BOTA, 17 Nëntor 2022, 17:47

Shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve paraqet sfida për programin e Presidentit Biden

Shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve paraqet sfida

Në Shtetet e Bashkuara, republikanët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Kjo do të thotë se programi i presidentit Joe Biden do të hasë në disa pengesa gjatë dy viteve të ardhshme pasi republikanët synojnë të vënë në veprim programin e tyre. Republikanët pritet të fillojnë një sërë hetimesh ndaj presidentit Biden dhe familjes së tij.

Konservatorët janë zotuar për një mori veprimesh pasi të marrin kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve, pas dy vjetësh qeverisjeje të demokratëve me presidencën dhe dy dhomat e kongresit. Por gazetarët amerikanë thonë se republikanët ende nuk e kanë përfunduar hartimin e programit të tyre.

“Ajo që ata premtojnë është kryesisht një seri hetimesh ndaj Presidentit Joe Biden, familjes dhe administratës së tij. Republikanët duan të luftojnë inflacionin. Ata duan të hetojnë krizën e shkaktuar nga virusi ‘COVID-19’. Më pas duan të përmirësojnë situatën në kufi. Se si do ta bëjnë këtë mbetet disi e pasigurt. Programi i tyre është ende duke u hartuar”, tha Lisa Mascaro, gazetarja kryesore e Kongresit për agjencinë “Associated Press”.

“Ajo që është domethënëse në lidhje me zgjedhjet është se sa i ngushtë ishte rezultati. Republikanët kanë siguruar shumicën me një epërsi të lehtë që do të thotë se legjislacioni dhe të qenit në gjendje për të qeverisur vitin e ardhshëm do të jetë shumë më i vështirë nga sa kishin parashikuar”, tha gazetarja tjetër, Farnoush Amiri.

Republikani nga Kalifornia, Kevin McCarthy, pritet të jetë kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve. Marrja e kësaj pozite nga zoti McCarthy megjithatë po përballet me sfida brenda partisë Republikane.

“Ai po përballet me tensione nga grupi më i djathtë i partisë së tij. Ky grup thotë se pas rezultateve që nuk ofruan shumicën e ndjeshme që synonin, ekziston nevoja për një udhëheqës transformues vitin e ardhshëm dhe për të qenë në gjendje të luftojë një Senat të kontrolluar nga demokratët dhe një president demokrat në Shtëpinë e Bardhë”, thotë më tej zonja Amiri.

“McCarthy, ka një histori të gjatë me Presidentin Trump. Ai ishte një nga mbështetësit e tij të parë në Kongres. Por, të dy kanë pasur një marrëdhënie që herë ishte e mirë e herë e keqe. Ai sërish do të punojë për ta mbajtur ish presidentin afër, pasi McCarthy gjithashtu po përpiqet të përcaktojë rrugën e tij si udhëheqës i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve”, tha zonja Mascaro.

Kontrolli i Kongresit nga konservatorët, ndër të tjera mund të ndikojë edhe në hetime të ndryshme që po zhvillohen ndaj ish-presidentit Donald Trump, duke përfshirë rolin e tij në ngjarjet e 6 janarit 2021. /VOA