TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një gjykatë zvicerane ka vendosur paraburgimin e bashkëpronarit të barit në Crans-Montana, ku natën e Vitit të Ri shpërtheu zjarri tragjik që i mori jetën 40 personave. Autoritetet e prokurorisë në kantonin Valais urdhëruan arrestimin e Jacques Moretti të premten (9 janar), pas një seance të gjatë dëshmie të tij dhe të bashkëshortes, Jessica, ndërsa pritej vendimi i gjykatës. Çifti ka shprehur publikisht pikëllimin për tragjedinë dhe është zotuar se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet hetuese.
Çfarë pretendon bashkëpronari?
Bashkëpronari i barit në qendrën skitore të Crans-Montana ka pranuar se një derë e mbyllur me çelës e bëri të pamundur arratisjen e 40 viktimave, si dhe të 114 personave të tjerë që u plagosën.
Sipas transmetuesit publik zviceran RTS, Jacques Moretti u ka deklaruar autoriteteve se në mbrëmjen e ndërrimit të viteve vuri re se dera anësore e hyrjes së barit ishte e bllokuar. Më pas, ai e ka zhbllokuar vetë nga jashtë dhe ka zbuluar disa trupa të pajetë pas derës.
“34 nga 40 viktimat humbën jetën të bllokuara në një shkallë të ngushtë”, ka raportuar RTS.
Ndërkohë, hetimet tregojnë se shumica e viktimave humbën jetën të bllokuara në shkallën e ngushtë të klubit, e cila ishte rindërtuar nga pronarët.
Konkretisht, nga 40 personat që humbën jetën në zjarr, të paktën 34 trupa u gjetën të bllokuar në pjesën e poshtme të kësaj shkalle, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga flakët, raportojnë mediat.
“Shkalla nuk e përballoi peshën. Njerëzit u shtypën dhe ranë në bodrum”, kanë deklaruar burime që kanë dijeni mbi ecurinë e hetimeve.
Shkalla në fjalë lidhte bodrumin, ku ndodhej pjesa më e madhe e njerëzve, me katin përdhes. Ajo ishte modifikuar gjatë punimeve të rinovimit të kryera në vitin 2015, duke u ngushtuar nga rreth tre metra në vetëm 1.37 metra.
Në momentin e shpërthimit të zjarrit, shumë prej të pranishmëve u drejtuan nga kjo shkallë, duke e konsideruar si rrugën më të lehtë të daljes.