TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në vitin 2024 shpenzimet ushtarake të Rusisë tejkalojnë për herë të parë fondet për shërbimet sociale. Cilat janë pasojat për ekonominë ruse, në një kohë që lufta ka shkaktuar edhe mungesë të fuqisë punëtore në Rusi.
Duma ruse zhvilloi konsultime për projektbuxhetin e vendit për 2024 (17.11.2023). Shpenzimet parashikohen të kalojnë 36,6 bilionë rubla, kurse të ardhurat 35 bilionë rubla. Deficiti prej 1,6 bilionë rublash do të mbulohet nga kredi dhe mjetet të Fondit Kombëtar të Bamirësisë, sipas qeverisë. Ky ushqehet me mjete të administrimit të burimeve të naftës dhe ato aktuale të fondit. Sipas ekspertëve, buxheti rus 2024 do të ketë si pikërëndesë buxhetin ushtarak: 30% e shpenzimeve, 10,8 bilionë rubla do të rrjedhin për ushtrinë. 3,4 bilionë për sigurinë kombëtare dhe ndjekjen penale.
Shpenzime për “fitoren” dhe “frontin”
Ministri rus i Financave, Anton Siluoanov tha në një takim të komisionit buxhetor të dumës shtetërore, se qëllimi i këtij buxheti është “fitorja dhe “fronti”. Më vonë ai siguroi, se ky buxhet nuk duhet parë vetëm si buxhet “ushtarak”, sepse çështjet sociale kanë prioritet në këtë buxhet. Por kjo është e vërtetë vetëm pjesërisht. Në shifra vërtet rriten shpenzimet për sektorin social me 1,4 bilionë rubla, nëse merren disa sektorë buxhetorë në konsideratë, si arsimi, shëndetësia, politka sociale dhe sporti. Por pjesa e këtyre shpenzimeve në buxhetin e përgjithshëm do të ulet nga 31,7% në këtë vit në 29,9% vitin e ardhshëm.
Rritja e shpenzimeve ushtarake pritej për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë, por që në vitin 2024 ajo do të ketë një rritje kaq të madhe, 68% krahasuar me vitin 2023, është edhe për ekspertët e ekonomisë rritje e papritur. Këtë e thekson edhe një nga themeluesit e Fakultetit Ekonomik të Moskës, që sot është studiues në Studimet Ruse dhe Euroaziatike të Universitetit të Harvardit, Andrej Jakovlev.
Kthim në vitet 90-të?
Sipas ekspertëve ka gjasa që të bëhet zhvlerësimi i rublës për të mbushur buxhetin. Por ky hap mund të sillte rreziqe makroekonomike në vitin 2025 me pasojë një inflacion të lartë. Kjo situatë i kujton Jakovlevit vitet 90-të, kur shteti emetoi para për të paguar rrogat, gjë që solli një spirale inflacioni. “Kremlini na fut frikën me vitet e tmerrshme 90-të, por tani ai vetë po e çon ekonominë në këtë drejtim”, thotë ai për DW.
Po ashtu pritet që autoritetet ruse të përpiqen të kompensojnë me burime të brendshme mungesat e krijuara nga rënia e të ardhurave të eksportit të naftës dhe gazit për shkak të sanksioneve. “Autoritetet flasin hapur për rritje të tatimeve. Kjo vlen si për sipërmarrjet edhe për popullsinë. Edhe gjobat që jepen pritet të rriten”, supozon Jakovlev. Eksperti parashikon shkurtime në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe ekonomisë popullore. “Me shumë gjasa do të reduktohen projekte për ndërtimin e rrugëve të reja dhe zhvillimin e programit të hipotekave.”
Natalja Subarevitsh nga Universiteti Shtetëror i Moskës thotë, se projektbuxhetin shtetëror për vitin 2025 mund ta përcaktojmë si “ushtarak”, por sipas ekspertes për zhvillimin socioekonomik të rajoneve, mund të flitet për “ekonomi lufte”, vetëm kur ka shtetëzime masive dhe përshtatje të të gjithë sektorëve me porosi shtetërore të luftës. Këtë vit sipas Subarevitsh do të tejkalohet rënia e të ardhurave të popullsisë, por ajo shikon si problem akut për Rusinë, mungesën e fuqisë punëtore, edhe për shkak të rektrutimit në luftë. “Gati 1 milionë meshkuj nga ekonomia reale kanë marrë arratinë apo luftojnë. Sipas të dhënave të demografëve 400.000 deri në 600.000 vetë të kualifikuar të shtresës së mesme janë larguar nga vendi. Vetëm pak janë kthyer. Rusia po humb kapitalin njerëzor”, thotë Subarevitsh./DW