TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ka disa lajme “pozitive” për PD-në pas fitores së Trumpit, që ata duhet t’i bëjnë jehonë dhe nuk duhet të kufizohen vetëm tek shpresa e heqjes së sanksioneve ndaj Berishës dhe familjes së tij.
Zakonisht PD prej vitesh është kthyer në një parti që feston fitoret e të tjerëve dhe humbjet e veta. Festuan fitoren e VMRO-së në Maqedoni, të partive proserbe në Mal të Zi, të Melonit në Itali, etj. Edhe pse të gjithë ata që fitojnë kanë të përbashkët me PD-në vetëm të qenët “të djathtë,” nuk kanë asnjë ngjashmëri tjetër. Edhe VMRO-DPMNE e Maqedonisë, që kishte një hall të ngjashëm me kryetarin e partisë së sanksionuar nga SHBA, u distancua nga ai, bëri rrugën e vet pa atë dhe fitoi. PD-ja këtu bën të kundërtën. Në momentin që u sanksionua, e thirri atë në parti dhe u bashkua pas tij.
Por le ta lëmë mënjanë bilancin e humbjeve për të merremi me festën e tyre për fitoren e Trumpit.
Kjo ka disa aspekte pozitive për politikën shqiptare.
Së pari, PD u kthye në Kuvend dhe braktisi mosbindjen civile. Nuk është se i bënte dëm qeverisë apo shoqërisë, por vetëshkatërrohej duke lënë gomat në gjashtë kryqëzimet që kishin zgjedhur të vdisnin.
Së dyti, morën seriozisht hyrjen në zgjedhje, pasi deri tani dukej se do shkonin drejt bojkotit. Pas fitores së Trumpit, duket se kanë vendosur të hyjnë në zgjedhje, dhe ky është një sinjal pozitiv, që nuk do të përsërisin gabimin që bënë në vitin 2019 kur bojkotuan zgjedhjet, me shpresë se Trumpi do t’i mbështeste, pasi ishte në pushtet.
Së treti, është forcuar besimi që zgjedhjet janë të lira dhe të drejta, pasi tani qeveria socialiste nuk përdor dot më Sorosin të “vjedhë” votat e PD-së. Edhe pse PD-ja ka humbur dy herë zgjedhje gjatë mandatit të parë të Trumpit, këtë herë shpresa është se do fitojë, meqë fitoi dhe Trumpi.
Ky besim është një ogur i mirë, pasi krijon një klimë besimi para zgjedhjeve dhe kjo ndihmon për të pasur një proces zgjedhor normal.
Së katërti, duket se hoqën dorë nga kërkesa për qeveri teknike. Duke qenë se fitorja e Trumpit krijon garanci për PD-në, nuk është e nevojshme të ketë qeveri teknike, pasi kanë garanci të tjera ndërkombëtare.
Së pesti, por jo e fundit, shpresa se do të hiqet “non grata” e Berishës, do të bëjë punën e vet. Nuk ka rëndësi që ajo mund të mos hiqet kurrë, madje mund të thellohet edhe me ndonjë “non grata” tjetër nga opozita. Shpresa në këtë rast është kthyer në strategji të PD-së, dhe ajo funksionon deri në zgjedhje.
Të gjitha këto lajme të mira, vijnë vetëm nga fitorja e Trumpit dhe për këtë Edi Rama duhet t’ia dijë për nder republikanëve në SHBA, që ia bënë më të lehtë këtë periudhë parazgjedhore. Merre me mend të mos kishte fituar ai, dhe të fillonin që tani që Kamala po më vjedh zgjedhjet. Të paktën kështu jemi të qetë deri në maj.