TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton një plan për ndërtimin e një harku triumfi të përhershëm me lartësi rreth 76 metra në zemër të Washingtonit, me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Monumenti i propozuar, i quajtur “Independence Arch”, parashikohet të vendoset në Memorial Circle, një rrethrrotullim pranë Memorial Bridge, mes Lincoln Memorial dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit.
Përmasat e monumentit kanë ndezur që tani debate të forta. Me një lartësi gati dy herë e gjysmë më të madhe se Shtëpia e Bardhë dhe dukshëm më e lartë se Lincoln Memorial, harku do të dominojë boshtin që lidh monumente ikonike të historisë amerikane, duke ndryshuar, sipas ekspertëve, ekuilibrat vizualë të zonës dhe duke kufizuar pamjen si drejt Arlington House, ashtu edhe drejt lumit Potomak.
Vetë Trump e ka krahasuar publikisht projektin me Harkun e Triumfit në Paris, duke deklaruar se versioni amerikan do ta “tejkalojë me shumë”. Megjithatë, Arc de Triomphe ka një lartësi prej 49.5 metrash, çka e bën ndërtimin e propozuar në Uashington një nga harqet e triumfit më të mëdha në botë.
Qarqet arkitekturore dhe historike, të cilat fillimisht e kishin parë pozitivisht idenë e një monumenti simbolik për përvjetorin e pavarësisë, tani po shprehin rezerva serioze për shkallën dhe vendndodhjen e tij.
Sipas Washington Post, kritiku i artit Catesby Leigh, i cili më herët kishte propozuar një hark më të vogël dhe të përkohshëm me lartësi rreth 20 metra, thekson se një vepër kaq e madhe dhe e përhershme “nuk i përket” atij vendi specifik. Ai kishte sugjeruar gjithashtu arkitektin Nicholas Leo Charbonnet, i cili thuhet se tashmë po bashkëpunon me Shtëpinë e Bardhë për projektin.
Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se vendosja e një harku triumfi në qendër të një nyje të ngarkuar trafiku do të ndryshojë karakterin e një korridori monumental “serioz dhe emocionalisht të ngarkuar”, i cili ishte projektuar për të lidhur simbolikisht Veriun dhe Jugun pas Luftës Civile. Njëkohësisht, theksohet se qasja e këmbësorëve në një monument të tillë do të ishte praktikisht e vështirë për shkak të trafikut të dendur rreth Memorial Circle.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe ndikimit vizual nga Varrezat Kombëtare të Arlingtonit drejt Uashingtonit. Siç vërejnë ekspertët, pamja drejt Lincoln Memorial dhe qendrës së kryeqytetit është pjesë thelbësore e përvojës së vizitorëve, dhe një hark i kësaj madhësie mund ta riformësojë plotësisht atë.
Në planin politik, projekti duket se shoqërohet me lëvizje që lehtësojnë avancimin e tij. Presidenti emëroi së fundmi biznesmenin Rodney Mims Cook Jr. në Komisionin e Arteve të Bukura (Commission of Fine Arts), organi federal që shqyrton dhe miraton projektimin e monumenteve të reja në Uashington. Paralelisht, Trump ka publikuar në rrjetet sociale imazhe të mundshme të harkut, përfshirë edhe versione me detaje të arta.
Sa i përket financimit, është hedhur ideja që ndërtimi të mbulohet nga donacione private të mbetura nga një tjetër projekt i madh i Shtëpisë së Bardhë, salla e pritjeve, kostoja e së cilës vlerësohet rreth 400 milionë dollarë.
Megjithatë, projekti nuk mund të ecë përpara menjëherë: çdo monument i ri në kryeqytetin federal kërkon miratime nga disa komisione dhe, në disa raste, edhe pëlqimin e Kongresit.
Përballë reagimeve, po formulohet edhe një propozim kompromisi. Catesby Leigh sugjeron një vendndodhje alternative, si Barney Circle në Uashingtonin juglindor, pranë Congressional Cemetery, ku sipas tij, një hark kaq i madh mund të vendoset pa “konkurruar” me monumente historike.
Nëse presidenti do të këmbëngulë në vendin aktual apo do të shqyrtojë ndryshime, mbetet e hapur, pasi projekti ndodhet ende në një fazë të hershme.