TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Marine Le Pen do të mësojë këtë të martë nëse do të ketë të drejtë të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027. Gjykata e Apelit në Paris pritet të shpallë vendimin për çështjen e përvetësimit të fondeve të Parlamentit Europian, një proces që mund të përcaktojë të ardhmen politike të lideres së së djathtës franceze.
Vendimi pritet të publikohet në orën 13:30 dhe vjen në një moment kyç, pasi Le Pen kryeson sondazhet rreth 10 muaj para zgjedhjeve presidenciale. Ajo ka kandiduar tri herë për presidencën franceze dhe ka përfunduar e dyta përballë Emmanuel Macron në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2022.
Çështja lidhet me akuzat se Le Pen dhe anëtarë të tjerë të partisë së saj kanë përdorur në mënyrë të paligjshme rreth 1.4 milionë euro nga fondet e Parlamentit Europian për të paguar punonjës të partisë, duke i paraqitur ata si asistentë parlamentarë gjatë periudhës 2004-2016.
Në mars të vitit 2025, një gjykatë e shpalli Le Pen fajtore dhe i vendosi një ndalim pesëvjeçar për ushtrimin e funksioneve publike, masë që do ta përjashtonte nga gara presidenciale e vitit 2027. Ajo u dënua gjithashtu me katër vite burg, dy prej të cilave me kusht dhe dy të tjera me mbikëqyrje elektronike.
Gjatë procesit të apelit, Le Pen ka mohuar se ka organizuar një skemë mashtrimi, ndërsa ka pranuar se ka pasur “një gabim” lidhur me punën e disa ndihmësve parlamentarë, të cilët sipas saj kanë kontribuar për aktivitetin e partisë.
Prokuroria ka kërkuar që ndalimi për të mbajtur poste publike të mbetet në fuqi, ndërsa ka propozuar një rishikim të dënimit me burg.
Në rast se vendimi i gjykatës nuk e lejon Le Pen të kandidojë, kandidati i mundshëm i kampit të saj do të jetë Jordan Bardella, aleati i ri politik dhe një nga figurat më të njohura të partisë.
Vendimi i së martës pritet të ketë ndikim të madh në skenën politike franceze dhe mund të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027