TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të paktën 49 persona kanë humbur jetën në shkretëtirën e Saharasë, në veri të Nigerit, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u prish dhe ata mbetën pa ujë në mes të shkretëtirës.
Sipas autoriteteve lokale, grupi po kthehej nga Mali, ku kishte marrë pjesë në një festival mysliman. Automjeti doli nga rruga e planifikuar dhe u bllokua rreth 80 kilometra në perëndim të Asamakës, një pikë e rëndësishme kufitare mes Nigerit dhe Algjerisë.
Për disa ditë me radhë, shoferi dhe pasagjerët tentuan të riparonin mjetin, por pa sukses. Të mbetur pa ujë dhe të ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme, ata u gjendën në kushte të pamundura për mbijetesë.
Vetëm dy persona arritën të mbijetonin. Ata ecën për kilometra të tëra në shkretëtirë deri në Asamaka, ku njoftuan autoritetet për tragjedinë.
Guvernatori i rajonit deklaroi se viktimat u gjetën pranë kamionit të ndaluar, ndërsa shumë prej trupave ndodheshin nën hijen e mjetit, në përpjekje për t’u mbrojtur nga vapa përvëluese.
Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, ekipet hasën edhe një kamion tjetër të dëmtuar me mbi 60 persona në bord, të cilët kishin mbetur të bllokuar për tre ditë për shkak të një defekti në bateri. Forcat e shpëtimit u shpërndanë ujë udhëtarëve dhe ndihmuan në riparimin e mjetit, duke u mundësuar atyre të vazhdonin udhëtimin në siguri.
Shkretëtira e Nigerit mbetet një nga rrugët kryesore të kalimit për migrantët nga Afrika Perëndimore që përpiqen të arrijnë në Evropë, pavarësisht rreziqeve të mëdha që paraqet ky udhëtim.