BOTA, 19 Janar 2023, 18:08

Skandali “Katargate”, akuza e fortë e avokatit të eurodeputetes: Eva Kaili po torturohet në burg

Skandali “Katargate”, akuza e fortë e avokatit të

Avokati grek Michalis Dimitrakopoulos ka përsëritur thirrjen se klientja e tij, eurodeputetja Eva Kaili është e pafajshme lidhur me skandalin në PE, ndërsa bëri akuzën e fortë se ajo po torturohet në qeli nga të burgosurit e tjerë.

Sipas CorriereDellaSera, në një seancë që zgjati më pak se një orë në Gjykatën e Brukselit, avokati i Kailit është shprehur se të burgosurit e tjerë e kanë torturuar eurodeputeten duke e penguar të mbulohej, të lahej apo të flinte në qelinë e saj.

Avokati tha se kishte kërkuar edhe një herë lirimin e Eva Kailit me masa alternative si byzylyku elektronik apo masa të tjera të ngjashme duke protestuar për kushtet në të cilat ndodhet eurodeputetja.

“Nga 11 deri më 13 janar ajo ishte në izolim me urdhër të gjyqtarit hetues Michel Claise. Ajo u mbajt për 16 orë në një qeli policie, në të ftohtë, pasi i refuzuan të merrte batanije dhe i morën pallton, drita ishte gjithmonë e ndezur, gjë që e pengonte të flinte, ajo nuk lejohej të lahej edhe pse kishte menstruacione”, thuhet në deklaratën e avokatëve.

Avokati vijoi në seancë duke shtuar se klientja e tij është duke u trajtuar si në mesjetë.

“Natyrisht, Eva Kaili është nën akuzë: por gjithmonë ekziston një prezumim i pafajësisë. Në fund të fundit, ne jemi në Evropë. Këto sjellje shkelin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë torturë dhe na kthejnë në mesjetë. Ju kërkoj t’i bëni publike këto fakte, sepse fakti që ato njihen përfaqëson shpirtin e drejtësisë. Unë vazhdoj të shpresoj se procesi do të jetë i drejtë, sepse ne jemi në Evropë”, vijoi ai.