BOTA, 11 Prill 2026, 15:53

Trump: Kemi nisur pastrimin e Hormuzit! Irani po humbet keq, Forcat Ajrore dhe Marina e tyre janë zhdukur

Trump: Kemi nisur pastrimin e Hormuzit! Irani po humbet keq, Forcat Ajrore dhe

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata të ashpra për situatën në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa vijojnë bisedimet direkte mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump deklaron se “ka nisur pastrimi i Hormuzit”, duke pretenduar se “të gjitha 28 anijet iraniane që vendosnin mina janë fundosur”.

Ai sulmoi gjithashtu mediat amerikane, duke i akuzuar për mungesë besueshmërie dhe për pasqyrim të gabuar të situatës, ndërsa tha se Irani “po humb në çdo front”, përfshirë flotën detare, forcën ajrore dhe kapacitetet me raketa e dronë.

Trump pretendoi gjithashtu se infrastruktura ushtarake iraniane është dëmtuar rëndë dhe bëri një deklaratë edhe për lidershipin e vendit.

Në të njëjtin mesazh, ai njoftoi se SHBA po nis një operacion për “pastrimin” e Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar si një veprim në interes të lundrimit global dhe vendeve të mëdha si Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Franca dhe Gjermania.

Ai ironizoi gjithashtu disa shtete që, sipas tij, “nuk kanë vullnetin ta bëjnë këtë vetë”.

Ndërkohë, sipas raportimeve të Axios, disa anije të Marinës amerikane kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit, në një lëvizje që nuk është koordinuar me palën iraniane.

Postimi i Trump në Truth Social: 

“Mediat e lajmeve të rreme kanë humbur tërësisht besueshmërinë, nëse ndonjëherë kanë pasur fare. Për shkak të Sindromës së tyre të madhe të Çmendurisë ndaj Trump-it (ndonjëherë e quajtur TDS!), ata duan të thonë se Irani është ‘duke fituar’, kur në fakt të gjithë e dinë se ata PO HUMBIN, dhe PO HUMBIN KEQ!

Marina e tyre është zhdukur, Forca Ajrore është zhdukur, sistemet e tyre kundërajrore nuk ekzistojnë, radarët janë të shkatërruar, fabrikat e raketave dhe dronëve janë shkatërruar në masë të madhe, bashkë me raketat dhe dronët vetë dhe, më e rëndësishmja, ‘liderët’ e tyre prej kohësh nuk janë më me ne, lavdi Zotit!

E vetmja gjë që u ka mbetur është kërcënimi se ndonjë anije mund të ‘përplaset’ me ndonjë nga minat e tyre detare, por meqë ra fjala, të 28 anijet e tyre që vendosin mina janë gjithashtu në fund të detit.

Tani po nisim procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit, si një shërbim për vendet në mbarë botën, përfshirë Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Francën, Gjermaninë dhe shumë të tjera.

Është e pabesueshme, por ata nuk kanë as guximin dhe as vullnetin ta bëjnë vetë këtë punë.

Çuditërisht, megjithatë, anije të zbrazëta që transportojnë naftë nga shumë vende po shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u mbushur me naftë.

Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!