TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

NATO po përgatitet të forcojë ndjeshëm mbrojtjen përgjatë kufijve lindorë të Evropës me Rusinë, duke krijuar në dy vitet e ardhshme një “zonë të automatizuar mbrojtëse”, të pajisur me sisteme të avancuara që funksionojnë pothuajse pa praninë e ushtarëve, ka bërë të ditur një gjeneral i lartë gjerman.
“Plani i mbrojtjes përfshin krijimin e një zone që armiku duhet ta kalojë përpara se të përparojë më tej, një lloj ‘zone të nxehtë’,” deklaroi për Welt am Sonntag gjeneral brigade Thomas Lowin, zëvendësshef i shtabit për operacionet në Komandën e Forcave Tokësore të NATO-s në Izmir.
Sipas tij, sensorë të vendosur në tokë dhe në ajër do të zbulojnë lëvizjet e forcave armike dhe do të aktivizojnë sisteme mbrojtëse si dronë të armatosur, automjete luftarake pjesërisht autonome, robotë tokësorë pa pilot, sisteme të automatizuara të mbrojtjes ajrore dhe raketore.
Megjithatë, Lowin thekson se vendimi final për përdorimin e armëve do të mbetet gjithmonë në duart e njeriut, pavarësisht nivelit të automatizimit.
Sensorët do të mbulojnë një territor prej mijëra kilometrash dhe do të mbledhin të dhëna mbi lëvizjet e armikut apo përdorimin e armëve, duke i shpërndarë informacionet në kohë reale për të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Plani parashikon gjithashtu forcimin e stoqeve ekzistuese të armëve, ndërsa elementët e parë të sistemit po testohen tashmë në Poloni dhe Rumani. Sipas Welt am Sonntag, zbatimi i plotë i sistemit pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2027.
Në këtë kontekst, pas një vale ndërhyrjesh nga dronë rusë ose të paidentifikuar në Poloni, Gjermani, Rumani, Danimarkë dhe Belgjikë, Komisioni Evropian ka hedhur idenë e krijimit të një “muri kundër dronëve”, megjithëse ende nuk është përcaktuar korniza e tij.
Bashkimi Evropian synon të mbështetet në përvojën e Ukrainës, e cila për më shumë se tre vite është përballur me sulme intensive nga dronët rusë.
“Polonia po përgatitet të nënshkruajë kontratën për sistemin më të madh anti-dronë në Evropë,” deklaroi ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.