BOTA, 13 Qershor 2026, 13:54

Suedia intercepton dy avionë luftarakë rusë pranë hapësirës së saj ajrore

Suedia intercepton dy avionë luftarakë rusë pranë

Suedia njoftoi sot se ngriti në fluturim urgjent dy çifte avionësh luftarakë “JAS 39 Gripen” pasi interceptoi dy avionë luftarakë rusë, që po fluturonin mbi detin Baltik pranë hapësirës së saj ajrore.

Sipas ushtrisë suedeze, dy incidentet ndodhën dje, njëri në pjesën jugore dhe tjetri në pjesën veriore të detit Baltik.

Edhe avionë të NATO u ngritën në fluturim për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të përbashkët.

Autoritetet suedeze theksuan se hapësira ajrore e vendit nuk u shkel në asnjërin prej rasteve, por veprimet u monitoruan nga afër nga forcat ajrore.

Zëvendësadmiralja Ewa Skoog Haslum, shefe e operacioneve të përbashkëta të ushtrisë suedeze, i cilësoi veprimet ruse si serioze dhe pjesë të një sjelljeje të përsëritur që, sipas saj, kërcënon integritetin territorial dhe sigurinë e Suedisë.

Suedia iu bashkua NATO-s në mars të vitit 2024, duke i dhënë fund dekadave të politikës së mosangazhimit ushtarak.

Tensionet në rajonin e detit Baltik janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Që atëherë, vendet anëtare të NATO-s kanë shtuar patrullimet ajrore dhe detare në rajon, ndërsa incidentet mes avionëve ushtarakë rusë dhe forcave të aleancës janë bërë më të shpeshta.