TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Selia e PD i hoqi dyert e blinduara dhe Sali Berisha, u rikthye aty, duke “marrë” paqësisht atë që kishte humbur me dhunë në 8 janar. Për herë të parë ai shtrëngoi duart me dy nga kundërshtarët e tij të mëdhej, Gaz Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, pasi gjykata e Tiranës i njohu Komisionit të Rithemelimit të drejtën për të udhëhequr nga sot e tutje partinë.
Të gjitha këto, të vendosura në sfondin ë rezultatëve të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit dhe largimit me turp të Lulzim Bashës, flasin për një fitore dërrmuesi të liderit historik brenda partisë së tij. Në diçka më shumë se gjysëm viti, ai u shndërrua nga një “lebroz” i goditur pas shpine dhe i tradhëtuar nga të tijët, në një politikan të ringjallur, për shkak se padrejtësia që iu bë, i la në hije shumë nga mëkatet e së shkuarës.
Pra, duam apo s’duam, na pëlqen apo jo, Sali Berisha është fitimtari i një krize, të ciliën e planifikoi dhe e loboi Edi Rama, e nënshkroi sekretari Blinken me peshën e rëndë të SHBA-së dhe e bastardoi deri në parodi ambasadorja e këtij vendi në Tiranë.
Por një pjesë e deputetëve dhe hierarkëve të dikurshëm po tregojnë një miopi proverbiale për ta lexuar këtë tablo. Ndonëse të mbetur pa anëtarë, ndonëse të zhveshur edhe nga vula, ata po i kërkojnë Sali Berishës atë që askush nuk imagjinon ta pretendojë nga secili politikan në glob: që ta shndërrojë fitoren e tij në një humbje, duke u tërhequr nga gara.
Ata vazhdojnë me avazin e vjetër të partisë që ka aleate të madhe SHBA-në dhe e cila e nuk mund të mbajë në gjirin e saj një “non grata”, sepse pa Amerikën është e pamundur që të fitohen zgjedhjet.
Në një farë kuptimi ata mund të kenë të drejtë. Nuk është shumë e thjeshtë dhe komode ti bësh karshillëk hiperfuqisë edhe kur ajo ka zgjedhur për aleat pushtetin. Nuk është as e logjikshme që zgjidhjet për të ardhmen ti kërkosh tek nostalgjia për të shkuarën.
Si dikush që ka qenë kundër Sali Berishës deri në 2013 dhe që nuk e shoh me shpresë drejtimin e opzitës prej tij, personalisht e mirëkuptoj këtë lloj refuzimi që i bëhet ish presidentit dhe ish kryeministrit nga një pakicë brenda familjes së tij politike.
Por thënë këtë, më duket qesharak pretendimi për të zbrapsur me negociatë dikë që fiton me votë.
Këtu përfaqësuesit e pakicës që deri dje mbanin vulën, po vijojnë me qëndrime që më shumë sesa opozitën shkatërrojnë karierat e tyre personale. Ata nuk po shërohen dot nga virusi i politikanëve burokratë që duan të marrin vendime pa mbështetje të antarësisë. Ata nuk po e kuptojnë se militantët e PD-së u rreshtuan kundër tyre, pasi nuk besuan në fabulën e ngrënjes së barit, pasi e konsideruan të pa drejtë hipokrizinë e një Berishe minues të demokracisë dhe hajdut të fondeve publike, ndërkohë që, banditët në pushtet, apo Rama dhe Veliaj, qenkeshin kampionët e mëdhej të vlerave atlantike.
Demokratët u rebeluan dhe votuesit e 6 marsit e ekzekutuan këtë lloj mentaliteti prej zari ambasadash. Prandaj, të kërkosh të arrish suksesin duke përdorur të njëjtat mjete me të cilat më parë ke dështuar, nuk bën gjë tjetër veçse rolin e atij që Ajnshtajni ia ka përcaktuar më së miri epitetin.
Ky është kurthi ku kanë rënë ata pak hierarkë dhe deputetë që duan ta mbajnë Berishën larg PD-së.
Ndonëse bindja e tyre se Berisha i bën dëm PD-së mund të jetë e respektueshme, ndonëse mosbesimi se ai është në gjendje të ringrejë një forcë fituese ka baza, rruga që kanë zgjedhur për ta penguar atë, me pretekstin se nuk e do Amerika, është qesharake.
Ajo flet për një medësi aparatçiku që prefereon demokracinë e dirigjuar para asaj të votuar. Ajo tregon se ndonëse kanë ç’blinduar zyrat ata nuk e kanë bërë këtë në kokat e tyre.
Një rrugë më racionale do të qe që ata të bëheshin partizanë të një bashkimi duke përfshirë edhe Berishën, ti propogandonin idetë, qoftë dhe si fraksion brenda PD-së dhe nëse njeriu i anatemuar prej tyre humbtte në zgjedhjet e radhës, ata të bëheshin alternativa reale për drejtimin e opozitës. Vetëm kështu mund të ishin kandidat për liderë realë dhe jo marjoneta që e kuptojnë politikën si katapultim nga ambasada. Ata duhet të ndërgjegjësohen se kjo shfaqe e shëmtuar u gropos në 6 mars. /Lapsi.al/