ashtu si kryetari i tyre, pas 6 marsit ishin funksionarë të vulës, por pa mbështetje në bazë. Si dhe Basha ata ishin irrelevantë politikë. Shumë prej tyre nuk ishin ndeshur më 6 mars, por nëse do të kishin qenë në garë, të korrat e tyre do të ishin njëlloj si të kolegëve.

Pasë ardhur nga kjo gjendje apolitike, një pjesë e tyre, cytur sipas gjithë gjasave nga Basha, filluan të artikulonin se Berisha duhej të bënte një hap pas. Të njëjtët që bënin be e rrufe se ish-kryetari i PD ishte tashmë një gjë e së shkuarës, për t’u përgënjeshtruar nga 6 marsi, tani kur Berisha u kishte marrë hapësirë në të tashmen dhe kërcënonte nga e ardhmja, i kërkonin që, me dëshirën e tij dhe vendimin e tyre të rihidhej në të shkuarën. Pra, t’jua falte irrelevancën politike dhe të futej edhe vetë në të.


Nuk i kërkonin Berishës një lexim politik të fatit të PD, as edhe shpalljen e fraksionit të tyre në gjirin e zhvillimeve të ardhme, dhe as përballeshin me faktin që kishte prodhuar 6 marsi, por thjesht jetonin në Tramvajin me emrin dëshirë të makinistit Lul Basha.

Ndryshe nga një pjesë e mirë e deputetëve, kryetarët e degëve dhe kryetari i selisë, nuk e pranojnë disfatën dhe kutojnë se, duke e dëshiruar të pandodhur, do të shndërrohet në mosqenie. Duke harruar se negociata, modulet e saj, fillimi i një procesi politik bashkimi dhe pajtimi, ndodh si fazë e dytë e së parës: të pranuarit e të qenit pakicë. Baza e partisë, si ajo që doli në votimet e 6 marsit, ashtu edhe refuzuesit e procesit, e ka dhënë verdiktin. Certifikimi, kësaj radhe nuk është kryer nga Jemin Gjana dhe, rrjedhimisht, qëndron.

Kokëfortësia e mosnjohjes së 6 marsit dhe opsioneve të reja të tij është banalitet politik. Sa më shpejt të braktiset ky banalitet, aq më parë mund të fillojë një proces rikthimi dhe vërtetësie. Nëse zgjidhet kahu i kundërt, shija e vetëvrasjes politike do të dalë mbi atë të banalitetit.

Në këtë pikë fillon edhe zgjidhja e krizës në PD. Kush vetësakrifikohet në banalitet, në zgjidhje nuk ka pjesë./Politiko.al/