TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti Donald Trump duket se nuk ia ka vënë ende kapakun zemërimit me Giorgia Melonin. Presidenti amerikan e ka fshikulluar sërish kryeministren italiane përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku e shoqëroi një foto të sajën me mbishkrimin: “Nevojitet një urdhër mbrojtjeje.”
Postimi erdhi vetëm pak përpara samitit të NATO-s, që zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, dhe shihet si episodi më i fundit në përplasjen mes Uashingtonit dhe Romës. Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon Melonin. Pas samitit të G7 në Evian, ai pretendoi se shefja e ekzekutivit italian i ishte lutur të bënin një foto së bashku. Meloni iu përgjigj përmes një videoje në rrjetet sociale, duke deklaruar: “As unë dhe as Italia nuk i lutemi askujt.”
Postimi i fundit pritet të ndikojë edhe në atmosferën e samitit të NATO-s, ku liderët e vendeve anëtare do të diskutojnë të ardhmen e aleancës dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Për javë të tëra, qeveritë e vendeve anëtare kanë zhvilluar negociata për të shmangur përplasjet mbi objektivin që secili shtet të investojë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sektorin e mbrojtjes.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh optimist se samiti do të zhvillohet pa probleme të mëdha, duke theksuar se angazhimet e marra do të respektohen dhe se takimi pritet të jetë i shkurtër. Megjithatë, ai u shpreh se Trump mbetet një faktor i paparashikueshëm. Presidenti amerikan, i cili pritet të takohet në Ankara edhe me kreun e shtetit ukrainas Volodymyr Zelensky, i ka kritikuar vazhdimisht aleatët europianë për atë qe e shikon si mungesë të kontributit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndërkohë, disa media ndërkombëtare, përfshirë Politico, thonë se retorika e Trump ndaj aleatëve evropianë synon të ushtrojë presion për rritjen e investimeve në mbrojtje prej së cilës do të përfitonte edhe vetë industria amerikane e armëve.