BOTA, 26 Maj 2026, 21:32

Rubio në Jerevan, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit strategjik SHBA–Armeni

Rubio në Jerevan, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka bërë një ndalesë në Armeni gjatë kthimit të tij nga India, ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme, Ararat Mirzoyan dhe nënshkroi një memorandum për bashkëpunim strategjik.

Sipas vëzhguesve politikë, kjo është vizita e parë e një sekretari amerikan të Shtetit në Armeni, që nga viti 2014 dhe shihet si një përpjekje për të forcuar rolin e Uashingtonit në rajonin e Kaukazit Jugor.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Mirzoyan vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe ndërmjetësimin e SHBA-së nën drejtimin e presidentit, Donald Trump në konfliktin e Armenisë me Azerbajxhanin fqinj.

Si pjesë e përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit, Uashingtoni ka propozuar krijimin e një korridori rrugor dhe hekurudhor përmes territorit të Armenisë, i cili do të lidhte dy pjesë të Azerbajxhanit dhe do të kishte gjithashtu përfitime ekonomike për SHBA-në.

Projekti mban emrin “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP)”.

Jerevani, i cili tradicionalisht ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën dhe Teheranin, ka orientuar gjithnjë e më shumë politikën e tij drejt Perëndimit, nën drejtimin e kryeministrit Nikol Pashinyan.

Marrëdhëniet me Rusinë janë ftohur ndjeshëm, ndërsa para zgjedhjeve parlamentare në Armeni më 7 qershor, Moska vendosi kufizime importi për një sërë produktesh armene.

Nga ana tjetër, SHBA-ja, e përfshirë në tensione me Iranin prej disa muajsh, po kërkon të rrisë ndikimin e saj në vendet fqinje të këtij shteti.