AKTUALITET, 24 Nëntor 2020, 14:56

Fshehja e viktimave të covid, Rama do të përgjigjet edhe në Kuvend

Kryeministri Edi Rama do të japë shpjegime të tjera për akuzat mbi fshehjen e numrit të viktimave të Covid-19. Për këtë është thirrur në interpelancë pasnesër, në Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak të Covid-19, u pezullua seanca plenare për një javë, ndërsa Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i bëri një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve për të bërë një interpretim lidhur me vazhdimin ose jo të punës normale të Parlamentit.

Vendimi i sotëm i Kuvendit vjen rreth një javë pasi Komiteti vendosi moslejimin e asnjë aktiviteti me mbi 10 persona, qoftë në vende të hapura apo të mbyllura.

Pasnesër, duke nisur nga ora 10:00, Parlamenti mblidhet në seancën e radhës plenare, që nis me interpelancën e Ramës.

Thirrja urgjente me kryeministrin Edi Rama është kërkuar nga deputeti Ralf Gjoni. Po ashtu është thirrur në interpelancë edhe ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, e cila do të flasë për të njëjtin objekt. Kështu që mund të ndodhë bashkimi i interpelancave në seancë.

Ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi urdhëron marrjen e masave në kuadër të aktit-normativ të fundit lidhur me pandeminë Covid-19.

Kështu, as në parlament nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave.