TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kur Salvatore Catalone zbuloi se bosi i mafias Matteo Messina Denaro jetonte shumë afër banesës së tij në Campobello di Mazara, nuk u ndje mirë. Vëllai i tij, Agostino, ishte polic kur vdiq në një bombë të vendosur në vitin 1992 që vrau edhe magjistratin Paolo Borsellino. Prokurorët thonë se këtë sulm e organizoi Messina Denaro.
“Ka zemërim në zemrën dhe shpirtin tim tani që e di që ai ishte atje dhe nuk e njoha”, tha Catalano për Reuters.
Messina Denaro, u arrestua në moshën 60-vjeçare më 16 Janar të këtij viti. Ai kaloi 30 vite në arrati. Policia beson se ai e shpenzoi pjesën më të madhe të jetës duke u fshehur në Campobello di Mazara, një qytezë me 11 mijë banorë, pranë shtëpisë së nënës së tij.
“E kemi festuar me familjen arrestimin e tij. Ai është në qeli tashmë dhe do të jetë subjekt i rregullave të ndalimit”, tha Catalano.
Fotoja e fundit e Messina Denaro-s ishte në vitin 1993, çka e bënte të vështirë për policinë që të identifikonte njeriun më të kërkuar në Itali. Autoritetet thanë se ai bënte një jetë të hapur në fshat duke bërë pazare për veten në supermarkete.
Prokurorët thanë se “gjuetia” e tyre u komplikua edhe për shkak të besnikërisë që ai kishte nga anëtarët e klanit të tij në Siçili. Reuters ka intervistuar disa banorë në rrugët e Campobello si dhe policët që ndaluan bosin e “Cosa Nostra”.
Aty zbulohet përpjekja e hetuesve për të thyer “kodin e heshtjes” ose siç quhet nga banorët vendas “omerta”. Ky kod është thyer në pjesë të tjera të Siçilisë, por ishte ajo që mbajti në këmbë Messina Denaron, i cili është pagëzuar nga shtypi italian si “Kumbari i fundit”.
“Kam arrestuar të paktën 200 persona që lidhen me të. Vetëm një prej tyre vendosi që të bashkëpunojë me drejtësinë”, tha Roberto Piscitello, një prokuror që u përpoq të kapte Messina Denaro-n nga viti 1996 deri në vitin 2008. Në fund nuk ishin kolegët e tij mafiozë që e tradhtuan, por shëndeti.
Policia thotë se arritën që ta kapnin Denaro-n pasi mësuan nga përgjimet e të afërmve të tij se ai kishte kancer. Autoritetet dyshonin prej kohësh se ai banonte në Siçili, aty ku kishte lindur. Kështu që ata bënë një kontroll të thelluar të të gjithë pacientëve me kancer në rajon dhe zbuluan se një person, i quajtur Andrea Bonafede kishte kryer operacion në Mazara del Vallo në të njëjtën kohë kur celulari i tij kishte qenë aktiv në një pjesë tjetër të ishullit.
Hetuesit e morën këtë si shenjën e parë të konfirmimit që Messina Denaro mund të fshihej me identitet fals. Në dokumentet që ka parë Reuters thuhej se personi që kryente operacionin nuk ishte Andrea Bonafede i vërtetë, i cili në fakt duhej të ishte me celularin. Më pas u zbulua se pacienti bënte trajtim kimioterapie në Palermo. Më 16 Janar, ata rrethuan klinikën dhe u hodhën në veprim kur pacienti mbërriti për takimin e radhës. Ai pranoi menjëherë identitetin e tij të vërtetë, por që në fillim tregoi se nuk do të jetë e lehtë që ai të pranojë krimet që ka bërë.
“Kam kodin tim të nderit”, mësohet të ketë thënë Denaro sipas një burimi të Reuters. Heshtja e tij do të thotë që tashmë hetuesit duhet të mbledhin bashkë sa më mirë të gjithë mënyrën se si ai arriti t’i shpëtojë arrestit gjatë gjithë këtyre viteve.
Fokusi i vërtetë i hetuesve në fillim ishte Andrea Bonafede i vërtetë, një topograf, i cili nuk kishte të precedentë penalë. Prokurorët janë shprehur se Bonafede pranoi se e njihte bosin e “Cosa Nostra” që në rini dhe se i kishte blerë atij një apartament në Campobello di Mazara. Banafede është po ashtu në arrest dhe publikisht nuk ka dhënë asnjë koment për rastin.
Policia po heton edhe shoferin e bosit të mafias, i cili rezulton si fermer ullinjsh dhe nuk ka asnjë precedent penal. Sipas prokurorëve për të parandaluar gjurmimin ai kishte fikur dy prej celularëve të tij. Megjithatë vetë shoferi thotë se nuk e dinte identitetin e vërtetë të pasagjerit të tij. Kryeprokurori i Palermos, Maurizio de Lucia, i tha Reuters se njerëz të tillë si Bonafede përfaqësojnë lidhjen e parë të matriksit të të arratisurve, duke u siguruar nevojat bazike.
Por ai beson se rrjeti i tij i mbështetësve ka rrënjë më të thella.
“Territori i tij e ndihmoi për shumë vite. Është e arsyeshme të mendosh se ai mori mbështetje na profesionistë, sipërmarrës”, tha ai.
Mes atyre nën hetim për ndihmë ndaj bosit të mafias është edhe doktori i tij, Alfonso Tumbarello. Avokati i tij tha se është i bindur që klienti do të provojë pafajshmërinë.
Magjistratët thonë se kanë prova që Messina Denaro ka vizituar Spanjën, Greqinë dhe Austrinë vitet e fundit. Por fokusi i tij kryesor i aktiviteteve të biznesit qëndronte në Siçilinë perëndimore, duke sugjeruar se ai e kaloi shumicën e kohës në ishull. Me dhjetëra mafiozë të nivelit të ulët janë arrestuar në rajon vitet e fundit. Sipas hetuesve kjo ka dobësuar rrethin e brendshëm të Denaro-s. Por kjo ka pasur edhe problematikat e veta sepse në shumë raste është ndërprerë rruga që një ditë t’i çonte hetuesit tek Denaro.
“Por nuk mund t sakrifikojmë drejtësinë. Nuk mund t’i lemë kriminelët në rrugë”, tha Paolo Guido, prokurori që udhëhoqi gjuetinë e gjatë ndaj kryemafiozit.
Prokurorët besojnë se Denaro ka krijuar një gamë të gjerë interesash financiare që shkojnë përtej shqetësimeve tradicionale mafioze, duke e ndihmuar atë që të krijonte një rrjet besnikësh mes profesionistëve të jakave të bardha. Në një regjistrim sekret të vitit 2013 të bërë në burg, zbuloi se ish-shefi i bosëve, Toto Riina, ishte ankuar se i mbrojturi i tij i dikurshëm, ishte duke investuar në projekte të energjisë së rinovueshme në vend që të fokusohej në aktivitetet e mafias.
“Në kontekstin siçilian, ata që besohet se krijojnë punë dhe mundësi për të bërë biznes sigurojnë konsensus, mbrojtje”, tha kolonel Antonello Parasiliti Molicia i cili drejton forcat speciale të anti-krimit në Palermo.