BOTA, 2 Nëntor 2024, 22:55

Thirrja e SHBA drejtuar Iranit: Nëse sulmoni sërish, ne nuk do të jemi në gjendje ta frenojmë Izraelin. Nuk e përmbajmë dot

Thirrja e SHBA drejtuar Iranit: Nëse sulmoni sërish, ne nuk do të

SHBA ka paralajmëruar Iranin që të mos nisë një tjetër sulm ndaj Izraelit, duke theksuar se nëse ata sulmojnë përsëri, Uashingtoni nuk do të jetë në gjendje të frenojë shtetin hebre.

Kështu shkruan Axios duke cituar një zyrtar amerikan dhe një ish-zyrtar izraelit.

“Ne u thamë iranianëve: nuk do të jemi në gjendje ta mbajmë Izraelin dhe nuk do të jemi në gjendje të garantojmë se sulmi i ardhshëm do të jetë po aq i kalibruar dhe i shënjestruar sa ai i mëparshmi”, - shkruan Axios, e cila citon zyrtarin amerikan.

Ndërsa zyrtari izraelit tha se mesazhi është përcjellë nga Uashingtoni tek Irani përmes zviceranëve.

Madje, zyrtari amerikan deklaroi se mesazhi iu dërgua drejtpërdrejt iranianëve, gjë që është e jashtëzakonshme sepse kontakte të tilla të drejtpërdrejta zbulohen rrallë.

Axios kishte raportuar se inteligjenca izraelite sugjeron se Irani po përgatitet të sulmojë Izraelin nga toka irakiane brenda ditëve të ardhshme, ndoshta përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Esmail Khousari, një anëtar i komitetit të sigurisë kombëtare të parlamentit të Iranit, tha të shtunën se Këshilli i Sigurimit i Iranit kishte rënë dakord për një përgjigje, por jo ende për datën dhe mënyrën e saktë .

Megjithatë, ai tha se sulmi do të kryhet në koordinim me grupet e tjera të “rezistencës” në rajon dhe do të ishte më intensiv se sulmi i Iranit më 1 tetor, në të cilin u përdorën rreth 180 raketa balistike.