BOTA, 10 Prill 2026, 22:58

Shtetet baltike: Rusia po zhvillon fushatë të vazhdueshme dezinformimi

Shtetet baltike: Rusia po zhvillon fushatë të vazhdueshme dezinformimi

Shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë hedhur poshtë me vendosmëri pretendimet ruse se kanë lejuar përdorimin e territorit dhe hapësirës së tyre ajrore për sulme ukrainase ndaj Rusisë.

Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të Jashtëm të tre vendeve thuhet se ato “e refuzojnë kategorikisht fushatën e vazhdueshme të dezinformimit rus” si plotësisht të pabazë.

“Shtetet baltike nuk kanë lejuar kurrë që territori dhe hapësira e tyre ajrore të përdoren për sulme me dron ndaj objektivave në Rusi”, theksohet në deklaratë.

Sipas tyre, këto akuza janë hedhur poshtë që në fund të marsit edhe para përfaqësuesve diplomatikë rusë në Talin, Riga dhe Vilnius.

Ministrat shtojnë se, pavarësisht reagimeve zyrtare, Rusia ka vazhduar me pretendime të pavërteta, duke theksuar se Ukraina ka të drejtë të mbrohet ndaj agresionit rus.

Shtetet baltike kujtojnë se lufta e Rusisë në Ukrainë ka vijuar për më shumë se katër vjet, ndërsa Ukraina ka kryer sulme ajrore ndaj objekteve industriale dhe ushtarake brenda territorit rus si pjesë e rezistencës së saj.

Së fundmi, disa dronë ukrainas kanë hyrë në hapësirën ajrore pranë kufijve të Estonisë gjatë sulmeve në veriperëndim të Rusisë, por pa shkaktuar viktima apo dëme të mëdha.

Ministrat përfundojnë deklaratën duke i bërë thirrje Rusisë t’i japë fund luftës dhe të tërheqë forcat e saj nga territori ukrainas, duke ritheksuar solidaritetin e plotë me Ukrainën.