BOTA, 1 Mars 2024, 09:01

Varrimi i Alexei Navalnyt, kompanitë e funeraleve refuzojnë bartjen e trupit të pajetë pasi kanë marrë kërcënime

Varrimi i Alexei Navalnyt, kompanitë e funeraleve refuzojnë bartjen e

Kur kanë mbetur edhe disa orë deri në funeralin e Alexei Navalnyt, ekipi po vazhdon të hasë në vështirësi rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës.

Zëdhënësja e opozitarit të ndjerë, Kira Yarmysh tha se ata nuk kishin mundur të gjenin një veturë e bartjes së trupit të pajetë për ta dërguar trupin në kishë.

“Njerëz të panjohur po telefonojnë kompanitë mortore dhe po i kërcënojnë për bartjen e trupit të Alexeit”, tha ajo.

Funerali do të mbahet të premten (sot) në periferi të Moskës – dy javë pasi ai vdiq në një burg në Arktik, raporton bbc.

Të mërkurën, ekipi njoftoi se shërbimi përkujtimor do të mbahet në orën 14:00 (me orën lokale) në Moskë.

Varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Borisovskoye rreth orës 16:00.

Shërbimi i varrimit do të transmetohet gjithashtu në internet në kanalin e Navalny në YouTube.

Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg rus, ku po vuante disa dënime në sajë të akuzave të sajuara. 

I lindur në një fshat në perëndim të Moskës, Alexei Navalny u bë ndoshta kritiku më i madh i presidentit rus, Vladimir Putin.

Aktivizimi i tij politik, duke përfshirë hetime të gjera për korrupsionin e nivelit të lartë dhe kandidimin për të qenë kryebashkiak i Moskës, i dha atij famë dhe shumë besonin se ai përbënte një kërcënim për Putinin.

Ishte muaji gusht i vitit 2020 kur lufta e tij kundër presidentit rus pushtoi titujt kryesor të mediave botërore, shkruan skynews.

Ai u sëmur rëndë gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë ndërsa në gjendje koma u dërgua për shërim në kryeqytetin gjerman, Berlin. Ekipi i tij akuzoi Kremlinin, një akuzë që e mohoi Moska.

Mjekët gjermanë konfirmuan se ai ishte helmuar me novichok – një agjent nervor i kohës sovjetike – dhe shërimi i tij zgjati me muaj.

Pavarësisht rrezikut, Navalny zgjodhi të kthehej në Rusi, ku më vonë u arrestua dhe u dënua me akuza që ai thotë se janë të motivuara politikisht dhe mbeti në burgjet ruse deri në vdekje.

Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, e ka fituar Çmimin Sakharov, një shpërblim prestigjioz që ndahet nga Parlamenti Evropian për mbrojtësit e të drejtave të njeriut.