BOTA, 29 Janar 2026, 19:53

Trump zhvillon bisedë telefonike me presidenten e Meksikës: Diskutim produktiv, folëm për çështjet e sigurisë dhe tregtisë

Trump zhvillon bisedë telefonike me presidenten e Meksikës: Diskutim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, e cilësuan “produktive” bisedën e tyre telefonike lidhur me marrëdhëniet tregtare dhe çështjet e sigurisë.

Trump, në një postim në platformën Truth Social, tha se pati një “bisedë shumë produktive” me Sheinbaum-in, me fokus “kufijtë dhe tregtinë”.

Ai shtoi se do të komunikojnë sërish së shpejti dhe se do të organizojnë takime ballë për ballë në vendet respektive.

Nga ana e saj, Sheinbaum konfirmoi se biseda ishte “miqësore dhe produktive”. Sa i përket sigurisë, “ramë të dy dakord se gjërat po shkojnë mirë”, tha ajo gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp, pavarësisht faktit se në mesin e muajit Trump kishte kërcënuar me një “ndërhyrje tokësore kundër karteleve të drogës”, veçanërisht në Meksikë.

Presidentja e majtë shtoi se “vazhdon rishikimi” i marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Kanadasë, Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës (USMCA).

Kanadaja dhe Meksika, ekonomitë e të cilave varen në masë të madhe nga SHBA-ja, përballen me rrezikun e politikave proteksioniste të ndjekura nga Trump.

Synimi për të dyja vendet është të rinegociojnë kushte sa më të favorshme në kuadër të USMCA-së, të cilën Trump e ka cilësuar si “të parëndësishme” për ekonominë amerikane.