BOTA, 22 Janar 2026, 17:13

Rritet bilanci i viktimave nga tragjedia hekurudhore në Andaluzi, shkon në 45 numri i të vdekurve

Rritet bilanci i viktimave nga tragjedia hekurudhore në Andaluzi, shkon

Dy trupa të tjerë u gjetën pasditen e sotme në vendin ku të dielën, 18 janar, u përplasën dy trena me shpejtësi të lartë, në Adamuç të Andaluzisë, njoftuan ekipet e shpëtimit. Numri i viktimave ka shkuar tashmë në 45.

"Bëhet fjalë për dy viktimat që ende nuk ishin gjetur,” shpjegoi një përfaqësues për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).

Viktimat u gjetën në një vagon të trenit të kompanisë Renfe, i cili u përmbys pasi u godit nga një tren tjetër i një kompanie private, që po vinte nga drejtimi i kundërt.

Hetimet po përqendrohen në dy skenarë kryesorë: një problem me infrastrukturën hekurudhore ose një defekt teknik në tren.

Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se ekspertët kanë inspektuar vendin e aksidentit dhe dëmet e shkaktuara. “Pas inspektimeve në terren, është konstatuar se do të jetë e nevojshme të analizohen në laborator shinat në pikën ku nisi rrëshqitja e trenit, si dhe të kontrollohen rrotat e trenit Iryo”, u shpreh ai.

Komisioni i ekspertëve ka kërkuar gjithashtu informacion nga Adif, autoriteti përgjegjës për infrastrukturën hekurudhore në Spanjë, lidhur me regjistrat e qarkullimit në zonën e Antamuth për dy ditët para aksidentit, si dhe do të kryejë kontrolle të rrotave të trenave të tjerë që kanë kaluar më parë nga i njëjti segment hekurudhor, bëri të ditur ministri.