BOTA, 10 Qershor 2026, 22:03

Trump: SHBA-ja do ta godasë sërish sot Iranin

Trump: SHBA-ja do ta godasë sërish sot Iranin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se Uashingtoni do ta godasë sërish Iranin gjatë ditës së sotme, pasi të dyja palët shkëmbyen sulme gjatë natës, raportoi BBC.

“E goditëm fort dje dhe do ta godasim fort sërish sot”, tha Trump, duke i bërë gjithashtu thirrje Teheranit të nënshkruajë një marrëveshje.

Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Irani do të qëndrojë i vendosur përballë çdo presioni ose kërcënimi.

SHBA-ja kreu dje sulme ndaj objektivave iraniane, pasi Trump tha se Irani kishte rrëzuar një helikopter të Ushtrisë Amerikane.

Ndërsa Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, njoftoi se ishte kundërpërgjigjur me sulme ndaj bazave amerikane në rajon.

Sipas ushtrisë amerikane, pothuajse të gjitha raketat dhe dronët iranianë të lëshuar ndaj bazave amerikane, në Lindjen e Mesme u interceptuan dhe nuk pati viktima.

“Ata janë vonuar shumë për të negociuar një marrëveshje që do të kishte qenë e shkëlqyer për ta, tani do të duhet të paguajnë çmimin!!!”, shkroi më herët, Trump në media sociale.

Ai tha se Irani ishte “shuar plotësisht” ushtarakisht.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqai akuzoi SHBA-në, se po dëmton këtë proces diplomatik përmes mesazheve kontradiktore që dërgojnë, ndryshimeve të përsëritura në pozicione dhe kërkesa, dhe, më e keqja nga të gjitha, përmes shkeljeve të përsëritura të armëpushimit.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) miratoi një rezolutë të mbështetur nga SHBA-ja, që i kërkon Iranit të japë detaje mbi rezervat e uraniumit dhe objektet e prodhimit bërthamor, duke rritur tensionet mes palëve.