BOTA, 22 Janar 2023, 13:57

Rrëfimi i eskortave në Moldavi: "Marianën e varën, Natashën e mbytën"

Rrëfimi i eskortave në Moldavi: "Marianën e varën,

Punonjëset e seksit në Republikën e Moldavisë, nuk presin të marrin ndihmë nga policia, sepse puna e tyre është ilegale në këtë vend. Ato i tregojnë reporteres së DW, Violeta Colesnic se shpesh bien viktimë e dhunës.

"Mbas fasadës së sjellshme të një klienti të veshur mirë, mund të fshihet një mostër,” tregon një punonjëse moldave seksi. Ajo e di për çfarë po flet, sepse vendi i saj i punës është një rrugë në veri të Republikës së Moldavisë. Aty e takuam atë dhe dy kolege të saj. Ato na tregojnë sa e rrezikshme është puna e tyre: "Marianën e varën, Natashën e mbytën. Si vdiq Iulia, nuk e di mirë,” tregon ajo. "Tanea-n e rrahën për vdekje, trupin pa jetë të saj e gjetën në anë të rrugës. Trupi pa jetë i një punonjëseje tjetër seksi u hodh në një kanal. Kur e gjetën, identifikimi mundi të bëhej vetëm prej rrovabe.” 

Republika e Moldavisë, një prej vendeve më të varfëra të Europës, me një popullsi prej gati tre milionë banorësh, ka 15800 punonjëse seksi, prej të cilave dy të tretat jetojnë dhe punojnë në kryeqytetin, Kishinau. Për punonjësit mashkullorë të seksit shifrat nuk janë të ditura. Sa shumë diskriminohen këto gra e tregon një sondazh aktual bërë në këtë ish-republikë sovjetike: 88 përqind e të pyeturve thanë se nuk do donin të qëndronin afër një personi që punon në sektorin e seksit. Prostitucioni është ilegal në Republikën e Moldavisë, çdo gjë zhvillohet mbas perdeve, dhe gratë nuk presin të marrin asnjë lloj ndihme nga autoritetet. Kur thonë si e nxjerrin jetesën, ato duhet të paguajnë një gjobë që është nga 88 në 118 euro. 

Punonjëset e seksit, me të cilat folëm ne, tregojnë për frikën dhe poshtërimin: Shpesh ato ndiqen natën nga policë me llampa dore dhe u duhet të fshihen nëpër shkurre. Pjesa më e madhe e grave thonë se kanë vendosur të bëhen punonjëse seksi për shkak të varfërisë dhe mjerimit, duke e parë këtë gjë si mundësinë e vetme për të mbijetuar dhe ushqyer familjen.  

Punonjëset ukrainase të seksit kanë qoshen e tyre 

Rruga "Calea Basarabiei" në kryeqytetin Kisinau, kalon mes për mes një zone industriale. Rruga e gjatë pesë kilometra njihet si rrugë në të dyja anët e së cilës punonjëset e seksit presin klientët e mundshëm.

Grupet e ndryshme shpërndahen nëpër zonë. Të rejat që sapo fillojnë ndiqen fillimisht, tregon një punonjëse seksi, që ka 20 vjet në këtë profesion: "Ne jemi të moshuara, 36 ose madje 46 vjeç, dhe burrat që vijnë këtu për seks preferojnë më shumë të rejat, prandaj ne i ndjekim ato.” Ajo tregon se me fillimin e luftës në vendin fqinjë, gjithnjë e më shumë ukrainase janë duke u shfaqur në këtë rrugë, por puna e tyre organizohet nga tutorët.  "Dhe ato punojnë vetëm natën, gjithnjë në një vend fiks.” 

Edhe punonjëset e tjera moldave të seksit thonë, se në Republikën e Moldavisë ky sektor nuk organizohet më nga tutorët, gratë punojnë të pavarura dhe i bëjnë pazaret vetë me klientët. 

Eskortat e luksit fitojnë disa qindra euro për natë, kurse gratë që presin për klientët në rrugë, marrin dhjetë deri 25 euro për klient. Sa më i vogël të jetë qyteti, aq më i ulët është çmimi: Në një qytet të vogël me 30 mijë banorë çmimet shkojnë madje tek pesë eurot. 

Jetë paralele 

Kjo punë është veçanërisht e vështirë në qytetet e vogla, jo vetëm për shkak të çmimit të ulët, thotë një punonjëse seksi që është rreth të dyzetave: "Të gjithë mendojnë keq për gratë si unë dhe na trajtojnë keq. Unë jam arrestuar madje dhe mu desh të paguaja një gjobë, policia e di me çfarë merrem”. Për fëmijët e saj është shumë e vështirë: "Në shkollë ose në oborrin e pallatit, kur luajnë, ata i tallin sepse kanë të ëmën prostitutë.” 

Ajo e bën këtë punë sepse nuk ka parë mundësi tjetër për të fituar para: "Shumë vetë mendojnë se prostitucioni është rruga më e thjeshtë për të fituar para. Kush e thotë këtë, nuk ia ka idenë sa e vështirë është për një grua që shet trupin, që të gjejë sërish ekuilibrin shpirtëror dhe trupor.” Ajo çka i duhet asaj është shansi për të fituar paratë në një mënyrë tjetër. "Të gjithë na trajtojnë me mungesë respekti, na shohin si diçka të pistë dhe të neveritshme. Ndodh që ne të trajtohemi më keq se kriminelët, që kanë vrarë njerëz.”

