TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ripërsëriti të dielën se Shtetet e Bashkuara do të marrin Grenlandën në një mënyrë ose në një tjetër, duke argumentuar se në të kundërt do ta marrin Rusia ose Kina.
“Të bëjmë një marrëveshje është pjesa e lehtë, por me një mënyrë apo tjetrën ne do ta kemi Grenlandën,” deklaroi Trump nga bordi i Air Force One.
Ai sqaroi se Uashingtoni nuk po flet për një “qira afatshkurtër” të territorit danez, por për marrjen e pronësisë: “Na duhet një titull pronësie. Grenlanda duhet të pranojë marrëveshjen, sepse ata nuk duan të shohin Rusinë ose Kinën që marrin kontrollin,” tha presidenti, duke ironizuar mbi mbrojtjen e autonomisë së territorit danez.
Trump u shpreh më tej: “Në thelb, mbrojtja e tyre bazohet në dy sledge me qentë. E dini këtë? Kjo është mbrojtja e tyre. Ndërkohë, ne shohim anije luftarake ruse dhe nënujore kudo, dhe gjithashtu kineze.”
Ai theksoi se SHBA nuk do të lejojë këtë situatë. “Nëse ndikon tek NATO, le të ndikojë. Por ata kanë nevojë më shumë për ne sesa ne për ta, kjo është e sigurt,” tha Trump.
Grenlanda i përket Danimarkës, e cila është anëtare e NATO-s, si dhe Shtetet e Bashkuara. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, deklaroi javën e kaluar se çdo sulm amerikan ndaj një anëtari të Aleancës do të shënonte “fundin e gjithçkaje”, duke përfshirë NATO-n dhe sistemin e sigurisë që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas deklaratave të Trump, Kina kërkoi që SHBA të mos përdorin vende të tjera si justifikim për të ndjekur interesat e tyre.
“Arktiku përfshin interesat e gjithë komunitetit ndërkombëtar,” tha në konferencë për shtyp Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.
Ajo shtoi se veprimet e Kinës në Arktik synojnë të promovojnë paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, dhe bëri thirrje për respektimin e të drejtave dhe lirisë së të gjitha vendeve për të kryer veprime legjitime në rajon.