BOTA, 8 Prill 2026, 00:53

Dakordësohet armëpushimi dyjavor, Trump tërhiqet nga ultimatumi, Irani hap Ngushticën e Hormuzit

Dakordësohet armëpushimi dyjavor, Trump tërhiqet nga ultimatumi,

SHBA dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim dyjavor. 

Donald Trump njoftoi i pari se pas diskutimeve me udhëheqjen e Pakistanit, do të kishte një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit, nëse Irani do të pranonte hapjen e Ngushticës së Hormuzit, kusht ky i pranuar nga iranianët. 

“Unë bie dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh,” deklaron Trump.  “Ky do të jetë një ARMËPUSHIM nga të dyja palët!”, tha ai. 

Trump vazhdon duke thënë se do të pranojë armëpushimin dyjavor “me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN e PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit.” Trump thotë se arsyeja pse ka rënë dakord për armëpushimin e përkohshëm është sepse “ne tashmë i kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake”. Ai shton gjithashtu se ky njoftim vjen sepse “jemi shumë pranë një marrëveshjeje përfundimtare për PAQE afatgjatë me Iranin dhe PAQE në Lindjen e Mesme”.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka njoftuar se Irani do të pranojë një armëpushim “nëse sulmet kundër Iranit ndalen”.

Ai vazhdon: “për një periudhë prej dy javësh, kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur”. Kjo do të realizohet “nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike”, shton ai. 

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka ndërmjetësuar negociatat, ka njoftuar se armëpushimi hyn në fuqi menjëherë.

“Me përulësinë më të madhe, kam kënaqësinë të njoftoj se Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre, kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm kudo, përfshirë Libanin dhe vende të tjera, ME EFEKT TË MENJËHERSHËM.”

Ai e mirëpret këtë zhvillim dhe fton delegacionet në Islamabad të premten, më 10 prill, “për të vijuar negociatat drejt një marrëveshjeje përfundimtare për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve.”

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit (SNSC) ka deklaruar në një njoftim, pas shpalljes së armëpushimit të kushtëzuar, se negociatat do të zhvillohen në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, brenda një periudhe maksimale prej 15 ditësh, në mënyrë që detajet të “finalizohen”. Në deklaratë thuhet se negociatat do të mbahen në mënyrë që “fitorja e Iranit në terren të konsolidohet edhe në negociatat politike”.

Deklarata shkon përtej planit me 10 pika të shpallur nga televizioni shtetëror dhe thekson se SHBA ka rënë dakord të:

*Të garantojë që nuk do të përsërisë “agresionin” ndaj Iranit
*Vazhdimin e kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit
*Pranimin e pasurimit [të uraniumit]
*Heqjen e të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare
*Shfuqizimin e të gjitha rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike
*Pagesën e kompensimeve ndaj Iranit
*Tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga rajoni
*Ndërprerjen e luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe kundër “rezistencës islamike të Libanit”