Përveç grave që presin për klientët në rrugë, ka edhe të ashtuquajturat "vajza apartamenti”, që ofrojnë shërbimet e tyre në një banesë të tyre ose në banesën që ofrojnë klientët. Shpesh ato janë studente ose gra të martuara, rrethi i të cilave nuk e di që ato punojnë në këtë fushë. 

Tek ky grup bën pjesë Diana, që ka një burrë të papunë dhe dy fëmijë të vegjël. Ajo ka një punë fikse dhe punon atje edhe pas orarit, por rroga prej 172 eurosh nuk mjafton për një familje me katër vetë. Prandaj ajo filloi të punojë si punonjëse seksi: "Unë do bëja gjithçka që fëmijët e mi të mos vuanin urie. Unë bëj dy jetë paralele, askush nuk e di për profesionin e dytë. Megjithatë unë jam shumë prezente në jetën e fëmijëve të mi, unë jam mama e mirë.” 

Olga u përdhunua kur ishte 12 vjeç nga bashkëshorti i mësueses 

Pesë "vajzat e apartamenteve” me të cilat folëm ne janë të martuara dhe kanë fëmijë. Ato nuk duan që rrethi i tyre ta marrë vesh për "jetën paralele” si punonjëse seksi dhe kanë shumë frikë që një ditë kjo gjë mund të merret vesh. Megjithatë asnjëra prej tyre nuk do që të heqë dorë nga të ardhurat stabile që nxjerr si punonjëse seksi. 

Sipas një studimi të organizatës joqeveritare, Act for Involvement, gati gjysma e punonjëseve të seksit në Kishinau kanë qenë në fëmijëri apo rininë e hershme viktima të dhunës seksuale. Olga, që punon prej 26 vjetësh si punonjëse seksi tregon se kur ka qenë 12 vjeç është përdhunuar nga bashkëshorti i mësueses së saj. Por ajo nuk ka treguar, sepse dorasi e pati kërcënuar se do ta vrasë nëse hap gojën. "Unë nuk kam folur sepse kisha shumë frikë. Kështu që një ditë fillova të fle me burrat për të fituar para.” 

Sëmundje, varfëri, dëshpërim  

2,7 përqind e grave janë të infektuara me HIV, thotë një raport i OKB që flet për zhvillimet në Republikën e Moldavisë. Një grua që ka pas marrë pjesë në eskortat e luksit tregon se klientët e saj kanë qenë mbajtës postesh, biznesmenë të suksesshëm, kryetarë bashkie, politikanë. Ajo nuk e di prej kujt është infektuar me HIV.

Për shkak të infektimit ajo humbi klientelën dhe burimin e vetëm të fitimeve. Për shkak të varfërisë dhe dëshpërimit, ajo filloi të këmbente shërbimet seksuale kundrejt ushqimeve. Më vonë u kthye në alkoolike dhe përfundoi në spital në gjendje kome për shkak të alkoolit.

Gjëja për të cilën i vjen më shumë keq, është që ndërpreu studimet për mjekësi kur mori ofertën për të punuar si punonjëse seksi.
Pjesa më e madhe e grave, që punojnë në këtë fushë në Republikën e Moldavisë, nuk kanë përfunduar shkollën e mesme, vijnë nga kushte të varfëra dhe e kanë të vështirë të gjejnë një punë tjetër. 

Disa gra tregojnë se kanë paguar gjoba për prostitucion, kurse të tjerat thonë se i kanë shpëtuar gjobave: për shembull Larisa, që punon si punonjëse seksi prej 26 vjetësh.

Ajo vjen nga territoret separatiste të Transilvanisë, që me ndihmën e Rusisë u shkëputën në vitin 1992 nga Republika e Moldavisë. Meqenëse nuk ka letërnjoftim moldav, asaj nuk i duhet të paguajë gjobat. Me paratë që ka fituar duke punuar si punonjëse seksi në Kishinau, ajo arriti t'i blinte një banesë të birit kur mbushi 17 vjeç. Tani është duke rinovuar shtëpinë e saj në Transilvani, midis takimeve me klientët ajo flet vazhdimisht me punëtorët që janë duke montuar atje kaloriferët e rinj. Ajo është 47 vjeç dhe do që mbas tre vitesh "të dalë në pension”.  

Ndërkohë që Larisa nga Transilvania nuk ka nevojë të paguajë gjoba për prostitucion, për Iraidën gjobat janë kthyer në problem, asaj i është dashur të paguaj gjoba 200 herë. Kur foli me ne, ajo ishte duke pritur në rrugë për një klient dhe ishte tetë muaj shtatzënë. Në shtëpi e presin dy fëmijë, ndërkohë që i shoqi është futur në burg për tregti me droga: "Ai do të dënohet me burgim nga 7 deri 15 vjet, kështu që mua më duhet të kujdesem vetë për fëmijët.” 

Shumë punonjëse seksi nga qytetet e ndryshme të Republikës së Moldavisë, që folën me ne tregojnë shokimin e tyre për minorenet që janë duke u shtuar në rrugë. Dhe kjo ndodh megjithëse seksi me minorenet dënohet me burgim në Republikën e Moldavisë. "Vajzat e reja janë 12 vjeç,” tregon një punonjëse seksi nga një qytezë në qendër të vendit. "Policia e di, me siguri që edhe punonjësit social e dinë, por askush nuk bën diçka për t'i shpëtuar ato." Dhe shton e menduar: "Unë mendoj se burrat duhet të kenë disa parime morale bazë…” /Deutsche Welle