TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Shqipërisë njoftoi sot nga salla e Kuvendit se qeveria do të shpërndajë 100 milionë euro për rreth 700 mijë pensionistë në formën e një bonusi për fundvitin, që shkon 100-150 euro. Përveç kësaj, qeveria do t’u japë edhe një bonus tjetër në pranverë, periudhë që përkon me nisjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlanentare të vitit 2025.
Lajmi se qeveria do të japë deri në 150 euro bonus për pensionistët ka javë që përflitet dhe thuhet edhe në deklaratat e ministrave që bashkë me kryeministrin janë hedhur në një fushatë të ethshme, shoqëruar me banera elektronikë, drejtues të Tatimeve dhe të Sigurimeve, për t’u treguar pjesës më të nëpërkëmbur të shoqërisë shqiptare se qeveria mendon për ta.
Edhe fjala e sotme e kryeministrit në Kuvend ishte pjesë e kësaj fushate elektorale për të mos i lënë detashmentet e 700 pensionistëve, votues të rregullt dhe shumica të PS-së, që të mos rrëshqasin te ndonjë forcë tjetër politike.
Rama nuk e fshehu aspak frikën elektorale, duke përmendur përsëri Suden me gjyslykë, nofkë me të cilën prej javësh tashmë i drejtohet indirekt Arlind Qorit, drejtues i “Lëvizja Bashkë”, forcës politike që ka mbledhur qindra pensionistë në protestat që po mbahen rregullisht dhe në numër të shtuar poshtë zyrës së kryeministrit për të kërkuar rritje të pensioneve.
Protestat ishin rrufe në qiell të pastër për të majtën në pushtet, e cila i ka llogaritur ata si votues besnikë dhe që vendosin për mandatet qeverisëse. Rama që pretendon të marrë mandatin e katërt në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, fushatën e ka përqendruar si kurrë më parë në këto 11 vite për të mbajtur rreth vetes qindra mijëra votat që i sigurojnë qenien në pushtet. Ai e ka kuptuar se 30-40-vjeçarët e dhjetorit 1990, që sot kanë pensionet më të ulëta në rajon, nuk gënjehen më me indeksimet tallëse të pensioneve me rritje prej 400 lekësh në muaj, as me qarjet publike se bizneset ia paskan futur qeverisë duke mos deklaruar pagat reale të të punësuarve, as me mefshtësinë e drejtuesve gjobëvënës të institucioneve të varësisë që kundrejt rrushfeteve kanë lejuar që në vitin 2024 ekonomia informale të jetë më e madhe se para Rama të vinte në pushtet dhe as prerja e “kokave” të tyre nuk do të shuante urinë e mbi 700 mijë pensionistëve, që marrin aq pensione sa për të paguar faturat e ujit, energjisë dhe ilaçeve, ndërsa me bukë i mbajnë fëmijët në emigracion.
Buxheti i vitit 2025, rreth 8 miliardë euro, nuk parashikon rritje të pensioneve, por sërish indeksim qesharak për 700 mijë njerëzit më të vuajtur dhe më të pamundur të shoqërisë dhe bonuset sa një pension mesatar janë pilula elektorale që qeveria po i shpërndan përpara zgjedhjeve të ardhshme, siç do të bëjë me 50 eurot dhe thasët me miell për të blerë votën e shtresave të tjera në nevojë.
Kjo e sotmja ishte një bonus frike që kryetagrambledhësi po e lëshon jo se i ha barku për 700 mijë frymorë, por për të blerë votat e tyre dhe për 4 vite të tjera të vijojë avazin.
Tani mbetet në dorën e këtyre qyqarëve që të ndajnë mendjen në zgjedhjet e ardhshme dhe të ngrihen mbi nevojën e bukës së përditshme: të shkojnë pas Sudes me gjyslykë që flet për pensione dinjitoze apo të rrinë pas të majtëve në pushtet që si të djathtët, nuk gjetën kurrë paratë për ta, sepse i bënë miliarda për veten dhe një grusht oligarkësh.