BOTA, 19 Nëntor 2022, 21:23

Vdes emigranti që erdhi në Britani me gomone, qëndroi në kampin famëkeq të Manston

Vdes emigranti që erdhi në Britani me gomone, qëndroi në
Foto ilustrim: Emigrantë me gomone

Britani e Madhe - Një emigrant që qëndronte në kampin Manston në Kent, ka ndërruar jetë pasi u dërgua në spital. 

Identiteti dhe kombësia e viktimës nuk bëhen ende të ditura. 

Sipas Home Office, emigranti kishte udhëtuar drejt Britanisë së Madhe me gomone në datën 12 nëntor. Ai po mbahej në kampin e Manston, ku qëndrojnë emigrantët për tu shqyrtuar. 

Mësohet se viktima është ndjerë keq ditën e premte dhe është çuar në spital, por ka ndërruar jetë të shtunën në mëngjes. Ende nuk dihen arsyet e vdekjes, por viktima do t'i nënshtrohet një autopsie. 

Autoritetet janë kritikuar për shkak se kampi i Manston është "përmbytur" me emigrantë dhe strehon më shumë se kapaciteti maksimal.
Manston, dikur një bazë ushtarake që ka kapacitet për të strehuar 1000-1600 persona, është kaq i populluar sa të dhënat tregojnë që në tetor të këtij viti rreth 4000 emigrantë po qëndronin në kamp, mes tyre shumë shqiptarë që vijnë me gomone drejt Britanisë. 

Ka patur akuza të shumta për kushtet e këqija higjenike në këtë kamp.