BOTA, 7 Korrik 2026, 10:24

Trump i zemëruar me vendet e NATO-s, shqyrtoi tërheqjen e mijëra trupave amerikane nga Evropa

Trump i zemëruar me vendet e NATO-s, shqyrtoi tërheqjen e mijëra

Presidenti amerikan Donald Trump ka shqyrtuar mundësinë e reduktimit me një të tretën të trupave amerikane të dislokuara në Evropë, si një mënyrë për t’u dërguar një mesazh aleatëve të NATO-s, raportojnë burime të njohura me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas CNN, ideja u hodh gjatë një takimi këtë pranverë, kur Trump shprehu pakënaqësi për faktin se vendet aleate nuk iu bashkuan fushatës së tij ushtarake kundër Iranit.

Pothuajse në të njëjtën periudhë, Pentagoni anuloi dy dislokime ushtarake amerikane në Evropë dhe urdhëroi largimin e një pjese të personelit nga kontinenti.

Raporti thekson se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte planifikuar të njoftonte në samitin e NATO-s në qershor shkurtime edhe më të mëdha të pranisë ushtarake amerikane. Megjithatë, pas konsultimeve me zyrtarë të lartë të administratës, plani u zëvendësua me një rishikim gjashtëmujor të forcave amerikane në Evropë.

Sipas burimeve, Trump vazhdon të shprehë skepticizëm ndaj NATO-s, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara mbajnë barrën kryesore të mbrojtjes së Evropës, ndërsa aleatët nuk kontribuojnë mjaftueshëm.

Presidenti amerikan nuk e ka përjashtuar as mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga aleanca dhe më herët ka kërcënuar edhe me marrjen e Grenlandës, territor i Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s. Qëndrimet e tij kanë shtuar shqetësimet mes aleatëve evropianë për të ardhmen e angazhimit amerikan në sigurinë e kontinentit.