BOTA, 23 Janar 2026, 09:35

Trump: Ta testojmë NATO-n përmes nenit 5, Aleanca të ndërhyjë për të mbrojtur kufirin tonë jugor

Trump: Ta testojmë NATO-n përmes nenit 5, Aleanca të

Gjatë kthimit nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer kritikat dhe provokimet ndaj NATO-s, duke hedhur idenë e testimit të Aleancës përmes nenit 5.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se SHBA-ja mund të thërrasë nenin 5 të NATO-s për të detyruar aleatët të mbrojnë kufirin jugor amerikan nga, siç u shpreh ai, “pushtime të mëtejshme të emigrantëve ilegalë”.

Sipas tij, një veprim i tillë do të lironte një numër të madh agjentësh të patrullës kufitare për detyra të tjera.

Neni 5 i NATO-s parashikon mbrojtje kolektive në rast sulmi ndaj një vendi anëtar dhe tradicionalisht është lidhur me kërcënime ushtarake, jo me çështje migracioni.

Ndërkohë, Trump ka ndërmarrë edhe një tjetër hap që thellon tensionet diplomatike me Kanadanë. Presidenti amerikan ka tërhequr ftesën drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Board of Peace”, një strukturë e re e propozuar nga Shtëpia e Bardhë.