IDE, 15 Nëntor 2022, 20:49

Afera e Durrësit ekspozoi hapur edhe dhunën e Qeverisë mbi Kuvendin

Afera e Durrësit ekspozoi hapur edhe dhunën e Qeverisë mbi

Sot në Komisionin e Ekonomisë, zv/ministri i Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia publikoi një dokument, i cili tregon strukturën e pronësisë së kompanisë ‘Eagle Hills Real Estate Development’. Kjo është shoqëria me të cilën qeveria shqiptare do të lidhë marrëveshjen për ndërtimin e një projekti pallatesh në zonën e Portit në Durrës dhe një marine të vogël turistike.

Kompania rezulton se zotërohet plotësisht nga ‘North East Real Estate Holdings Limited’, ndërsa kjo nga ‘Symphony Global Holding Limited’. Te kjo e fundit pronësinë në 40% të aksioneve e ka Mohamed Alabbar përmes dy firmave ‘ANH Holding Investment’ dhe ‘ANH Holding Limited’ dhe 60% familjarët e tij përmes kompanisë ‘Symphony Investment LLC’.

‘Symphony Investment’ është e regjistruar në ishujt Kajman, parajsë fiskale, e cila jo vetëm krijon hapësira për të mos paguar taksa, por ofron edhe anonimatin e aksionerëve. Kështu që dokumenti i publikuar nga zv/ministri i Financave dhe firmosur nga zoti Alabbar mund të jetë plotësisht i vërtetë, puna është që nuk ka kush e kontrollon nëse ka thënë apo jo të vërtetën. Është njësoj si unë të them që kam lindur në Spanjë, por askush të mos ketë mundësi të kontrollojë të dhënat e mia të gjendjes civile.

Por pa dashur të paragjykoj pronarët e deklaruar në listën e publikuar, të cilët mund të jenë realë, duke qenë se kompania është offshore, rreziku tjetër që nuk mund të sqarohet është se sa para mund të hyjnë në kapitalin e saj nga donatorë të tjerë dhe kush garanton që pas një muaji pronësia e kësaj kompanisë nuk ndryshon? Sot sfida nuk është që shteti të tregojë emrat, por të mos bëhen kontrata me firma të cilave nuk ia dimë pronarët sot dhe as se cilët do të jenë pronarë nesër.

Rreziku tjetër është se edhe nëse pronarë rrinë këta që janë, me një kompani të formës guaskë të regjistruar në tax-heavens që zotëron 60% të pronësisë, kalimi i të ardhurave që merren nga projekti në Portin e Durrësit mund të shkojë te ‘Symphony Investment Limited’ dhe tatimi mbi fitimin dhe dividenti të ndahet në ishujt Kajman dhe jo në Durrës, duke lënë shtetin të ngrohet në diell.

Por kur përfaqësuesve të qeverisë iu kërkua sqarime rreth kësaj teme nga deputetët e opozitës në komision, përgjigja iu erdhi nga kreu i komisionit se do ndërpriste diskutimin dhe do kalonte direkt në votim. Të njëjtën gjuhë përdori dhe zv/ministri Kadia, i cili u tha deputetëve se kishte qenë rehat 1 vit që nuk kishte vajtur në komision dhe ishte marrë me negociata me kompaninë nën shoqërinë e “ndërkombëtarëve”. Dirigjimi i këtij toni vinte nga zv/sekretarja e përgjithshme e Kryeministrisë, e cila caktoi mënyrën se përgjigjet do të jepeshin vetëm të hapura dhe jo të shkurtra të formës “Po, Jo”, madje kur e gjykonte të arsyeshme ndërpriste dhe fjalën e kreut të komisionit.

Me këtë reagim të opozitës dhe me këtë trajtim që po i bën niveli i dytë dhe i tretë i administratës Kuvendit, ne jo vetëm duhet që duhet të qepim gojën kur flasim kundër Edi Ramës, por ta falenderojmë që nuk po fal çfarë i zë syri. Sot nuk ka kush na mbron, as administrata-as deputeti!

Sot nëpunësi i administratës shkon në Kuvend dhe i tregon deputetit se si duhet ta pyesë dhe se ai mund të përgjigjet siç i do qejfi. Ndërpret kur do fjalën e çdokujt. Një tjetër i fyen, dhe lëvdon ndërkombëtarët duke shndërruar mitin se ndërkombëtarë tashmë janë bërë arabët dhe jo amerikanët e europianët. Ndërsa deputetët e tjerë votojnë në radhë si ushtarët porositë që kanë marrë në “chat group”, se për t’i bërë një mbledhje ku t’i argumentohet vendimi mund të kërkojnë më shumë seç u takon.