TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bisedimet për Iranin kanë hyrë në fazën e parë në Burgenstock të Zvicrës, ku delegacioni amerikan ka zhvilluar takimin e parë me ndërmjetësit pakistanezë.
Zv.presidenti amerikan JD Vance, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritën kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif dhe shefin e ushtrisë, feldmarshallin Asim Munir. Sipas grupit të gazetarëve që ndjek delegacionin amerikan, palët u përshëndetën me shtrëngim duarsh, u përqafuan dhe falënderuan njëri-tjetrin përpara nisjes së takimit.
Vance, kundërshtar i luftës me Iranin, mbërriti në Zvicër që të shtunën, duke deklaruar se bisedimet do të zhvilloheshin pas mbërritjes së përfaqësuesve të Iranit, Katarit dhe Pakistanit. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me operacionet ushtarake izraelite në Liban, të cilat konsiderohen një faktor që mund të komplikojë procesin diplomatik.
Pakistani nga ana e tij ka konfirmuar se negociatat do të fokusohen te zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit. Delegacioni pakistanez është një nga ndërmjetësit kryesorë në këtë raund bisedimesh, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit iranianë dhe ata të Katarit.
Delegacioni iranian përfshin kryetarin e Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, guvernatorin e Bankës Qendrore Abdolnaser Hemmati dhe zv.ministrin e Naftës Hamid Bovard.
Në qendër të negociatave mbetet çështja e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit. Sipas Wall Street Journal, SHBA-ja dhe Katari po punojnë për një plan që do t'i lejonte Iranit të përdorte miliarda dollarë fonde të bllokuara për blerjen e ushqimeve, ilaçeve dhe mallrave të tjera humanitare.
Sipas planit, Teherani mund të ketë fillimisht akses në 6 miliardë dollarë të mbajtura në Katar, pjesë e rreth 100 miliardë dollarëve asete të ngrira në vende të ndryshme të botës. Kjo shumë do të ishte kësti i parë i 24 miliardë dollarëve që Irani kërkon të rikuperojë.