IDE, 1 Tetor 2022, 17:38

Dashnorët e kullave nuk zhgënjejnë kurrë

Dashnorët e kullave nuk zhgënjejnë kurrë
Tirana Multifunctional Center

Pas çaste pasi kishte publikuar padinë e IKMT-së ndaj kompanisë që ka ndërtuar 6 kate shtesë te “Eyes of Tirana”, mes rrugës së Durrësit dhe asaj të “Kavajës”, Edi Rama, shoqëruar nga Erjon Veliaj, mori pjesë në Konkursin Ndërkombëtar për projektin fitues midis 5 studiove të arkitekturës bashkëkohore për ndërtimin e “Tirana Multifunctional Center”. (LEXO KETU)

“Është zhvillim në zemër të Tiranës dhe bëhet fjalë për të vendosur për ngritjen e një ndërtese, e cila i shtohet vijës së qiellit të Tiranës, por nga ana tjetër, i shtohet xhevahireve që ka Tirana e arkitekturës moderne e këtij shekulli”, tha Rama.

Para se të hynte në sallën ku zhvillohej konkursi, kryeministri, gjatë bashkëbisedimit online me ndjekësit, i ishte përgjigjur njëri prej tyre që nuk ishte dakord me ndërtimet kaotike se:

“Koha do jetë zonja e rëndë që do flasë, këto ndërtime që po transformojnë Tiranën nga një katund i madh kaotik si ai gjeta unë në një metropol rajonal, janë ato që po i japin Tiranës identitetin e një kryeqyteti me histori dhe të ardhme.(LEXO KETU)

Kryebashkiaku i Tiranës e shpërndau videon ku paraqiteshin projektet e kërkuara nga qeveria shqiptare, duke shënuar se:

“Tirana Multifunctional Center”- Konkursi Ndërkombëtar për projektin fitues mes 5 studiove prestigjoze të arkitekturës bashkëkohore, për një ndërtim tejet ambicioz në qendër të Tiranës, i cili do të forcojë më tej profilin e metropolit rajonal të së ardhmes për kryeqytetin tonë”.

Po ky kryebashkiak, që është dora e zgjatur e Edi Ramës në çdo hekur dhe beton që mbillet në Tiranë, mëse tre vite më parë thoshte se kishte plane të tjera, urbane dhe për qytetarët në atë zonë, ku ende ngrihej hotel “Miniri” (ish-hotel Vjosës), i cili u shemb pa bujë, drejtpërdrejt dhe me njoftim nga vetë ai që e deklaronte në profilin e vet më 23 shkurt 2019:

“Çibani i fundit! Kur Edi Rama nisi pastrimin e Tiranës, qendra e kryeqytetit, Lana dhe Parku Rinia kishin 1,000 plus ndërtime pa leje!  Pas 15 viteve pastrim sot largohet dhe karakatina e fundit nga Sheshi Skënderbej për t’i hapur rrugë stacionit të autobusit”.

Pas ruspës dhe vonesës për ta kthyer në lulishte, aq të gjymtuara në Tiranën e dekadës së fundit, ishte thënë nën zë, por me siguri, se ai shesh do të priste një kullë spektakolare. Rama dhe Veliaj nuk zhgënjyen. Ashtu po bëhet dhe do të jetë.

Gjithçka tjetër është histori, historia e një kryeqyteti në thundrën e kullave që po ngrihen ngjitur me njëra tjetrën në qendër, anash sheshit “Skënderbej”. Rama ka të drejtë që po i bën se ishte katund, por prej shumë vitesh katundarët e Tiranës kanë ikur nga qyteti. Kush pati lekë, bleu vilat e shtrenjta në katundet e oligarkëve, në periferi, kush nuk ka ka ikur ose po mendon të ikë, do të gjejë paqe në një katund të vërtetë në Europë apo Amerikë, ku njeriu është mbi kullat.