BOTA, 2 Shkurt 2023, 17:18

SHBA dhe Filipinet bien dakord për një prani më të madhe ushtarake amerikane

SHBA dhe Filipinet bien dakord për një prani më të madhe

Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet njoftuan të enjten planet për të zgjeruar praninë ushtarake të Amerikës në këtë vend të Azisë Juglindore, ndërsa përpiqen të pengojnë veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj Tajvanit dhe ato në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore.

Marrëveshja u arrit ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ishte në Filipine për bisedime rreth vendosjes së forcave dhe armëve amerikane në më shumë kampe ushtarake të vendit.

Në një njoftim të përbashkët, të dyja palët thanë se kishin vendosur të përshpejtonin zbatimin e plotë të të ashtuquajturës Marrëveshje e Bashkëpunimit të Zgjeruar të Mbrojtjes (EDCA), e cila synon të mbështesë trajnimin e kombinuar dhe stërvitje të përbashkëta.

Si pjesë e marrëveshjes, SHBA-ja ka caktuar një fond prej 82 milionë dollarësh për përmirësimin e infrastrukturës në pesë qendra të përbashkëta stërvitjeje si dhe ka zgjeruar praninë e saj ushtarake në katër zona strategjike të Filipineve.

Sekretari Austin mbërriti në Filipine të martën nga Koreja e Jugut, ku tha se SHBA do të shtojë armët e avancuara, si dhe avionë luftarakë në Gadishullin Korean në kuadër të stërvitjeve përbashkëta me forcat e Koresë së Jugut në përgjigje të kërcënimit bërthamor në rritje të Koresë së Veriut.

Në Filipine, aleati më i vjetër i Uashingtonit në Azi dhe një vend i rëndësishëm në betejën e SHBA-së kundër terrorizmit, Sekretari Austin vizitoi qytetin jugor të Zamboangës ku takoi gjeneralë filipinas dhe një kontigjent të vogël të forcave amerikane kundër terrorizmit me bazë në një kamp ushtarak.

Mbi 100 trupat amerikane atje, kanë ndihmuar prej vitesh forcat filipinase me informacione zbulimi, në kuadër të luftës kundër një kryengritjeje myslimane, që vazhdon prej dekadash, e cila është pakësuar ndjeshëm, por vazhdon të mbetet një kërcënim kryesor për këtë vend.

Kohët e fundit, forcat amerikane kanë intensifikuar dhe zgjeruar stërvitjet e përbashkëta, duke u përqëndruar në gatishmërinë luftarake dhe reagimin ndaj fatkeqësive me trupat filipinase në bregun perëndimor të vendit, në brigjet e Detit të Kinës Jugore dhe në rajonin verior të Luzonit përballë ngushticës së Tajvanit.

Sipas marrëveshjes EDCA të vitit 2014, forcave amerikane iu është dhënë qasje në pesë kampe ushtarake filipinase.

Në tetor, Shtetet e Bashkuara kërkuan qasje për një numër më të madh të forcave dhe armëve të tyre në pesë kampe të tjera ushtarake, kryesisht në veri. Sipas zyrtarëve filipinas, kjo kërkesë do të ishte në rendin e ditës në takimet e zotit Austin.

“Vizita e Sekretarit Austin padyshim që do të ketë të bëjë me shumë me diskutimet e vazhdueshme mbi marrëveshjen EDCA,” tha në një konferencë shtypi ambasadori i Filipineve në Uashington Jose Romualdez.

Sekretari Austin ishte planifikuar të zhvillonte bisedime të enjten me homologun e tij filipinas, Carlito Galvez Jr. dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Eduardo Ano.

Sekretari Austin do të zhvillonte një takim më vete me Presidentin Ferdinand Marcos Jr., i cili mori detyrën në qershor dhe që atëherë ka ndërmarrë hapa për të shtuar marrëdhëniet me Uashingtonin.

Shefi amerikan i mbrojtjes është zyrtari më i fundit i lartë që viziton Filipinet pas Nënpresidentes Kamala Harris në nëntor në shenjë të përmirësimit të lidhjeve pas një periudhe të tensionuar nën administratën e ish presidentit Rodrigo Dutertes.

Zoti Duterte kishte forcuar lidhjet me Kinën dhe Rusinë dhe në një moment, kishte kërcënuar të ndërpriste lidhjet me Uashingtonin, të largonte forcat amerikane dhe të shfuqizonte marrëveshjen e mbrojtës.

Filipinet dhe anëtarët e organizatës së ASEAN-it, Brunei, Malajzia dhe Vietnami, së bashku me Tajvanin, janë përfshirë në mosmarrëveshje territoriale gjithnjë e më të tensionuara me Kinën në Detin e Kinës Jugore.

SHBA-ja është konsideruar si një kundërpeshë vendimtare për Kinën në rajon dhe është zotuar të dalë në mbrojtje të Filipineve nëse forcat, anijet ose avionët filipinas sulmohen në ujërat e kontestuara.

Filipinet strehonin dy nga bazat më të mëdha të Marinës dhe Forcave Ajrore të SHBA-ve jashtë territorit amerikan. Bazat u mbyllën në fillim të viteve 1990 pasi Senati i Filipineve refuzoi zgjatjen e tyre, por forcat amerikane u kthyen për stërvitje të përbashkëta me trupat filipinase sipas një Marrëveshjeje të vitit 1999.

Kushtetuta e Filipineve ndalon vendosjen e përhershme të trupave të huaja dhe përfshirjen e tyre në luftime./ VOA