BOTA, 1 Maj 2024, 19:20

Tre të vrarë në Odesa nga një sulm rus me raketa

Tre të vrarë në Odesa nga një sulm rus me raketa
Një sulm rus me raketa balistike të mërkurën në qytetin port ukrainas të Odesës, shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, tha guvernatori i rajonit, Oleh Kiper. Ai tha gjithashtu se sulmi shkaktoi dëme në infrastrukturën civile. Është dita e dytë radhas që Odesa bëhet objekt i sulmeve vdekjeprurëse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të mërkurën se mbrojtja e saj ajrore shkatërroi tre dronë ukrainas mbi rajonin e Voronezhit, si dhe dronët që synon të godisnin në Belgorod, Kursk dhe Ryazan. Aleksandr Gusev, guvernatori i Voronezhit, tha se mbetjet e një droni dëmtuan një shtëpi, por nuk pati të lënduar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri përsëri thirrje aleatëve në fjalimin e tij të mbrëmjes që të dërgojnë sa më shpejt ndihma ushtarake në Ukrainë. “Kemi nevojë për një përshpejtim të konsiderueshëm të dërgesave për të forcuar ndjeshëm aftësitë e ushtarëve tanë”, tha Zelenskyy. “Nuk janë bombat ajrore ruse dhe operacionet sulmuese që duhet të mbizotërojnë vijën e frontit, por përpjekjet tona ukrainase – mbrojtja jonë ajrore, artileria jonë, dronët tanë”.

Presidenti tha se Ukraina i ka shpresat tek shpejtësia e dërgimit të ndihmave amerikane. Shtetet e Bashkuara janë zotuar të dërgojnë me shpejtësi paisjet e reja ushtarake në Ukrainë, pasi ligjvënësit miratuan ndihmën e re prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila kishte ngecur prej muajsh.