IDE, 26 Maj 2023, 20:11

Boll me “masakrën elektorale”!

Boll me “masakrën elektorale”!

Ideja se opozita humbi sepse pushteti socialist zhvilloi një tjetër masakër elektorale është justifikim por jo shpjegim i humbjes së saj. Është një justifikim i keq sepse bazohet tek llogjika hegeliane sipas së cilës “nëse faktet nuk bien dakod me mua, aq më keq për faktet”.
Në rastin konkret, faktet e hedhin poshtë të gjithë fabulën e maskarës elektorale thjesht me evidencën e bojkotit: opozita humbi sepse elektorati i saj e bojkoti. Rreth 730 mijë votues nuk dolën të votojnë në zgjedhjet e fundit lokale (shiko analizën e Zaloshnjes). Sikur opozita të kish mobilizuar më pak se gjysmën e tyre, pra rreth 300 mijë, ajo do e kish shpërthyer “regjimin Rama”. Ky fakt i thjeshtë pranohet edhe nga vetë Berisha që bëri thirrje për votimin e detyruar.

Nëse pranojmë këtë fakt, atëherë bien të gjitha pretendimet e “masakrës elektorale”, që nga vjedhja e votës, vjedhja e logos së PD-së, heqja e Berishës nga fleta e votimit, përdorimi i administratës apo manipulimi dhe kontrolli i KQZ-së apo KAS-it. Asnjë nga këta faktorë, edhe sikur të gjithë të ishin të vërtetë, nuk është aq përcaktues i rezultatit elektoral sa bojkoti.

Të kuptohemi, nuk po them se Partia Socialiste nuk abuzon me makinerinë e saj elektorale. Ka përdorim të administratës publike, presione, përdorim të fondove publike, përdorim të patronazhistëve si dhe klientelizëm të pastër. Ama e gjithë “masakra elektorale” socialiste përqëndrohet tek nxjerrja me hir e me pahir e elektoratit të saj gjithnjë e më të pakënaqur. Ndaj ajo shpjegon se përse socialistët marrin të njëjtat vota, por nuk shpjegon se përse vota e opozitës bie, çka është thelbi i katastrofës elektorale opozitare sot.

I vetmi argument që mbetet është se Rama pagoi rreth 200 – 300 mijë votues opozitarë që të mos dilnin në votime. E thënë ndryshe Rama nuk bleu vetëm elektoratin socialist por edhe atë demokrat! Le të lëmë mënjanë për momentin dimensionin ofendues të këtij argumenti që akuzon votuesit opozitar në Tiranë, Durrës, Elbasan apo Shkodër se nuk dolën në votime sepse janë shitur, dmth janë korruptuar politikisht. Aq më tepër kur del nga goja e dyshes Berisha-Meta që e kanë pagëzuar korrupsionin politik në Shqipëri.

Problemi llogjik me argumentin e mësipërm është se Edi Rama dhe partia Socialiste nuk kishin aspak nevojë ta paguanin votuesin e djathtë që të mos dilte në votime. Këtë punë e bëri me efikasitet vetë opozita politike, qoftë PD-ja zyrtare që ende nuk di se çfarë përfaqëson, qoftë dyshja Berisha-Meta që refuzohet nga shumica dërrmuese e elektoratit gri.
PD-ja zyrtare si pasojë e mediokritetit dhe meskinitetit politik të një pjese të lidershipit të saj nuk arriti të nxirrte kandidat në shumicën e bashkive. Ndërkohë që fushata dinjitoze e Roland Bejkos në Tiranë u sabotua jo vetëm nga pushteti dhe berishizmi por edhe nga vetë kryesia e partisë së tij. Një parti që nuk nxjerr në zgjedhje as antarët e kryesisë nuk mund të mobilizojë elektoratin.

Nga ana tjetër, dyshja Berisha – Meta ka një pëlqyeshmëri neto (ata që i pëlqejnë minus ata që nuk i pëlqejnë) thellësisht negative që në mungesë të alternativave politike përkthehet në bojkot elektoral. Sipas të gjitha sondazheve serioze Berisha ka një pëlqyeshmëri negative që vërtitet midis -40% dhe -50%, ndërsa Meta e ka pëlqyeshëmrinë negative gati -80%.
Ky fakt i kombinuar me nivelin e lartë të njohjes që këta dy politikanë kanë në elektorat (name recognition në anglisht) do të thotë se elektorati shqiptar e ka ndarë mendjen për ta. Pra pëlqyeshmëria negative në këtë rast është një opinion i konsoliduar dhe jo produkt i mos-njohjes apo i njohjes së pakët të politikanëve (siç është rasti i Alibeaj, Roland Bejkos apo Arlind Qorit).

E thënë thjesht, elektorati shqiptar e njeh mirë si Berishën edhe Metën dhe në shumicën dërrmuese ka një opinion negativ të konsoliduar për ta që vështirë se ndryshon. Në rastin e Berishës pëlqyeshmëria e tij neto negative është evidentuar që në fushatën elektorale të vitit 2005 në sondazhet brendëshme të PD-së që zhvilloheshin nga kompania amerikane BG&R (në atë kohë kam qenë pranë ekipit elektoral të PD-së).

Pikërisht për këtë arësye strategjia elektorale e PD-së në vitin 2005 ishte ta mbështillte Berishën me KOP-in. Në mungesë të KOP-it, Bashës, apo ndonjë tjetër ambalazhi politik që e zbut imazhin e tyre negativ në elektorat, Berisha dhe Meta dekurajojnë shumicën e elektoratit opozitar dhe atij gri.
Në këtë pikë berishistët do më akuzojnë se sondazhet që po citoj janë blerë nga Edi Rama, bashkë me autorin e këtyre rradhëve. Se teoritë që po përdor mbi pëlqyeshmërinë neto në kuadrin e njohjes së konsoliduar elektorale (name recognition) janë broçkulla ramiste që i shërbejnë “regjimit”.

E megjithatë ka një fakt të pamohueshëm të refuzimit elektoral të koalicionit Berisha/Meta: atë nuk e votojnë as mbrojtësit e tij publik më të zjarrtë. Nuk flas për gazetarët apo intelektualët e punësuar nga familjet Berisha dhe Meta, sepse ata janë blerë për të thënë që vota është shitur.
E kam fjalën për gazetarë serioz si kolegu Andi Bushati apo intelektuali Fatos Lubonja integritetin e të cilëve askush nuk e vë në dyshim, madje as kundërshtarët e tyre më të thekur. Të dy kanë deklaruar publikisht dhe në mënyrë transparente se nuk do të votojnë për koalicionin Berisha-Meta por për Lëvizjen Bashkë dhe kandidatin e saj Arlind Qorri.

Nëse edhe mbrojtësit më të mëdhenj të “opozitës së vërtetë” Berisha/Meta nuk i votojnë ata sepse nuk i lënë skrupujt moral dhe politik, atëherë përse është çudi kur elektorati opozitar ndjek shembullin e tyre? A ka sens ta quajmë këtë elektorat të korruptuar, të shitur, apo të blerë, sepse refuzon të votojë Ilir Metën? A është çudi që humb një opozitë e cila jo vetëm e injoron por edhe e denoncon elektoratin e saj si të korruptuar?/Lapsi.al