TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në politikë e media flitet nga mëngjesi deri në darkë për oligarkë. Të gjithë bëjnë demagogji, propagandë, e moral mbi veprimtarinë e këtyre sipërmarrësve të fuqishëm, por pakkush ua përmend emrat. Ndoqa një intervistë të Kryetarit të PD z. Sali Berisha në emisionin Ora e Betit. Ndërsa flitej për çështjen e Portit të Durrësit, ish kryeministri që zotëron informacion të gjerë për shumë persona e ngjarje, kishte zbuluar se në aferën e Durrësit është implikuar biznesmeni serb Bogoljub Kariç, sigurisht sipas Berishës i lidhur me Edi Ramën.
Pra ndërkohë që Berisha zbulon lidhje të fuqishme të Ramës me biznesmenë të huaj afera e lidhje me degëzime e kryqëzime interesash jashtë e brenda vendit, nuk arrinte dot të artikulonte asnjë emër oligarku shqiptar. Kolegu Poli Hoxha e pyeti dr. Berishën për emra konkret oligarkësh por ai tha se nuk dinte se po t'i dinte do t'i thoshte. Edhe pasi gazetari insistoi, ai përsëri u shmang. Ndoshta dhe se pyetja ishte evazive sepse nëse do t'i marrësh një përgjigje një politikani, nuk pyetet a dini ju kush janë oligarkë dhe na thoni ndonjë emër konkret.
Por pyetjet për Berishën ish kryeministër apo Ramën kryeministër duhen bërë thjeshtë e troç. Psh: A është Shefqet Kastrati një oligark? Po Zamir Mane? Po Vilma Nushi apo Bashkim Ulaj? Në këtë mënyrë Berisha e kushdo qoftë do të duhet të japë një përgjigje e cila zbulon në një farë mënyre edhe qëndrimin dhe raportet që ka secili politikan me këta individë të fuqishëm të sipërmarrjes në Shqipëri që përmenden ndryshe edhe si pjesë të ashtëquajturës oligarki. Nuk kam marrë tha Berisha kur kam qenë kryeministër asnjë vendim në kundërshtim me ligjin për çdo sipërmarrës pa përmendur dot emrat e Manes, Kastratit, Ulajt, Nushit etj.
Por ndërkohë edhe Rama me ligj i merr vendimet në favor të tyre madje të miratuar edhe në Parlament. Dhe për më tepër vetë termi oligark lidhet konkretisht me ndikimin që kanë këta individë në vendimarrjet politike të qeverisë. Pra interesat e tyre imponojnë vendimet e qeverisë dhe kështu gjithçka bëhet me vendimmarrje ligjore. Ndaj justifikimi i Berishës se nuk ka bërë asnjë favor të paligjshëm nuk e dallon nga Rama. Madje e njëson me të, në raport me ata që cilësohen si oligarkë. Atëherë përse i mbyllet goja Berishës kur vjen momenti tek emrat konkret? Si ka mundësi që ai denoncon edhe aferat më banale, por nuk përmend dot emrat e oligarkëve.
Përgjigjja është e thjeshtë se oligarkia lindi dhe u zhvillua në qeverisjen e Berishës dhe u perfeksionua gjatë qeverisjes së Ramës. Atëherë logjika të çon në arsyetimin se Berisha nuk do luftë me oligarkët dhe korrupsionin, por do luftë me Ramën që të marrë pushtet për të ndarë interesat me oligarkët. Asnjë problem në këtë rrafsh, madje është në të drejtën e tij ta bëjë dhe ta fitojë këtë betejë për kontrollin e oligarkëve. Vetëm se duhet specifikuar që njerëzit nuk janë budallenj kaq gjë e kuptojnë që kjo nuk është betejë as për parime as për demokraci sikurse e predikon Berisha, por është betejë për pushtet e përfitime. Dhe në një betejë pa skrupuj nuk ka standarde, por strategji.
Kush gjen strategjinë dhe mënyrën e duhur fiton zgjedhjet dhe pushtetit ekonomik. Nëse oligarkët pëlqejnë të punojnë me Ramën do vazhdojnë të mbështesin atë, nëse do preferojnë të ndryshojnë "padron qeveritar" do mbështesin Berishën. Rama tha deri në 2029 na keni këtu, mesa duket edhe më besimin se ka bekimin e oligarkëve. Berishës i duhet të fitojë paraprakisht besimin e tyre, nëse mendon se e fiton thjeshtë duke mos iu zënë emrin me gojë ok. Ndoshta i funksionon si strategji. Por e sigurt është se përsa kohë oligarkët do të jenë krah Ramës, zor se Berisha do sjellë dot opozitën në pushtet. Ndaj çështja nuk është sa e kush votoi, por sa e kush pagoi. Nuk është faji i Ramës që ja bëri gati skemën Berisha për këtë mënyrë qeverisjeje.