BOTA, 21 Janar 2026, 22:41

Witkoff: Kemi pasur kontakte, por nuk jemi në bisedime me Iranin

Witkoff: Kemi pasur kontakte, por nuk jemi në bisedime me Iranin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff duke folur në emër të administratës Trump – tha se SHBA-ja nuk është në bisedime me Iranin tani për tani, megjithëse “kemi pasur kontakt me ta”.

Duke folur në një intervistë për CNBC, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Witkoff tha se “Irani është një marrëveshje që duhet të ndodhë”.

I pyetur për hollësi, ai e shmangu përgjigjen, por e përsëriti se ka mundësi për një marrëveshje.

Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor 2025, në tregjet e kryeqytetit Teheran, nga tregtarë të zemëruar për kushtet e këqija ekonomike, përfshirë inflacionin e madh dhe rënien e lirë të monedhës.

Trazirat u përshkallëzuan me shpejtësi, duke u shndërruar në demonstrata të gjera kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të standardeve të jetesës dhe shtypjes të lirive themelore.

Tensionet SHBA–Iran

Tensionet e kahershme mes Uashingtonit dhe Teheranit po thuajse kanë arritur pikën kulmore gjatë kësaj krize.

Presidenti amerikan, Donald Trump, fillimisht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme dhe të armatosura” dhe të përgatitura për të vepruar nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestues.

Më vonë, ai u zotua për “veprime shumë të fuqishme”, nëse Irani do të vazhdonte me ekzekutimin e protestuesve.

Trump më pas tha se kishte zgjedhur personalisht të mos urdhëronte sulme ushtarake kundër Iranit, duke ia atribuuar këtë vendim anulimit të raportuar nga Teherani të qindra ekzekutimeve të planifikuara.