TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri polak Donald Tusk ka rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë për Ukrainën, pavarësisht një mosmarrëveshjeje historike mes dy vendeve.
“Edhe pse ekzistojnë tensione emocionale, Polonia qëndron pranë Ukrainës në përballjen e saj me Rusinë”, tha sot Tusk gjatë një takimi të liderëve të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Polonisë dhe Italisë në Berlin.
“Në prag të samitit të NATO-s në Ankara pas dy javësh, është veçanërisht e rëndësishme ruajtja e unitetit si në nivel evropian, ashtu edhe në kuadër të komunitetit transatlantik”, theksoi ai.
Tusk nënvizoi gjithashtu se duhet bërë gjithçka, për të siguruar që vendet e krahut lindor të NATO-s – të cilat sipas tij janë të kërcënuara drejtpërdrejt nga politika agresive e Moskës – të përfshihen në të gjitha formatet e negociatave.
“Pa Poloninë, vendet skandinave dhe baltike dhe Rumaninë, do të ishte e vështirë të arrihej diçka në këtë ‘përballje qytetërimesh’ me Rusinë”, tha ai.
Ndërkohë, konferenca për rindërtimin e Ukrainës, që nis të enjten në qytetin portual polak Gdansk, po zhvillohet nën hijen e një mosmarrëveshjeje mes Varshavës dhe Kievit.
Presidenti konservator polak, Karol Nawrocki i hoqi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky një dekoratë të lartë shtetërore polake.
Polemika, e cila ka javë që po zgjat, u shkaktua pasi Zelensky, i vuri një njësie ushtarake, emrin e luftëtarëve të fshehtë ukrainasë nga Lufta e Dytë Botërore.
Këta luftëtarë akuzohen gjithashtu për masakra ndaj dhjetëra mijëra polakëve dhe hebrenjve në territorin e sotëm të Ukrainës perëndimore, gjë që ka shkaktuar reagime të forta në Poloni.
Zelensky pritet të përfaqësohet në konferencë nga kryeministrja Yulia Svyrydenko.